Amy Adams, e gjithanshme dhe elastike

  • 19 October 2017 - 17:46
Amy Adams, e gjithanshme dhe elastike

Në vitin 2009, pasi që Amy Adams u zbulua dhe u rizbulua, me rastin e nominimit për dy Oskarë dhe kishte luajtur në një hit ndërkombëtar, një gazetë e kishte vlerësuar si "lulëzuese të vonshme". "Mirë", tha Adams tash vonë. "Të paktën unë paskam lulëzuar". Ajo qeshi. Si mund të mos qeshte? Të qenit yll i filmit mund të jetë gjë absurde. Më shumë sesa rolet, një gjë e tillë mund ta definojë një performues dhe ta nënvlerësojë në mënyrë brutale atë, duke ndikuar në kategorizimin e tij, a falet, apo harrohet. Kur u dha filmi "Enchanted" në vitin 2007, ajo kishte 33 vjet, në moshën mesatare të aktoreve të Hollivudit. Syhapur dhe rrezatuese, ajo dukej origjinale. Të qenit e famshme nuk ishte ndonjë bekim, por një gjë të cilën ajo e kishte fituar rol pas roli. Edhe pse përgjatë karrierës ka luajtur në rreth 40 filma, Adams ka pasur vetëm një film sivjet, "Justice League", ku për të tretën herë ajo paraqitet në rolin e Lois Lane. Ajo që mund të thuhet, është se Adams nuk është paraqitur me ndonjë film i cili mund t'ia sillte ndonjë nominim tjetër për Oskar. Të paktën sivjet.

Nuk i jep shumë material shtypit të verdhë

Më parë ajo është nominuar pesë herë, por nuk arriti asnjëherë ta merrte shpërblimin, as edhe për performancën e saj shumë të lavdëruar në filmin e vitit 2016, "Arrival". Në këtë film ajo paraqitet si Louise dhe angazhohet nga ushtria që të gjejë një mënyrë për të komunikuar me jashtëtokësorët, të cilët kishin arritur në Tokë. Louise bartë në vete një barrë të tmerrshme personale, një tragjedi të madhe. Një pjesë e madhështisë së Adamsit si aktore ka të bëjë me faktin se ajo e investon veten 100% për çdo rol që luan. Ajo punon rreth detajeve. Ajo ka treguar se e bind veten të jetë dikush tjetër dhe se është duke përjetuar ngjarjet e atij personi. Ndonjëherë ajo e gjen frymëzimin afër, sikur p.sh. kur bashkëpunonte me regjisorin Tom Ford për filmin e vitit të kaluar, "Nocturnal Animals". Adams ende ishte në kërkim të personazhit, Susan, kur kuptoi se çelësin e kishte përpara: "Është Susan. Susan është Tom Ford". Adams huazoi saktësinë dhe hijen e Fordit, mënyra sesi i lëvizte duart derisa rrinte ulur në kauç. Falë karrierës së saj të suksesshme, Adams ka mësuar sesi ta luajë rolin e personit të famshëm: si të bisedojë me Jimmy Fallonin, si të buzëqeshë derisa është mbi qilimin e kuq dhe si ta ruajë qetësinë para paparacëve. Ka rëndësi se ajo nuk i jep shumë material shtypit të verdhë. Një paradoks i të qenit i famshëm ka të bëjë me atë se një gjë e tillë varet nga paraqitja e një jete të rëndomtë. Kjo ka të bëjë me atë sesi aktorët mbushin performancat e tyre me veten e tyre, si janë në jetën reale. e, në jetën reale Adams duket e sjellshme, e mençur e ndjeshme, ashtu sikur që shihet ndonjëherë në kamerë. Edhe gjatë bisedës, ajo duket sikur 'njëra nga ne', e jo si ato krijesat joreale sikur që dinë shpesh të jenë të famshmit.

"Duhet të vendosësh se çka dëshiron të jesh"

Adams ka bërë shumë edhe filma televizivë, por nuk ishte në natyrën e saj që të zhvishej në të brendshmet, vetëm që ta merrte një rol. Menaxheri i saj shpesh i kishte thënë: "Duhet të vendosësh se çka dëshiron të jesh". Ajo ende nuk e kishte vendosur këtë, kur u paraqit në fillim të viteve 1960 në filmin e Steven Spielbergut "Catch Me if You Can", një film të vitit 2002, ku në rolin kryesor ishte paraqitur Leonardo DiCaprio, në rolin e mashtruesit Frank Abagnale Jr. DiCaprio luan rolin e vardisësit dhe Adams rolin e femrës që së shpejti do të dorëzohet. Ky rol i siguroi asaj audicione të shumta, por pa ndonjë sukses të veçantë. Vetëbesimi është një tipar, i cili karakterizon shumë rrëfime të grave të suksesshme, të cilave iu duhet që t'i tejkalojnë jo vetëm pasiguritë e tyre, por edhe botëkuptimet e një bote, e cila suksesin e femrave, në rastin më të mirë, e pret me ambivalencë. Adams tregon se, derisa ishte afër moshës 30- vjeçare, ishte mërzitur së qeni jo e lumtur dhe ndaj përpjekjeve për arritjen e diçkaje që mund të mos i përkiste asaj, sikur që është një karrierë në film dhe TV. Ajo mendonte që të shkonte në Nju-Jork dhe t'ia fillonte profesionit që nga fillimi. Por, më pas ndodhi filmi "Junebug". Roli i Adamsit si një shtatzënë naive, Ashley, në këtë film të pavarur të vitit 2005, ishte pjesë e asaj që u bë një motor i vërtetë, por i ngadalshëm i karrierës së saj. Nëse filmi "Catch Me if You Can" tregonte se ajo ishte një talent i freskët, atëherë filmi "Junebug" vinte në pah pasurinë e gamës së saj, duke treguar edhe talentin që të lëvizte nga lehtësia emocionale deri te errësira dhe, anasjelltas.

(Kosova Sot)