< Artistët që duan të BËHEN POLITIKANË - Kulturë - Kosova Sot
Artistėt qė duan tė BĖHEN POLITIKANĖ

Artistėt qė duan tė BĖHEN POLITIKANĖ

Që nga pas lufta në asnjë palë zgjedhje, qoftë lokale apo të përgjithshme, listat e partive nuk kanë pasur më shumë njerëz nga komuniteti artistik që kërkojnë votën për përfaqësim politik, sesa në këto të djeshmet. Shumë prej emrave të njohur të skenës kulturore në pothuajse të gjitha fushave të artit dhe kulturës kanë kërkuar votë dhe presin fitore, pas përfundimit të procesit zgjedhor. E 'lufta' e kulturorëve për të marrë një pozitë si asamblist në kuvendet komunale, është arsyetuar edhe me punë që ata do të bëjnë për kulturën në komunat përkatëse. Por, për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, është vështirë të pritet ndonjë zhvillim në dobi të kulturës nëpër komunat kosovare, pavarësisht nëse në asambletë e tyre hyjnë njerëzit kulturës. Avni Abazi, aktor dhe producent, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se asnjëherë në këto 18 vjet pas luftës, në asnjë palë zgjedhje nuk kemi pasur kaq shumë aktorë që kanë dalë për të kërkuar votën e qytetareve.

Shumica do të zhgënjehen

Vlerësimet në komunitet të artistëve, ka pohuar ai, janë që gjendja e pashpresë dhe e mjerë në të cilën ndodhet vendi në përgjithësi dhe kultura në veçanti i kanë detyruar artistët që të ulin kriterin dhe të nënshtrohen në mënyrë verbale përballë kryetarëve lokalë të të gjitha partive pa përjashtim dhe në pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës. "Në anën tjetër, jam shumë i sigurt që shumica do të zhgënjehen, ngase do t'u vidhen votat dhe do të ndihen të shfrytëzuar dhe të manipuluar dhe si rezultat do të kuptojnë që ka qenë thjesht marketing partiak dhe luftë për ndonjë vote dhe aspak betejë idesh dhe konceptesh për një mirëqenie më të mirë", ka thënë ai, duke shtuar se krejt kjo kyçje e artistëve në lista zgjedhore është e nxituar dhe e pamenduar, për shkak se në momentin që, një aktor i hyn garës dhe nuk merr vota, atëherë filan aktori aq edhe ka peshë, aq edhe ka vlerë dhe ky do të jete edhe vlerësimi që nesër do të ketë në parti dhe si rrjedhojë, siç ka thënë ai, ekziston frika që nuk do të arrihet ndonjë ndryshim pozitiv për kulturën nëpër komuna. Kurse Ilir Muharremi, kritik arti dhe profesor universitar, ka thënë për "Kosova Sot", se kultura siç shihet edhe në debate zgjedhore nuk është përmendur fare, dhe gjithmonë është e fundit

Artistët fare pak folën për kulturën

Muharremi ka thënë se së pari vetë asamblistët duhet të jenë të kulturuar që të kontribuojnë për kulturë, pasi, siç ka thënë ai, edhe më herët njerëz nga kultura ishin pjesë e kuvendeve komunale, por ata pak ose fare folën për kulturën. "Ka pasur artistë të angazhuar në politikë, por ata menjëherë u harruan si artistë, u bënë kinse politikanë. Asnjëra e as tjetra nuk u shkonte", ka thënë ai. Edhe Bujar Meholli, shkrimtar dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se disa artistë që hynë si kandidatë për asamble nuk kanë shfaqur ndonjë ide konkrete se si do të zhvillohet kultura përgjatë këtyre viteve, duke mos ofruar ndonjë plan për trajtimin e institucioneve kulturore. Siç e dimë, është shprehur ai, në Kosovë mungojnë festivalet dhe aktivitete të tjera kulturore, andaj komunat në vitet e ardhshme duhet t'i hartojnë planet zhvillimore për kulturën dhe të ndajnë buxhetin për të. Artistët asamblistë, ka pohuar ai, që do të zgjidhen nga populli, kanë borxh ndaj tij, andaj iu duhet të bëjnë punë të madhe në interesa të popullit, dhe jo, si ka thënë më tej ai, në interesa personale apo partiake, por të përsiaten në zhvillimin e kulturës, kur dihet se është shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe emancipimin e saj. "Duhet t'u kushtohet rëndësi bibliotekave që janë në mungesë të shumë titujve, pastaj t'u kushtohet rëndësi artistëve të rinj, qofshin muzikantë, shkrimtarë apo piktorë. T'u krijohen kushtet dhe të merren seriozisht idetë e tyre që kanë të bëjnë me afirmimin e domenit kulturor", ka pohuar Meholli. Më tej ai ka thënë se duhet të bëhet trajtim i barabartë i institucioneve të pavarura dhe atyre publike, të thellohet bashkëpunimi mes komunave dhe institucioneve kulturore, të rritet buxheti për kulturën si dhe të bëhet intensifikimi mes komunave dhe institucioneve kulturore për hartimin e agjendave drejt zhvillimit kulturor.

(Kosova Sot)

8 orë e 59 minuta më parë