Justin Bieber sërish në gjykatë

  • A.P /
  • 17 December 2021 - 15:17
Justin Bieber sërish në gjykatë

Ylli i njohur i muzikës pop, Justin Bieber, do ta zgjidhë privatisht padinë e tij për sulm seksual. 27-vjeçari është akuzuar për sulm seksual nga një grua e njohur me emrin, Danielle, ngjarje kjo e cila besohet të ketë ndodhur në mars të vitit 2014 në hotelin “Four Seasons” në Texas. Menjëherë pas këtyre akuzave, Bieber e ngriti padinë e tij kundër saj për shpifje.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga uebfaqja “RadarOnline.com”, në një seancë dëgjimore të caktuar rreth këtij rasti me gjyqtarin Terry Green, Justin dhe Danielle, ranë dakord për ta zgjidhur padinë me ndërmjetësim privat.

Bieber e ka paditur Daniellen dhe një akuzuese të dytë të quajtur, Kadi, me 10 milionë dollarë për dëmtim të imazhit, kjo pasi dy viktimat e supozuara e kishin akuzuar për sulm seksual.

Ylli i hitit “'Yummy” fillimisht i kishte mohuar akuzat ndaj tij, si dhe kishte siguruar prova të cilat e vërtetonin se në kohën kur supozohej se kishte kryer sulm seksual ndaj gruas në fjalë, ai gjendej në një lokacion tjetër me të dashurën e asaj kohe, Selena Gomez. Në provat ligjore të dorëzuara në gjykatë, këngëtari deklaron se ka “prova dokumentare të padiskutueshme” për të vërtetuar se te dy pretendimet për sulm seksual nuk janë gjë tjetër veçse “gënjeshtra dhe shpifje”.

Këngëtari kanadez i cili është i martuar me modelen, Hailey Bieber, beson që Danielle i ka sajuar pretendimet e saj bazuar në raportet publike, se gjoja ai kishte drekuar në restorantin e hotelit “Four Seasons”, më datë 10 mars 2014.

Kurse në rastin e ngritur nga akuzuesja e dytë, Kadi, ajo deklaron se Justin e kishte sulmuar seksualisht në hotelin “Langham” në New York City, me datën 5 mars të vitit 2015 në ora 2 të mëngjesit. Edhe për këtë ngjarje, ylli i hitit “Love Yourself” insiston se është e pamundur të ketë ndodhur.

(Kosova Sot Online)