Rrëfimi për heroinat klasike - Kulturë - Kosova Sot
Rrëfimi për heroinat klasike

Rrëfimi për heroinat klasike

KRITIKË E FILMIT "PITCH PERFECT 3"

Shpërthimet dhe dhuna, që shihen aty, duken se do të ishin më të përshtatshme për një film si të James Bond-it

Anna Kendrick, Rebel Wilson dhe disa të tjerë janë kthyer për pjesën e tretë dhe, me gjasë, të fundit, të kësaj franshize komike muzikore

Pjesa e tretë e kësaj franshize të suksesshme të studios "Universal", me një ngjarje që zhvillohet rreth një grupi koral të këndimit, nuk fillon ashtu sikur që do të mund të prisnit. Sekuenca fillestare sjell heroinat klasike të këtij filmi duke kënduar këngën e Britney Spearsit, "Toxic", derisa gjenden në një jaht të madh dhe, derisa rreth tyre duket se është duke u bërë kiameti i vërtetë. Shpërthimet dhe dhuna që shihen aty, duken se do të ishin më të përshtatshme për një film James Bond, sesa për një komedi. Kjo ven në pah problemet e kësaj franshize. Derisa pjesa e parë, e vitit 2012 nga të gjithë konsiderohet si një hit i madh, pjesa e dytë, e vitit 2015, kishte arritur një sukses më të madh komercial. 

Mundësia e ribashkimit 

Por, çfarëdo që mund të kenë poseduar dy pjesët e para, duket se është humbur në këtë pjesë të tretë, e cila nga shumë kritikë cilësohet si "e pashpirt". Kjo është një befasi e madhe, kur kihet parasysh që skenarin e këtij vazhdimi e ka (bashkë) shkruar Mike White, i cili edhe pse konsiderohet si i talentuar, me gjasë ka dashur pak "para të lehta", derisa pushonte midis dy arritjeve të tij të mëdha, të filmit të Bradit, "Status" dhe të Miguel Arteta-s, "Beatriz at Dinner". Meqë një kritikë e filmit kërkon doemos rrëfimin e ngjarjes së atij filmi, ja ku e keni atë: "The Bellas" tani kanë kryer fakultetin dhe kjo nuk mund të shtyhej më, duke pasur parasysh se Anna Kendrick ka 32 vjet, Rebel Wilson 37, Brittany Snow 31 dhe Anna Camp ka 35 vjet. Ato mundohen që të përshtaten dhe të arrijnë sukses në jetën reale, ku Beca (Kendrick) e cila nuk është e lumtur me punën që bën në një kompani muzikore dhe Fat Amy (Wilson), performon shoun e saj solo, "Fat Amy Winehouse". Për këtë shkak, mund ta imagjinoni lehtësimin që ndjejnë ato kur iu ofrohet mundësia që të ribashkohen dhe të performojnë si pjesë e një turneu jashtë shtetit.

Flirtet romantike

Kësaj here, "Bellas" nuk janë duke konkurruar me grupet e tjera të këndimit, por kundër bendit të rokut, të përbërë vetëm nga femrat, që mban një emër provokues "Evermoist" (këngëtarja e këtij bendi luhet nga aktorja dhe modelja australiane Ruby Rose), kundër një bendi "country-western" dhe një dueti hip-hop. Që të gjithë shtyhen për ta marrë nderin e performimit të aktit hyrës të turneut të ardhshëm të DJ Khaled (ku ai e luan rolin e vetvetes). Midis numrave muzikore dhe flirteve romantike, "Bellas" po ashtu janë të detyruara që të merren edhe me babanë problematik të Fat Amy-s (John Lithgow), i cili, për motive të tjera, dëshiron që përsëri të ribashkohet me vajzën e tij. Ai në fund rrëmben pjesën më të madhe të vajzave, për t'i përdorë ato si karrem ndaj Fat Amy, e cila detyrohet që të shkojë për t'i shpëtuar ato, bashkë me Beca-n. Elementet familjare të serisë janë edhe këtu të pranishme, duke përfshirë edhe komentet argëtuese të duetit John Michael Higgins dhe Elizabeth Banks. Sikur edhe rëndom, janë numrat e këndimit dhe vallëzimit ata që ofrojnë momentet më të mira të filmit. Thënë të vërtetën, ato janë shumë mirë të performuara dhe kanë një koreografi të mrekullueshme, falë punës profesionale të regjisorit Trish Sie. Por, ajo që fillon si një komedi e këndshme, më pas degjeneron në një lloj të komercializmit të pavlerë, i cili me gjasë nuk iu pëlqen as vetë heroinave "Bellas". Rolet në këtë film i luajnë Anna Kendrick, Rebel Wilson, Hailee Steinfeld, Brittany Snow, Anna Camp, Hana Mae Lee, Ester Dean, Alexis Knapp, Chrissie Fit, Kelley Jakle, Shelley Regner, Elizabeth Banks, John Michael Higgins, John Lithgow, DJ Khaled, Ruby Rose; regjinë e ka bërë Trish Sie; derisa skenarin e kanë shkruar Kay Cannon dhe Mike White.

(Kosova Sot) 

20 orë e 10 minuta më parë
23/07/18