< Atdheu, preokupim i djeshëm dhe i sotëm i Sylës - Kulturë - Kosova Sot
Atdheu, preokupim i djeshėm dhe i sotėm i Sylės

Atdheu, preokupim i djeshėm dhe i sotėm i Sylės

KRITIKË LIBRIT TË ISMAIL SYLËS "ATDHEU IM I NGRYSUR", PËRMBLEDHJE ME POEZI

Drenica për poetin është simboli i lirisë, i qëndresës me bijtë dhe bijat e saj trima

SHKRUAN: ZEQIR BEKOLLI

Për idealistin Syla, Atdheu edhe pas afro një dekade të pavarësimit vazhdon të jetë i ngrysur, jo ashtu siç ka dashur dhe vazhdon ta dëshirojë, sepse, sipas tij, në të po reflektohen edhe katrahurat e periudhës derisa Atdheu ishte i pabërë. Ndaj, mbi këtë bazë, ai, sot, Atdheun e sheh të ngrysur, të rrëzuar si lisin, që në poezinë tonë njihet si simbol qëndrese

Me titullin simbolik "Atdheu im i ngrysur" dhe i inspiruar nga vargjet popullore, Ismail Syla "shpërthen" me përmbledhjen e pestë me poezi, me mënyrën dhe stilin e ti tashmë të njohur. Syla, që po radhitet ndër poetet e suksesshëm të brezit të tij, në këtë përmbledhje ka për preokupim Atdheun, siç e kishte edhe gjatë tërë jetës së tij, për të cilin pushtuesi e përplasi në muret e burgjeve serbe. Për idealistin Syla, Atdheu edhe pas afro një dekade të pavarësimit vazhdon të jetë i ngrysur, jo ashtu siç ka dashur dhe vazhdon ta dëshirojë , sepse , sipas tij, në të po reflektohen edhe katrahurat e periudhës derisa Atdheu ishte i pabërë. Ndaj, mbi këtë bazë, ai, sot, Atdheun e sheh të ngrysur, të rrëzuar si lisin, që në poezinë tonë njihet si simbol qëndrese. Poeti përmbledhjen e nis me njërën nga poezitë më të bukura dhe tejet simbolike, të titulluar "Qeni i lidhur në degë", që për subjekt ka realitetin politik në vend. Ai jo vetëm që është konkret në atë që thotë, por me një guxim prej poeti pasqyron këtë realitet më mirë se kushdo tjetër, duke thënë se ata (të huajt) pasi bënë disa veprime në degët e lisit, "... lidhën një qen, që ende turret, kërkon të më hajë, e dëgjon të zonë". Nga përmbajtja e këtyre vargjeve krijohet përshtypja se autori mendon në pjesën veriore të vendit dhe ndikimin e fortë që vazhdon ta ketë Beogradi atje. MT: Ceremonia e varrimit të Uzo Muqit, e ngjashme me atë të Abedin Balës Syla përmbledhjen e fillon me ciklin "Atdheu i pabërë", por edhe me poezinë, që në përmbajtje e ka Betejën e Kosovës, më 1389, "me qiellin e copëtuar, të rënë për toke, ku kërkon t'i dalin flatrat, të ngrihet dhe të fluturojë lart me të tjerët". Sado që shprehin pesimizëm këto vargje, autori nuk i humb shpresat, sepse përpjekjet për ringritje i sheh edhe atëherë "kur qielli i atdheut ishte rënë për tokë, edhe në natën e parë të robërisë, kur ranë kështjellat e Arbërisë". Periudha e Atdheut të pabërë ishte shumë e gjatë, siç ishin të gjata edhe përpjekjet për ta bërë atë, që nga Arbëria e hershme për të vazhduar edhe në shekullin e shkuar. Në këto përpjekje, ai përmend Tahirin, Afrimin, Fahriun e shumë Arifë Povata të tjerë, të cilët me pak bukë, ujë e municion qenë barrikaduar në gurët e frëngjive për idealin e lirisë së atdheut. Por, sipas tij, përpjekjet për ta bërë atdheun, pos që ishin të hershme, ishin edhe të pareshtura ose siç thotë se "...kryengritjet ishin më shpesh se të mbjellat". Duke nxjerrë në shesh trimëritë dhe përpjekjet ndër shekuj, Syla përdor edhe hiperbolën, si në rastin e poezisë "Trimëria dibrane prish ekuacionet matematike" , thotë se "Një predhë shtinin, vrisnin shtatë". Në funksion të idealit për vendin, luftëtari "Atdheut i falte jetën në mes o në fund të betejës", pa menduar fare se në shtëpi linte familjen fëmijët, për të cilët nuk kujdesej askush, pos gjyshes, prehri i së cilës bëhej strehë për jetimët, në atdheun e pa bërë. Në këto rrethana, Uzo Muçi, një trim kaçak, varrosej nën dritën e hënës, pa ceremoni, por nën përcjelljen e lotëve të nënës. Ky përshkrim që i bën poeti këtij luftëtari trim, në atdheun e pabërë, koincidon me rastin e atdhetarit Abedin Balaj nga Korrotica e Epërme, i vrarë në burgun famëkeq të ish-armatës jugosllave, më 7.03.1982, të cilin e patëm varrosur në orët e vona të mbrëmjes të atij viti, nën dritën e llapave të vajgurit dhe qirinjve, pa ceremoni. Edhe ky shembull, si ai i luftë- tarit Uzo Nuçi, në poezinë e Sylës flet për fatin e atdhetarëve në Kosovën e pabërë. Një fat i ngjashëm, sipas poetit, mund te të përfshijë edhe në Atdheun e pambrojtur, ku "kot i ik pusit, se të pret gjiri", se "ik nga shiu dhe bie në breshër", ose nëse "ik nga tymi hy në prush". Që do të thotë se pos në Atdheun e pabërë edhe në Atdheun e pambrojtur nuk ka siguri. Në këtë cikël është mbresëlënëse poezia që flet për të ashtu quajtur "Tepricat", që u aplikuan pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet Titos (Jugosllavi) dhe Stalinit (Rusi). Në këtë periudhë, nisi një trysni mbi shqiptarët e Kosovës, së mënyrë për t'i detyruar ata të shpërnguleshin për Turqi, sipas marrëveshjes që sundimtari Tito kishte nënshkruar me autoritetet turke. Këtë realitet të asaj periudhe e përshkruan bukur poeti kur thotë se "Sapo që vinte koha e të korrave të bujkut, ëndrrës socialiste i dilnin dhëmbët e ujkut", të cilët rrethonin lëmenjtë ku fshihej gruri, me policë, "Gazika"(makinë ruse), me pushtetarë të rinj, për të deri aty sa edhe miellin në magje t'ua fshinin fshatarëve me krah pule. Këtë poezi poeti sigurisht se do ta ketë hartuar nga rrë- fimet e prindërve të tij, sepse në atë fazë mund të mos ketë qenë i lindur fare. Një kujtim të tillë, nga prindërit e mi e kam edhe unë për gjyshen time, të cilës pushtetarët e rinj në atë periudhë ia kishin fshirë magjen me krih pule, madje njëri syresh edhe e kishte goditur pasi ajo i kishte kundërshtuar.

