Filmat kosovarë, "libra" të harruar - Kulturë - Kosova Sot
Filmat kosovarė, "libra" tė harruar

Filmat kosovarė, "libra" tė harruar

DILEMAT RRETH SHIKUESHMËRISË SË FILMAVE TË PRODHUAR NGA KINEMATOGRAFIA VENDORE

Pavarësisht rritjes së produksionit kinematografikë në vend, që nga pas lufta, audienca kosovare vazhdon të jetë mjaft larg këtij produksioni. Me pak përjashtime filmat e prodhuar nga produksionet vendore, sidomos ato pas luftës, fare janë parë nga një numër i vogël i audiencës. Arsyet janë të shumta, por ekspertë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend, kanë thënë për "Kosova Sot", se defektet më të mëdha janë te mënyra e distribuimit të këtij filmi. Përderisa kanë thënë se duhet të gjenden mënyrat që filmat kosovarë të mos mbesin pa i parë nga kosovarët. Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se filmat që po realizohen me subvencione nga paraja e shtetit duhet patjetër të jenë afër publikut, ndonëse ky publik e ndihmon realizimin e tyre. 

Suksesin e një filmi e përcakton shikueshmëria

Sipas Musliut, këta filma dalin vetëm nëpër kronika televizive ose portale, me lajmin se u shpërblye me këtë çmim dhe asgjë më tepër. "Menaxhmenti i QKK-së mjaftohet me kaq duke dashur që me këtë të arsyetojnë mjetet që ua ndanë MKRS-ja. Unë mendoj se nuk duhet kënaqur me kaq, duhet marrëveshje me televizione nacionale, sidomos me RTK-në, ku këta filma do të arrinin te secili shikues në Kosovë, Diasporë dhe hapësira ndërshqiptare", ka thënë ai, duke shtuar se filmi është medium dhe kur atij i mungon ekrani për ta shfaqur bëhet libër i harruar. Fundja, sipas tij, ai bëhet për publik, suksesin e një filmi e përcakton shikueshmëria e jo vetëm tre ose katër anëtarë jurie. "Sepse, në botë ka shumë festivale filmi, disa nuk kanë edhe kushedi se çfarë tradite e kriteri. Kinematografinë duhet ta zhvillojmë paralelisht me publikun, i cili mendoj se ka dëshirë të shikojë filma, sepse janë ngopur me afera politike, të cilat janë të dëmshme dhe e rëndojnë përditshmërinë tonë. Televizionet tona duhet ta ngrisin nivelin kulturor dhe pasurojnë programin e tyre me kulturë dhe ta depolitizojnë veten", ka thënë Musliu. 

"Sundojnë" seritë orientale e amerikane-latine

Ndërsa krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kinematografia është aset kombëtar me rëndësi strategjike në politikat kombëtare, andaj duhet politikë e strukturuar dhe e qartë për të. Sipas tij, filmi është instrumenti kryesor për njohjen e vetes, dhe shfaqjen e potencës krijuese të një vendi. "Te ne, fatkeqësisht, kemi perceptim fatkeq që lidh mbështetjen për artin, kulturën e letërsinë. Kinematografia kosovare ka filma dhe aktorë të mirë, por prodhimi kinematografik është shumë i vogël, me shumë pak filma të bërë brenda vitit, dhe kështu filmi kosovar, fatkeqësisht, nuk është e s'po arrin të jetë pjesë e jetës sonë", ka thënë ai, duke shtuar se përmes kinematografisë, zhvillohet shoqëria duke i trajtuar temat aktuale, duke dhënë mesazhe me rëndësi sociale. Mirëpo, ka shtuar më tej ai, për këtë krijuesit e rinj dhe ambiciozë duhet ta kenë hapësirën e veçantë, për t'i shprehur idetë e tyre, e që aktualisht s'e kanë! "Fatmirësisht, sot, në Kosovë kemi medie të zhvilluara, mirëpo hapësira që u ofrohet artistëve, veç- mas kineastëve s'është e mjaftueshme, kjo edhe shkaku i mungesës së administrimit të arteve. Në (disa) televizionet tona, ende "sundojnë" seritë orientale e amerikane-latine, pa kurrfarë vlere për shoqërinë tonë; por që mjerisht nga një pjesë e popullit pranohen", ka potencuar ai. 

Filmat pak gjejnë hapësirë në TV-të tona

Në fakt, në dhjetor të këtij viti Qendra Kinematografike dhe GjirafaVideo.com kishin arritur një memorandum bashkëpunimi për shfaqjen online të filmave të subvencionuar nga shteti. Një vendim që atëkohë ishte parë si një veprim i duhur. Por, që kjo nuk mjafton për njohësit e zhvillimeve kulturore. Dan Ibrahimi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se distribuimi i filmit të prodhuar në vend, do të duhet të bëhej në atë mënyrë që të krijohen mundësi që ai të shihet nga audienca e gjerë dhe ,siç ka thënë ai, në një mënyrë me të lehtë për qytetarët. Sipas tij, është mëkat që këta filma pak apo fare gjejnë hapësirë në TV-të shqiptare. "Pavarësisht dëshirës, unë ende nuk kam mundur t' i shohë filma tanë që tashmë kanë çmime apo edhe janë vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Do të kisha dëshirë t i shihja. Mendoj se këtë do ta donte edhe opinioni", ka thënë Ibrahimi, duke pohuar se do të ishte mirë që mënyra e distribuimin dhe shfaqjes së filave të prodhimit kosovar të ishte më e lehtë për publikun. 

(Kosova Sot)

1 orë e 26 minuta më parë
18/02/18