Periudha osmane e paeksploruar NË IMAGJINATËN LETRARE - Kulturë - Kosova Sot
Periudha osmane e paeksploruar NË IMAGJINATËN LETRARE

Periudha osmane e paeksploruar NË IMAGJINATËN LETRARE

Përballja e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, marrëdhëniet dhe bashkëjetesa mbi 500-vjeçare, ka gjetur fare pak vend në krijimtarinë letrare shqipe në Kosovë. Edhe pse, kur është ruajtur ndonjë temë nga kjo periudhë, ajo është bërë në mënyrë propagandistike, që ka prekur shumë pak aspekte të kësaj periudhe, shumë pak e bazuar në dëshmi historike dhe informacione për periudhë të ndryshme, e më shumë mbi imagjinatën e krijuesve. Kështu kanë thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", studiuesit dhe kritikët tanë të letërsisë. Sipas tyre, periudha osmane karakterizohet me shumë zhvillime, të cilat po të trajtoheshin në mënyrë letrare, krijuesit do të sjellin shumë romane, me mjaft interes për lexuesin. Drama 'Epoka para gjyqit", e Ekrem Kryeziut, romanet mbi Lidhjen e Prizrenit, apo periudhave të tjera, si Ardian Haxhajt, apo ai për Jakup Ferrin i Rexhep Ferrit, kanë treguar se audienca kosovare i kushton një vëmendje kësaj periudhe, sidomos në ato raste kur rrëfimi kalon imagjinatën dhe bazohet në ngjarje historike mbi të cilat pastaj formësohet tregimi për ngjarjen.

Bota abstrakte

 Duke folur rreth trajtimit të periudhës osmane nga ana e letërsisë shqipe, studiuesi dhe krijuesi Avni Rudaku, në një prononcim për "Kosova Sot", theksoi se periudha e Perandorisë Osmane është pak e trajtuar në mënyrë letrare nga ana e krijuesve në Kosovë. Sipas tij, kjo periudhë është e paeksploruar në imagjinatën letrare, pasi edhe aty-këtu ndonjë shkrimtar është shërbyer me propagandë, informacione pa e njohur atë periudhë dhe shpesh ai rend perandorak, është krejt i panjohur! Rudaku ka thënë se ka shumë shkrimtarë që menduakan se u mjafton vetëm imagjinata, por jo edhe njohja e periudhave historike! Po ashtu, ka shtuar më tej ai, shkrimtarët janë fokusuar më shumë në botën e tyre abstrakte e personale dhe nuk kanë guxim të hyjnë në botën osmane! "Edhe ata që hyjnë pak me suksese, si Ben Blushi, janë të ngarkuar edhe me personazhe letrare me stereotipa! Perandoria Osmane pak njihet nga ne, përveç kur shërbehet me klishe ose patetizma rreth Skënderbeut!", ka potencuar Rudaku, duke shtuar se ka romane për Skënderbeun, për fillimet pushtuese osmane, por jo edhe më tej, me përjashtim të sojit të shkrimtarëve si Ben Blushi!

"Çdo ndikim pothuajse e kemi nga osmanët"

Ndërsa, Ilir Muharremi ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se osmanët gjatë sundimit të tyre në Kosovë kanë lënë ndikime të mëdha në kulturë, madje, siç ka thënë ai, skajshmërisht jo në favor të shqiptarëve. Në këtë aspekt mostrajtimi i zhvillimeve dhe ngjarjeve nga ana e letërsisë shqipe vjen nën ndikimin e kësaj kulture dhe nuk sheh ndonjë regres sa u përket zhvillimeve letrare, pasi, siç ka thënë ai, ata më shumë dëmtuan autoktoninë dhe kulturën e trashëguar nga shqiptarët para periudhës osmane shqiptarët kanë qenë nën sundimin osman. Ndikimet e mëdha si në kulturë dhe ekonomi ishin të mëdha, fatkeqësisht në kulturë. Çdo ndikim pothuajse e kemi nga osmanët, por nuk kanë faj osmanët, sepse ata ishin pushtues, ne kemi faj, sepse ishim servilë të tyre. E keqja çfarë lanë osmanët është kultura ", ka thënë Muharremi në një prononcim për "Kosova Sot". Në fakt, janë një sërë ngjarjesh dhe zhvillimesh të cilat kanë karakterizuar zhvillimet në hapësirat shqiptare nën Perandorinë Osmane, sidomos përplasjet në mes të osmanëve dhe shqiptarëve, të cilat edhe kanë marrë vëmendje më të madhe nga krijuesit shqiptarë edhe në Kosovës, sidomos periudha e Skënderbeut dhe ajo Lidhjes së Prizrenit dhe zhvillimeve të më pasme.

(Kosova Sot)

4 orë e 57 minuta më parë
21/04/18