ËNDRRAT SHOVINISTE TË MARK MILANIT DHE TË SHESHELIT

Poeti do të preokupohet edhe me fatin e fëmijëve të lindur në luftë në periudhën 1998-1999, në rrethana tejet të vështira, nëpër male, që siç thotë të qarat e para të ardhës së tyre në jetë i shoqëronin krismat e granatës. Te poezia "Ëndrra shoviniste di të riciklohet", Syla e bën një krahasim të mirë ndërmjet poezisë popullore "Mos u ngut he Cernagor", kur Mark Milani i Malit të Zi kishte kërkuar "drekën n'Plavë, darkën n'Gusi", sikur krimineli serb Sheshel, i cili në luftën e fundit kishte ëndërruar të pinte kafe në vargmalet e Berishës, gjë të cilën nuk arriti ta bënte, sepse atë e pengoi UÇK-ja, e cila mbronte mese 80 mijë banorë të strehuar në këto vargmale. Te cikli "Atdhe im i ngrysur" poetin e preokupon gjendja e tashme e Atdheut. Kjo përshkruhet mirë te poezia "Atdheu - kishë në errësirë", ku nuk shihen priftërinjtë, atllarët. Me një fjalë thotë poeti është shndërruar në vend ku strehohen "të gjithë mëkatarët". Pse është ngrysur Atdheu, Syla do të përpiqet ta shpjegojë te poezia "Atdhe im...i ngrysur". Në vargjet krahasuese të kësaj poezie, nëpërmjet katër vargjeve, tregon se si Atdheu tashmë i ngjan gjuhës së gjyshit. Kam përshtypjen se këto vargje Syla do t'i ketë shkruar në një çast të një thyerje shpirtërore, siç na ndodh shpesh në jetë, sepse me kaq pak vargje shpreh një pesimizëm, me të cilin nuk e prezanton realitetin e Atdheut, të korrikut 2016, kur i shkruan vargjet. Përkundër përplasjeve politike, në këtë fazë gjithçka nuk ishte e përmbysur, madje siç thotë "nuk vjen ëmbël si më parë". Nga çasti emocional, autori ka harruar se "më parë" gjysma e Atdheut ishte nën robëri, kurse për periudhën për të cilën po aludon, nuk besoj se i kanë ardhur "ëmbël" shkopinjtë e plastikës që i ka "hëngër" burgjeve të pushtuesit. Kosova tash është e lirë e është çështje tjetër pse nuk e bëjmë Atdheun ashtu siç e ëndërruam. Për dallim prej rastit të mësipërm te poezia "Motiv biblik i Atdheut tim", poeti nuk pajton me gjendjen e Atdheut dhe pa hezituar pyet: "Pse rri kaq i ndruajtur e nuk i shpalos vlerat"? Mjaft më thotë, "Mbylli grindjet me shulin e derës së fortesës", që për poetin grindjet janë pengesa të zhvillimit, të unitetit, të ecjes për para. "Qyshkur iu shteruan krojet trimërisë, toka e Kosovës i ngjan një pice me dhëmbë anash ngrënë". Te poezia "Epi për hartën e Kosovës si katror i ngrënë", poeti fjalën e ka për territoret e humbura te kufijtë e Kosovës me Maqedoninë e Malin e Zi. Po këtë territor të Kosovës, te poezia "Atdheu im, tabula rasa", flet për një fenomen real, "ku secili brez nga fillimi e shkruan historinë" sipas apetiteve dhe interesave të veta apo të politikës ditore! Syla merret edhe me monotoninë, kur thotë se "Ndonjëherë ky vend më duket aq i mërzitshëm", edhe nga Atdheu i ndotur, niveli i së cilës nuk të lë madje as ..."një lumë ku ta lashë fytyrën".

