“Summer Cult” afron artistët me publikun

  • 29 August 2016 - 19:13
“Summer Cult” afron artistët me publikun

Të hënë në mbrëmje u mbajt në Prishtinë nata e dytë e “Summer Cult”, një ngjarje e veçantë artistike, e konceptuar si art në ambient të hapur. Artistë të rinj, aktorë, muzikantë, piktorë, kanë shfaqur talentin e tyre përmes perfomancave të realizuara, duke tërhequr kështu edhe vëmendjen e publikut.

Ideja e këtij aktiviteti është që ta afrojë më tepër publikun te bota e artit, duke krijuar kështu një kontakt të drejtpërdrejtë mes performuesve dhe dashamirësve të artit. Koordinatori i “Summer Cult”, Kushtrim Mehmetaj ka thënë se aktivitete të tilla, në vende të ndryshme të botës janë tradicionale, por këtu te ne është një përvojë e re. “Po të tërheqim vëmendjen e njerëzve me pjesë të veçanta artistike dhe performance”, është shprehur Mehmetaj. Artistët e përzgjedhur kanë interpretuar fragmente të ndryshme nga shfaqje teatrore, këngë dhe do të pikturojnë në një formë origjinale. “Summer Cult” është edhe një lloj kampusi, që shërben për të shkëmbyer përvojat mes vetë artistëve të rinj dhe u jep atyre gjithashtu mundësinë ta shfaqin talentin e tyre përballë publikut. Ky aktivitet që synon nxitjen e kreativitetit te artistët e rinj është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe kompania e telefonisë “Vala”.

Të dielën, të hënën janë mbajtur dy mbrëmje dhe të martën është nata e tretë, prej orës 18.00 në qendër të Prishtinës ku adhuruesit e performancave, mund të përcjellin “Summer Cult”. Kjo ngjarje është ideuar dhe organizuar nga “Cult Club”, një organizatë me përvojë të gjatë në teatër, media, aktivitet vendore dhe ndërkombëtare.

(Kosova Sot)