< Projekti për Qendrën e Librit zhduket si flluskë sapuni - Kulturë - Kosova Sot
Projekti pėr Qendrėn e Librit zhduket si flluskė sapuni

Projekti pėr Qendrėn e Librit zhduket si flluskė sapuni

Vendimi i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, për themelimin e një Qendre për Librin, ishte parë si një vendim mjaft me rëndësi për të avancuar politikat kombëtare për librin. Për vite me radhë janë drejtuar akuza nga komuniteti artistik në vend ndaj MKRS-së për politika të gabuara që ka lidhur me librin dhe mbështetje për botuesit e krijuesit në vend. Nuk ishte lënë pa u kritikuar edhe puna e Këshillit të Librit, një organ që funksionon direkt nën vartësinë e ministrit të Kulturës dhe që mban përgjegjësinë për politikat për librin. Por, edhe pse ka kaluar një periudhë relativisht e gjatë, ministria nuk ka bërë të ditur që të ketë marrë ndonjë hap drejt konsolidimit të kësaj Qendre të Librit. As ish- udhëheqësja politike e kaluar e MKRS-së, që kishte iniciuar projektin, nuk kishte folur shumë për idenë e saj, përveç pohimeve se kishte bërë gati infrastrukturën për themelimin e qendrës. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së për të mësuar rreth orientimit të stafit të ri të MKRS-së dhe trajtimit që ky staf do t'i bëjë idesë për themelimin e Qendrës së Librit.

As një për qind e buxhetit të MKRS-së nuk jepet për librin

Pavarësisht vendimeve që mund të sjellë MKRS-ja lidhur me çështjen e themelimit të Qendrës së librit, krijuesit dhe njerëzit e librit në vend kanë mendime të ndryshme. Shumë prej tyre e mbështesin idenë për një Qendër të librit, kjo për faktin se, siç janë shprehur ata, do të sjellë më shumë progres për librin dhe mbështetje për zhvillimet kulturore e letrare në vend. Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Këshilli aktual i librit në MKRS nuk është treguar i dobishëm për librin dhe zhvillimet letrare në vend. Ai ka thënë se përgjegjësia individuale mungon dhe ministria duhet të reflektojë. Zeneli ka pohuar më tej se libri në vendet e rajonit është shndërruar në industri dhe pasqyron zhvillimin shoqëror e kombëtar, kurse, ka shtuar ai, në Kosovë buxheti që jepet për librin mbetet i mjerë. "Me Kujtim Shalën nisi diçka për së mbari, por mbeti në gjysmë të rrugës. Instituti i librit duhet të këtë kompetenca edhe për çmimet e letërsisë, që po manipulohet shumë me to... As një për qind e buxhetit të MKRS-së nuk jepet për librin? Ja paradoksi!", ka thënë ai

Avancimi i politikave kulturore në fushën e librit

Edhe krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se themelimi i një qendre kombëtare të librit është një vendim tejet i rëndësishëm për mbarë kulturën shqiptare. Sipas tij, nëse kjo qendër krijohet, do t'i orientonte politikat drejt lexuesve, gjegjësisht edukatës së leximit dhe synimi i saj do të ishte avancimi i politikave kulturore nëpër fushat përkatëse, në përkim me praktikat më të njohura evropiane, siç ka potencuar më tej ai, duke krijuar kushte që shkrimi, botimi, përhapja dhe promovimi i librit të shpallen veprimtari me interes kombëtar; duke siguruar qasje ndaj librit dhe nxitjen e shprehisë së leximit."Projekti për krijimin e kësaj qendre, ka një mision të shkëlqyer; ajo do të nxiste kulturën e leximit si dhe do të mbështeste krijuesit, (përfshirë edhe të rinjtë) do të promovonte vlerat më sublime të letrave shqipe, e të përkthimit të librave të huaj, por edhe do t'i kushtonte fonde të veçanta librit", ka thënë Meholli. Në mars të viti 2016, ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, kishte mbledhur në një takim njerëzit e librit dhe u kishte bërë të ditur projektin e MKRS-së për themelimin e Qendrës së Librit. Qëllimi, sipas ish-ministrit, ishte që MKRS-ja t'i avancojë politikat kulturore në fushën e librit, gjithnjë në përkim me praktikat e njohura evropiane dhe në funksion të promovimit e avancimit të mëtejmë të kulturës sonë. Por, më pas nuk ishte parë ndonjë veprim konkret drejt themelimit të kësaj qendre.

(Kosova Sot)

7 orë e 58 minuta më parë