MOSZBATIMI I LIGJEVE E KA BËRË TËRKUZË ÇËSHTJEN E KULTURËS

  • 11 November 2017 - 08:33
MOSZBATIMI I LIGJEVE E KA BËRË TËRKUZË ÇËSHTJEN E KULTURËS

Zbatueshmëria e ligjeve për kulturë mbetet një nga problemet me të cilat po ballafaqohen veprimtaritë kulturore në vend. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është korrupsioni, neglizhenca dhe mospërgjegjësia e drejtuesve të institucioneve, apo edhe dikastereve qeveritare. Por, nuk përjashtohen edhe mospërputhshmëria e ligjeve të veçanta me specifikat e një fushe të caktuar kulturore. Ligji për Teatrot, ai për Sponsorizime, për Trashëgimi, e disa të tjera vazhdojnë të mos gjejnë zbatim, duke u lënë shumë krijuesve jo pak probleme. Shumë nene të këtyre ligjeve vazhdojnë të mos jenë të zbatueshme, sikurse ansamblet rezidente të shumë teatrove publike, qoftë edhe TKK-në, inspektoratin e trashëgimisë, e shumë të tjera. Shumë prej ligjeve kanë nevojë për amendamentim, e disa janë në këtë proces. Për njerëzit e kulturës në vend dhe njohës të zhvillimeve kulturore, problemi me moszbatueshmërinë e ligjeve për kulturë jo gjithherë është faji i ligjeve, qoftë të këqija apo me defekte për shkak, të natyrave specifike, por edhe neglizhenca e autoriteteve dhe korrupsioni që ka përfshirë administratën pothuajse në gjithë sektorët shtetërorë.

 MUSLIU: DUHET TË PARASHIKOHEN QËLLIMET DHE OBJEKTIVAT QË DUHET ARRIRË ME KËTO LIGJE

 Në një prononcim për "Kosova Sot", regjisori Mahir Musliu ka thënë se moszbatueshmëria vjen pasi shumë ligje janë bërë vetëm sa për t'u bërë e jo që t'i ndryshojnë gjërat. "Kjo për mendimin tim lë shumë për të dëshiruar. Ligjet dhe nenet që hartohen duhet të jenë në harmoni me specifikën dhe veçantinë e resorit për të cilin bëhen këto ligje. Duhet mbajtur seanca dëgjimore dhe tubime me këtë komunitet ku secili do të bëjë gjetjet në secilën lëmi të kulturës", ka thënë ai, duke shtuar se këtu përfshihen vërejtjet dhe sugjerimet nga komuniteti kulturor, që ato mandej të përshtaten dhe të realizohen në praktikë. Fundja, sipas tij, këto bëhen për ta ndryshuar gjendjen për të mirë, se më keq s' ka ku shkon më. "Pra, si fund duhet të parashikohen qëllimet dhe objektivat që duhet arrirë më këto ligje", ka pohuar ai.

"MOSZBATIMI I LIGJEVE ËSHTË PROBLEMI KRYESOR QË ÇON NË ANARKI"

Ndërkaq, krijuesi Ardian Haxhaj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se problemi që po përballet sot sfera kulturore në vend dhe moszbatueshëmria e ligjeve nga autoritetet, nuk ka të bëjë shumë me çështjen e hartimit të ligjeve, apo numrit të ligjeve që i rregullojnë aktivitetet kulturore. "Si në çdo fushe tjetër, moszbatimi i ligjeve është problemi kryesor që çon në anarki. E, kultura në gjithë këtë maskaradë është në fund të pusit", ka pohuar Haxhaj. Kurse shkrimtari Dan Ibrahimi, duke folur rreth këtij problemi, ka thënë për "Kosova Sot", se më shumë kemi të bëjmë me moszbatueshmërinë e ligjeve dhe anashkalimin e tyre, pavarësisht se ato mund të jenë 'të këqija', apo me ndonjë mospërputhshmëri me ndonjë fushë të caktuar të kulturës. "Unë nuk e njoh profesionalisht anën ligjore, por di të them që më mirë një ligj i keq, por i zbatueshëm sesa asnjë. Më shumë e shoh me shqetësim anashkalimin e ligjeve ose keqinterpretimet që u bëhen për të mbështetur interesa të caktuara me baza joparimore", ka thënë Ibrahimi, duke shtuar se nuk mund të flitet në përgjithësi për mungesë ligjore në sferën kulturore, por për joparimësi dhe jopërgjegjësi ligjore në sferën kulturore.

(Kosova Sot)