Zhvillohen aktivitete vetëm sa për të arsyetuar buxhetin

  • 30 May 2016 - 08:25
Zhvillohen aktivitete vetëm sa për të arsyetuar buxhetin

Bashkëpunimet kulturore Kosovës- Shqipëri 2016 në kuadër të kalendarit kulturor nuk janë duke shkuar siç duhet, apo të paktën siç ishte premtuar nga krerët e ministrive të Kulturës të të dy shteteve. Pesë muajt e parë të këtij viti nuk kanë sjellë ndonjë bashkëpunim kushedi sa, ndërsa me pak përjashtime, edhe ato që janë mbajtur kanë kaluar pa ndonjë bujë mediale dhe pa u vënë re nga askush. Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe studiues letrar, ka thënë se bashkëpunimet kulturore Kosovë –Shqipëri janë të mira frytdhënëse kur ato zhvillohen pa tendenca, pa prapaskena politike dhe pa favorizime. Sipas tij, Shqipëria më shumë i kushton rëndësi dhe buxhet bashkëpunimit në mes Serbisë dhe Shqipërisë sesa Kosovës. Ai ka thënë se për të paraqitur zhvillimet e tyre kulturore në Beograd, ata përgatiten me muaj të tërë dhe e kundërta, kur serbët shkojnë në Tiranë tanët u ofrojnë çdo gjë, e madje edhe i shpërblejnë si qytetarë të Tiranës, duke ua dhuruar çelësin e qytetit,shkruan gazeta Kosova Sot.

Injorimi që ia bën Tirana Prishtinës

Sipas Sahitajt, njerëzit e kulturës nga Kosova shkojnë në Tiranë gjatë ditëve të organizimeve kulturore, sallat janë të zbrazëta dhe krijuesit nga Kosova i trajtojnë si krijues të zonave rurale. „Vite të tëra ky bashkëpunim ka filluar dhe ende opinioni ynë në Kosovë dhe ai në Shqipëri nuk kanë njohuri se ekziston një gjë e tillë. Programet e tyre i zhvillojnë vetëm sa për ta mbuluar shumën e buxhetit të destinuar për këtë gjë dhe çdo gjë kalon sikur asgjë të mos kishte ndodhur“, ka thënë shkrimtari Reshat Sahitaj.

Për krijuesin Dan Ibrahimi as që mund të bëhet fjalë për një kalendar kulturor, duke vërejtur se deri më sot nuk është parë ndonjë projekt madhor kombëtar në kuadër të këtyre bashkëpunimeve. „Kush ka thënë që ka bashkëpunime kulturore Kosovë-Shqipëri!? Unë nuk po i shoh ato, mjerisht! Ministritë përkatëse pikërisht për mosangazhime serioze bashkëpunuese ndërshqiptare do të duhej të riemërtoheshin si ministri antikulturore“, ka pohuar Ibrahimi.

Kurse studiuesi Anvi Rudaku është shprehur se bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri kanë vetëm qëllim arsyetimi se ka bashkëpunime për t'i shpëtuar kritikës. „Nuk janë bërë për thellim bashkëpunimi teatror, letrar, muzikor, e tjerë e tjerë; nuk janë bërë për integrime cilësore kulturore, për treg të përbashkët kulturor; për formim tradite të bashkëpunimit, për zgjerim të kapitalit kulturor në të dyja shtetet; për nxitje të bashkëpunimeve të tjera private“, ka thënë Rudaku, duke shtuar se kalendari i bashkëpunimeve ka edhe përgjithësime e jo vetëm aktivitete konkrete; ka pak aktivitete, mungojnë në shumë sektorë kulturorë e tjerë e tjerë.

Duan unifikim kulturor

Ndërkaq, eksperti i trashëgimisë Ylber Vokshi ka thënë se do të duhej që kalendari i miratuar nga ministritë përkatëse të Kulturës të realizohet në përpikëri të jetë më i begatshëm, pasi bëhet fjalë për një popull të ndarë padrejtësisht. “Nuk duhet frikuar aspektit kombëtar të së njëjtës qenie kulturore që nuk mundet kontestuar nga askush”, ka pohuar Vokshi, duke shtuar se shpesh ka improvizime të momentit politik në këto bashkëpunime, që nuk duhet trajtuar në mënyrë protokollare si me kulturat e tjera, meqë i takojmë një tërësie kulturore në këtë pjesë të botës.

Edhe poeti Imer Raci ka thënë se në disa aktiviteteve kulturore Kosovë - Shqipëri kanë filluar të organizohen, por ato ende janë minimale. “Edhe pse pohimet se aktivitetet kulturore më shumë janë të improvizuara, fatkeqësisht pohimet po bazohen diku, sepse ende asgjë nuk po bëhet apo nuk po vërehen aktivitete me qëllim të mirëfillta kulturore kombëtare. E mira e krejt kësaj është se kanë filluar organizimet e aktiviteteve kulturore të përbashkëta”, ka thënë Raci. Ndërkaq, Arsim Halili, shkrimtar dhe studiues, ka thënë se bashkëveprimet kulturore Kosovë-Shqipëri mbeten vetëm një temë që lë për të dëshiruar, ose të paktën është aq formale, saqë mund të flitet pjesërisht për një fushë të caktuar e në fusha të tjera ngelet. “Javën që kaloi thjesht Java e Albanologjisë e dëshmoi një komunikim kulturor mes dy shteteve, por a mjafton vetëm kjo, sigurisht se  jo. Pastaj nuk shoh ndonjë bashkëpunim të thelluar në teatër, në arkeologji, në operë , dhe fushën e arteve pamore. Mendoj se do të duhet të ndryshojë kjo qasje në mënyrë që edhe artistët kosovarë edhe ata artistë shqiptarë ta dëshmojnë veten, talentin e tyre, pa asnjë barrierë, në cilindo qytet reciprok, atëherë mund të flitet për bashkëpunim”, ka thënë ai. Halili ka pohuar më tej se rezultatet e këtij kalendari nuk mjaftojnë, pasi, sipas tij, ne nuk kemi aktivitete kombëtare thuajse në asnjë fushë kulturore, por kemi aktivitete institucionale kulturore të dy vendeve, siç mund të kemi me cilindo shtet tjetër . “Vajtje – ardhjet me agjenda të caktuara për të dëshmuar se cili institucion është në epërsi nuk mund të japin asnjë provë se kemi aktivitet kombëtar. Pa shkrirjen e këtyre divergjencave, rezultatet do të jenë tepër formale”, ka thënë shkrimtari Arsim Halili.

(Kosova Sot)