Kosova pa ligj të veçantë për muzetë

  • 22 June 2017 - 08:10
Kosova pa ligj të veçantë për muzetë

Bërja e një ligji të veçantë për muzetë në vend është përfolur qysh vite më parë, por kjo mundësi vazhdon të mbetet peng i miratimit të ligjit të ri për muzetë. Në fakt, ka vite që në sirtarët e Kuvendit të Kosovës është duke pritur Projektligji për trashëgiminë kulturore në vend, për të cilin është thënë se shpejt do të marrë bekimin e Kuvendit për t'u fuqizuar ligjërisht. Megjithatë, vështirë të thuhet se mund të ndodhë kjo. Miratimi i infrastrukturës ligjore është një nga kriteret kryesore të Strategjisë Kombëtare për Trashëgiminë. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, lidhur me kohën kur vendi do të bëhet me ligjin e ri, sfidat që po përballet shteti në mbrojtje të trashëgimisë dhe infrastruktura ligjore, apo edhe mundësia që vendi të bëhet me një ligj të veçantë për muzetë. Në anën tjetër, ekspertë të fushës së trashëgimisë kanë thënë për "Kosova Sot" se institucionet duhet të forcojnë infrastrukturën ligjore për trashëgiminë. Ndërsa kanë thënë se muzeologjisë duhet kushtuar vëmendje më të madhe, duke bërë një ligj të veçantë për muzetë. "Pasja e një ligji të veçantë, që do të rregullonte fushëveprimtarinë e muzeve në vend, do të ndikojë dukshëm në avancimin dhe rregullimin e muzeve në mbarë vendin, posaçërisht raportet mes muzeve dhe shumë aspekte të tjera, duke përfshirë dhe mundësinë e themelimit të muzeve të natyrave të ndryshme në mbarë vendin", kanë thënë ekspertët tanë të fushës së trashëgimisë.

Mungon rregulli në fushën e trashëgimisë

Etnologu Frok Kristaj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucionet duhet ta avancojnë infrastrukturën ligjore për të mundësuar një ruajtje dhe promovim sa më dinjitoz të trashëgimisë kulturore. Ai ka thënë se një ligj i mirë dhe i zbatueshëm do të vinte rregull në përgjithësi në fushën e trashëgimisë kulturore. Duke evidentuar edhe të metat, e që sot përcjellin Ligjin për trashëgiminë kulturore në vend, ai ka thënë se me rëndësi është të dihen saktë edhe kriteret që duhet të zbatohen për përzgjedhjen e monumenteve të mbrojtura."Kjo duhet të bëhet pasi, ta zëmë, nën mbrojtje të shtetit janë qindra monumente, të cilat mendoj se duhet t'u nënshtrohen vlerësimeve, pasi për prezantim të trashëgimisë nuk ka nevojë për sasi, por për kritere dhe vlera", ka thënë Kristaj. Ndërsa ka thënë se një vëmendje të madhe duhet kushtuar fushës së muzeologjisë në vend. Pasi, sipas tij, muzetë në vend janë në gjendje të keqe dhe, sic ka thënë ai, shumë ngjasojnë me ata të kohës së socializmit. Përveçse na mungojnë shumë muze specifike, si ai i natyrës, memories apo kujtesës historike, ne nuk kemi asnjë muze që do të prezantonte veshjet tradicionale shqiptare, të trevave kosovare, pasi edhe ai ekzistuesi etnologjik nuk është gjithëpërfshirës, por, sic ka thënë ai, më shumë një improvizim."Gjendja e keqe është në qytete të tjera kosovare, ku pothuajse mungojnë muzetë reprezentative, ndërsa ato që prezantojnë traditën e veshjeve në trevat tona mungojnë pothuajse krejt", ka thënë Kristaj për "Kosova Sot", duke pohuar se nëse do të kemi ligjet të mira, të rregulluara edhe me akte nënligjore dhe zbatueshmëri të tyre për këtë fushë, atëherë edhe do të kishin një trashëgimi reprezentative dhe jetëgjatë.

Vendi ka nevojë për një infrastrukturë ligjore

Edhe studiuesi i traditave popullore, etnomuzikore, Dilaver Kryeziu, koreograf, ka thënë për "Kosova Sot" se vendi ka nevojë për një infrastrukturë ligjore, e cila do të ndikonte shumë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, veç- mas asaj shpirtërore. Kryeziu ka thënë se shteti duhet të forcojë infrastrukturën ligjore dhe mundësinë për themelimin e muzeve, për të cilët trashëgimia jonë ka nevojë, më së shumti për promovim të saj. Sipas tij, është shumë e nevojshme që të kemi një muze ku do të ruhet trashëgimia jonë shpirtërore, duke pasur parasysh se ajo edhe sot krijohet në mjediset kosovare. Pasi, siç ka thënë ai, kjo traditë është identifikuese për një popull të lashtë sikurse jemi ne."Bërja e një muzeu ku do të përmblidhej trashëgimia jonë shpirtërore, tradita etnomuzikore, duke e ruajtur dhe prezantuar atë, lirisht mund të them se edhe prezantimi i saj për ne do të ishte një ndihmesë e madhe", ka thënë ai, duke treguar se hulumtimet në terren, ku tashmë edhe vetë koreografi Kryeziu gjendet, në Karadak, kultivohet një traditë e pasur e valleve popullore, që mahnit profesionistët e fushës së etnomuzikologjisë.

(Kosova Sot)