DRENICA E MBROJTI DREJTPESHIMIN E RELIEVIT TË COPËTUAR

Cikli i përmbledhjes "Për ty Atdhe" nis me poezinë e bukur "Përballë atdheut", që sipas përshkrimit, edhe pse nuk e thotë, lë përshtypjen se i kushtohet komandanti legjendar Adem Jashari, i cili sipas poetit është dhe mbetet "I vetmi komandat suprem me gradën gjeneral", para të cilit rrinë gatitu civilë, ushtarë, toga bateri, kolona e brigada. Pasi t'i ketë rënë rreth e përqark Atdheut, Syla me vargjet e tij zbret në Drenicën e tij e cila sipas autorit "E mbajti drejtpeshimin e relievit të copë- tuar". Dhe sa herë që është rrezikuar nga leukemia (sëmundje e rruazave të gjakut) del gjithmonë një Shotë Galicë e Adem Jashar për t'i dhënë "jetës sonë gjak me rruaza të kuqe". Drenica për poetin është simboli i lirisë, i qëndresës me bijtë dhe bijat e saja trima. Kjo Drenicë përjetoi edhe një rrezik për shfarosje nga bandat e kuqe komuniste, në muajt janar-shkurt 1945. Këtë gjendje të vendlindjes së tij të asaj periudhe do ta përshkruajë poeti mjaft mirë. Ajo fazë sipas tij përbëhej nga dimrat politik, ushtarak dhe të OZN-ës, kur bora që binte nga retë "I fshihte krimet e kuq që të mos u ndihej era", kurse "Burrat e vrarë me plumba: në gjoks e në shpatull", të cilët i varrosnin dosido nën dhe e akull, sepse atë periudhë ranë komandantët Shaban Palluzha e Mehmet Gradica", e pas këtyre rënieve thotë poeti "Si t'u bënte ballë tre dimrave e vetmuar Drenica"? Syla nuk harron të mos i prek edhe vlerat e Atdheut. Me poezinë "E si të mos bëhet ajo shenjtore", që i kushtohet Nënë Terezës, flet për humanizmin e saj, në funksion të së cilës "vetveten dha e u shkri për njerëzimin" edhe pse mbeti"...kockë e lëkurë", dikujt "...ia zbuti mjerimin". Prandaj mbi bazat e këtyre meritave për njerëzimin një "Gonxhe e brishtë", thotë Syla, tash "shndritë si shenjtore". DY VDEKJE TË MËDHA Te "Dimri i vdekjeve shqiptare" poeti bën një krahasim vërtet interesant ndërmjet dy vdekjeve, që ndodhen në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj 17 janar, por në vite të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme. Fjala është për vdekjen e Skënderbeut në vitin 1468, kur tokës së Arbërit iu hap një varr i madh, kurse "Bjeshka ra në fushë dhe fusha ra në det". Me një fjalë, autori këtë vdekje të natyrshme për Atdheun e sheh si njërën nga vdekjet më të mëdha të kohës. Si tragjedi vërtet Syla do ta konsiderojë edhe vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka në Untergrupenbah të Gjermanisë nga dora kriminale e UDB-së jugosllave, me një përshkrim tejet prekës. Ai thotë se "Gjaku shqiptar rridhte në token e huaj" dhe e "Skuqte borën mbi dheun e mërdhirë", nga "Sytë e Kosovës nuk vinin dot lotët", "Por xixa mërzie te Atdheut në zinxhirë". Ndërkaq, poezinë "Epi për të rinjtë të rënë për liri" poeti do t'ua kushton të rinjve Naser Hajrizit e Asllan Pirevës që ranë në demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë vetëm pse "...nuk deshën të plakeshin nën robëri".  

(Kosova Sot)

2 orë e 4 minuta më parë