Si mund të festohet për Oskarë, nën hijen e gjatë të Weinstein-it?

  • 03 December 2017 - 15:55
Si mund të festohet për Oskarë, nën hijen e gjatë të Weinstein-it?

SHKRUAN: CARA BUCKLEY 

Këtë kohë, vitin e kaluar, njerëzit e drejtë të Hollivudit filluan të përdornin fjalimet me rastin e marrjes së shpërblimeve, rast të cilin e shfrytë- zonin ta godisnin presidentin Donald J. Trump me grushtet e tyre me manikyr. Ishte aktorja Meryl Streep me rastin e ndarjes së çmimeve Globi i artë, e cila kishte sulmuar pashpirtësinë e Trumpit dhe, për shkak të zemërimit në lidhje me ndalimin e vizitës së myslimanëve në SHBA, David Harbour nga "Stranger Things" kishte reaguar me ashpërsi. Në të dy këto raste, në mesin e të të pranishmëve ishte edhe Harvey Weinstein, disa muaj para se të fillonin sulmet kundër tij. Sikur që mësoi Hollivudi në mënyrë të vështirë, është shumë më lehtë të flasësh, derisa 'ujku' nuk është njëri prej njerëzve tu. Edhe sikur të mos kishte njerëz të tjerë nga bota e shoubizit që u akuzuan për keqtrajtim seksual, pesha e akuzave të ngritura ndaj Weinsteinit, përsëri do ta kishte prishur gëzimin dhe shkëlqimin e ceremonisë së sivjetme Oskar.

MOHIMI I VIZËS PËR NJË AKTOR U BË MUNDËSI QË SHTYPI TË MERREJ ME KËTË ÇËSHTJE

 Weinstein mund të jetë përjashtuar nga Akademia e artit dhe shkencës së filmit, por ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në garën për Oskar. Edhe pse pushteti dhe fuqia e tij tani janë shumë më të vogla, sesa dikur, prania e theksuar e Weinsteinit, si dhe politika e pacipë që bën ai, janë të papranueshme. Përkundër faktit që ishte i dobësuar në aspektin financiar, Weinstein nuk dinte të ndalur. Ai rregulloi që Philomena Lee, e cila u detyrua nga murgeshat irlandeze që ta jepte djalin e saj për adoptim, të takohej me papën në javët e fundit të kampanjës së shpërblimeve për filmin e vitit 2013 rreth saj. Në reklamat për filmin "The Imitation Game" të vitit 2014 rreth matematikanit të persekutuar homoseksual, Alan Turing, Weinstein apelonte për faljen e 49,000 njerëzve, të dënuar për seksualitetin e tyre. "Nderojeni këtë film, nderojeni këtë njeri", thoshte reklama. Një ditë para se të mbyllej votimi për Oskar, doli lajmi se familja Turing do ta dorëzonte një peticion me qindra mijëra nënshkrime në adresën "10 Downing Street". Bile edhe mohimi i vizës për një aktor u bë mundësi që shtypi të merrej me këtë çështje. Pasi që aktorit fëmijë nga India, që paraqitej në filmin "Lion", në fillim nuk i ishte lejuar që të hynte në SHBA për të marrë pjesë në premierën e filmit në nëntor të vitit 2016, "Weinstein Company" lëshoi lajmin ku fajësohej "paranoja nga imigrantët". Tani kur Weinstein ballafaqohet me një mal dëshmish kundër tij, taktikat e tij duket se karakterizohen nga ligësia, gjë që vjen nga një njeri i cili çmimet Oskar i kishte përdorur si karrem për t'i përdorë seksualisht aktoret.

NDARJA E ÇMIMEVE OSKAR KURRË NUK ËSHTË ANULUAR

 Ai mund të ketë ikur, por lakenjtë e tij kanë mbetur. Ish të punësuarit e "Weinstein Company" kanë shkuar për të punuar për kompani të tjera, si Netflix, Lionsgate, Warner Bros., Focus Features, Sony Pictures Entertainment dhe A&E Networks. Strategët më të dalluar të çmimeve - Tony Angelotti, Cynthia Swartz, Lisa Taback - kishin punuar me të për vite të tëra. Disa prej ish të të punësuarve thanë se nuk kishin ditur asgjë rreth sjelljeve të tmerrshme të Weinsteinit. Por, ec e besoju atyre! Sapo u publikuan lajmet rreth të palarave të Weinsteinit, burimet e brendshme filluan me spekulimet se si do të ndikojë kjo aferë te çmimet Oskar. Kjo është mëkat, meqë sivjet me të vërtetë ka disa filma shumë të mirë. Ndër favoritët e hershëm, që tanimë kanë fituar çmime të tjera, janë "Call Me by Your Name", një film i regjisorit homoseksual italian, Luca Guadagnino; pastaj filmi "Get Out", i zhanrit horror me elemente të urrejtjes racore; si dhe filmi "Lady Bird", me skenar dhe regji nga Greta Gerwig. "Mudbound", një film nga periudha e Luftës së dytë botërore, flet për familjet bujqësore të racës së bardhë dhe të zezë në Misisipin rural, ku regjisorja e këtij filmi, Dee Rees, mund të bëhet regjisorja e parë afrikane-amerikane që nominohet për Oskar. "Wonder Woman", filmi me superhero femër, me regji nga Patty Jenkins, po ashtu ka gjasa reale. Një gjë e tillë mund të thuhet edhe për filmin "The Florida Project" të regjisorit Sean Baker, i cili flet rreth një nëne dhe bije që bëjnë një jetë të vështirë në një motel afër Orlandos, si dhe për filmin "I, Tonya", i cili në rolet kryesore sjell aktoren Margot Robbie, në rolin e Tonya Hardingut. Në ceremoninë Oskar do të ketë shumë diskutime, psh rreth asaj se a do të paraqitet aty Casey Affleck, i cili ka zgjidhur (duke paguar) dy akuza për keqtrajtim seksual, e i cili vitin e kaluar ishte fitues në kategorinë e aktorit më të mirë. Ndarja e çmimeve Oskar kurrë nuk është anuluar, vetëm shtyrë, edhe atë vetëm tri herë: në vitin 1938, për shkak të vërshimit të Los Anxhelesit; në vitin 1968, pas vrasjes së priftit Dr. Martin Luther King Jr.; dhe në vitin 1981, pas tentimit për vrasjen e presidentit Ronald Reagan. Weinstein mund të ketë vdekur për Hollivudin, por viktimat dhe të mbijetuarit e tij, janë ende gjallë. Le t'i sjellim të gjithë ata në skenë, së bashku.

(Kosova Sot)