Këngëtari që mposhti veteranët e muzikës së lehtë shqiptare - Kulturë - Kosova Sot
Këngëtari që mposhti veteranët e muzikës së lehtë shqiptare

Këngëtari që mposhti veteranët e muzikës së lehtë shqiptare

EUGENT BUSHPEPA DO TË PËRFAQËSOJË SHQIPËRINË NË "EUROVIZION 2018"

Dyshime se kjo këngë mund të ketë sukses në Portugali

"Evrovizioni është më ritmik, më pak i fituar me lloje baladash e romancash! Nuk e di pse nuk punohet në drejtime të analizës së këngëve fituese dhe për të shkuar e për të aplikuar me stile të caktuara kompozimesh, tekstesh, melodish e ritmesh", ka potencuar Rudaku për "Kosova Sot"
Këngëtari Eugent Bushpepa do të përfaqësojë Shqipërinë në edicioni e Sivjetmë të Evrovizionit. Bushpepa fitoi vendin e parë në Edicioni e 56-të të Festivalit të Këngës në RTSH, duke mundur rivalë mjaft të dëshmuar dhe me përvojë në këtë festival. Kënga fituese "Mall" është një krijim i Bushpepës që nga teksti deri tek këndimi, e cila në natën finale mori vlerësime nga të gjithë, që nga kritika deri tek publiku. Megjithatë, pavarësisht vlerësimeve që kishte marrë në natën finale dhe më pas, kënga dhe interpretimi i Bushpepës, ka marrë vlerësime të ndryshme nga kritikë dhe muzikantë kosovarë. Nuk kanë munguar vlerësime pozitive dhe skepticizmi lidhur me përfaqësimin në Evrovizion, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Portugali.

'Mall', mirë dhe keq

Këngëtar Visar Peja, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ka parë një këngë dhe interpretim të mirë nga Bushpepa, duke uruar që suksesin në RTSH fest 56, ta përsërisë edhe në edicionin sivjetmë të Evrovizionit. "Kënga fituese mua personalisht më ka pëlqyer, edhe pse nuk është me rëndësi të cek se cila më ka pëlqyer më shumë, por shpresoj që do të jetë një këngë e pëlqyeshme edhe në Eurovision!", ka potencuar Peja. Edhe Ilir Muharremi, kritik, në një prononcim për "Kosova Sot", tha se Bushpepa është një këngëtar i mirë, duke dhënë vërejtje tek kompozimi. Sipas tij, kompozimi nuk është shumë i thellë, dhe mungon, siç ka thënë ai, pjesa kulminante, është shumë këngë sipërfaqësore, që nuk ndikon thellë te shikuesi dhe nuk ka veçanti. "Ka këngë shumë me ritëm të ngadalshëm, por kanë thellësi, ndërsa kjo është një miks mes atyre të ngadalshmeve dhe ritmikeve. Nuk është as andej, e as këndej. Këngëtari është viktimë e kompozimit. Nuk i kuptohet as diksioni rrjedhshëm, kjo është një vërejtje serioze. Loz me ngjyra të zërit, sidomos kur këndon lart", ka thënë Muharremi, aktualisht profesor në Universitetin Publik "Hasan Prishtina" në Prishtinë.

Kënga nuk është për Evrovizion

Kurse studiuesi Avni Rudaku, ka thënë për "Kosova Sot", se kënga "Mall" nuk i përshtatet këngëve të fituara deri më tash në Evrovizion! Sipas tij, kënga duket e ngadalshme, lloj recitali i papëlqyer nga të rinjtë e sotëm! Pasi, siç ka thënë ai, nuk ka ritëm për të fituar, nuk ka ndonjë veçanti për të rrëmbyer çmimin dhe zemrat e publikut! "Evrovizioni është më ritmik, më pak i fituar me lloje baladash e romancash! Nuk e di pse nuk punohet në drejtime të analizës së këngëve fituese dhe për të shkuar e për të aplikuar me stile të caktuara kompozimesh, tekstesh, melodish e ritmesh", ka potencuar Rudaku, për "Kosova Sot". n Edicioni i 56-të i Këngës në RTSH është mbajtur më 21, 22 dhe 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Eugent Bushpepa me këngën "Mall", një krijim muzikor dhe poezi nga vetë fituesi rrëmbeu trofeun e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH pas një mbrëmjeje spektakolare dhe në një konkurrencë të fortë Në vend të dytë në Fest '56 u rendit Redon Makashi me këngën "Ekziston", ndërsa në vendin e tretë Inis Neziri me këngën "Piedestal". Isa Vatovci.

(Kosova Sot) 

6 orë e 35 minuta më parë
15/10/18