Po të thërrasim një juri nga Hëna, do kënaqeshin këngëtarët shqiptarë? - Kulturë - Kosova Sot
Po të thërrasim një juri nga Hëna, do kënaqeshin këngëtarët shqiptarë?

Po të thërrasim një juri nga Hëna, do kënaqeshin këngëtarët shqiptarë?

Nuk është dhe aq çështje jurie festivali. Ata njëlloj do mërziteshin edhe nëse skualifikohen nga ndonjë garë vrapi, ose kuzhine, ose punimi me grep, ose lyerje muri, ose ngrënieje hamburgeri për një minutë, që bëhen zakonisht për hir të të bërit televizion.

Me pak fjalë, që janë spektakël i mirëfilltë dhe kanë për qëllim vetëm argëtimin e shikuesit. Edhe në gara të tilla, aspak të vërteta, që nuk të çojnë askund e që nuk kanë të bëjnë direkt me punën e tyre, ata o duan të jenë të parët, o hic. Imagjino pastaj në një festival, ku garojnë nga 50 këngëtarë dhe fiton vetëm një? Si nuk doli kurrë një juri që t’i kënaqte të gjithë? Po si nuk doli as një festival që të jepte 50 çmime të para? Se kur nuk kënaqen as nga “Kënga Magjike”, që në natën finale i shpërndan nja 30 çmime, ç’të thuash për të tjerët?

Fajin e ka juria dhe vetëm juria. Refreni i përhershëm që kemi 30 e kusur vjet që e dëgjojmë, që nga koha e Kozma Dushit, të cilit s’ia dhanë e s’ia dhanë një çmim të parë. Mërziten edhe nëse fitojnë çmimin e dytë e jo më pastaj kur skualifikohen, larg qoftë. Prisni lumenjtë e të sharave. Mund të jenë këngëtarë me përvojë 40-vjeçare apo çupëlina e djelmosha që s’kanë as tre vjet në skenë.

Mund të jenë artistë me 20 e kusur vjet shkollë muzike apo edhe nga ata që nuk dinë as “do re mi fa sol la si”. Mund të këndojnë nëpër skena botërore apo edhe në dasma e synetlliqe. S’ka pikë rëndësie kjo! Nëse kënga e tyre nuk qenka pëlqyer dhe nuk ka marrë atë që ata mendojnë se meriton të marrë (domethënë çmimin e parë), atëherë plasin akuzat për pazare skandale, intriga, miqësi, prapaskena…

Pasi shfrynë e shanë çdo juri të mundshme që ua hëngri hakun, producenti i “Këngës Magjike”, Ardit Gjebrea, solli për herë të parë një formulë të re votimi: këngëtarët votojnë njëri-tjetrin. Pra, i la në duar të sigurta profesionistësh, me kusht që mos të votonin për veten. Vetëm se Arditit nuk ia kishte marrë mendja se nga dashuria e madhe që kanë për njëri-tjetrin do votonin ç’të gjenin më të dobët, vetëm e vetëm mos t’i jepnin pikë kujt vërtet e meritonte. Ndaj edhe Gjebrea u gjend para ca vitesh në skenë, me fituesen e Këngës Magjike, që nuk e njihte askush e që s’e mbanim mend as se çfarë kënge kishte kënduar.

Atëherë u vendos që këngëtarët të vazhdonin të votonin njëri-tjetrin, por jo më fshehtas, pra votën e tyre do ta shihnin të gjithë. U zgjidh çështja? Joooo! Tani e kanë fajin aleancat, pazaret, miqësitë. A bëhen vërtet? Kush do çuditej nëse po?! Por ne vetëm shohim. Ata vetë e kanë në dorë t’i bëjnë ose të mos i bëjnë. Të votojnë ose jo në bazë miqësish e aleancash e nëse nuk iu pëlqen, ta bojkotojnë atë festival njëherë e përgjithmonë. Por jo. Vetëm pasi morën vesh që nuk do ishin në finale, këngëtarët e pakënaqur i nisën sot që pa kënduar gjeli i parë ankesat për skualifikimin nga Kënga Magjike, siç ka ndodhur çdo mëngjes para finales në gjithë këto vite.

Gjithmonë do dalë një i pakënaqur që nuk ia vë kurrë fajin këngës, as vetes, por përherë të tjerëve. Këta të tjerët janë thjesht i njëjti lloj, ata që u ankuan vjet e po ata që do ankohen mot. Ndoshta duhet ndryshuar dorë.

Të krijohet një juri tjetër, mor po edhe nga Hëna të vijnë, veç të gjejnë një mënyrë se si ata të fitojnë të gjithë çmimin e parë, se na plasën!

(Kosova Sot)

16 orë e 32 minuta më parë
23/07/18