Penat e shquara mbajnë ORË PËR SKËNDERBEUN - Kulturë - Kosova Sot
Penat e shquara mbajnė ORĖ PĖR SKĖNDERBEUN

Penat e shquara mbajnė ORĖ PĖR SKĖNDERBEUN

KRIJUESIT SHQIPTARË KUJTOJNË GJERGJ KASTRIOTIN PËRMES LEXIMIT TË 60 POEZIVE 

Dhjetëra poetë kanë lexuar poezitë e tyre për heroin e kombit, Gjergj KastriotinSkënderbeun, në aktivitetin letrar "Ora e Gjergjit", që u mbajt dje (e hënë, 15 janar 2018) në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës "Pjetur Bogdani". Ky aktivitet u organizua nga Bashkimi i Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë, në patronazhin e kryeministrit të Kosovës. Me këtë aktivitet, në të cilën, përveç krijuesve të njerëzve të artit, politikanëve, mori pjesë edhe vetë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Kjo orë letrare shënon edhe aktivitetin e parë në kryeqytet, që mbahet në kuadër të Vitit të Skënderbeut, dhe që pritet të pasohet nga aktivitete të tjera. Për organizatorët aktiviteti i sotëm nuk do të jetë i vetmi i kësaj shoqate për heroin. Të ngjashme do të mbahen edhe në mjedise të tjera shqiptare, duke veçuar edhe rëndësinë që ky jubile në Kosovë po niset me krijuesit. Ndërsa kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka çmuar lart figurën e heroit dhe kontributin krijuesve, të cilët edhe e madhështojnë atë.

Aktivitete të ndryshme

Reshat Sahitaj, kryetar i BSHSHSH-së, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se rëndësia e "Orës së Gjergjit" është se për herë të parë një vit jubilar për një ngjarje të madhe kombëtare hapet me krijues e jo me programime të ndryshme pa vlera artistike. "Ne jemi mësuar gjithnjë të shohim shënime të përvjetorëve të ndryshëm me muzikë tallava e me lakuriqësinë e ndonjë këngëtareje, jemi mësuar të shohim shënimin e ngjarjeve të ndryshme me daulle e folklorizma të llojeve të ndryshme primitive, por kurrë nuk jemi mësuar të shohim shënimin e një ngjarje me përmasa kombëtare, të përbërë nga penat e shquara", ka potencuar ai, duke shtuar se krijuesit janë luftëtarët e parë të lirisë nga penat e të cilëve u ngrit vetëdija kombëtare, ku ende i kemi të freskëta këngët tona folklorike që u përcollën brez pas brezi."Gjatë shekujve e dekadave nën sundim ka ekzistuar guximi i penës intelektuale për t'iu kundërvënë sistemeve okupuese, e veçmas zëri i tyre u dallua gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare. Intelektualët e paktë të asaj kohe ngritën zërin për t'i artikuluar interesat kombëtare përmes penës së tyre kundër sulltanit që fusnin frikë e tmerr tërë Evropës, kundër pashallarëve të ardhur e vendorë që pasuroheshin në kurriz të popullit tonë të varfër, duke e sakrifikuar jetën e tyre, si Papa Kristo Negovani e shumë të tjerë", ka pohuar ai.

Një aktivitet i ngjashëm do të mbahet edhe jashtë Kosovës

Ndërsa ,Fatmir Halimi, nga kryesia e BSHSHSH-së, duke folur për Orën, ka thënë se interesimin për të qenë pjesë e këtij aktiviteti ka qenë shumë i madh, por që janë përzgjedhur më të mirat prej tyre, 60 poezi. Ai ka treguar se një aktivitet i ngjashëm do të mbahet edhe jashtë Kosovës, pasi shoqata ka shtrirje edhe në Maqedoni, Shqipëri etj. "Orë letrare për heroin pritet të mbahet gjatë këtij viti edhe në Maqedoni dhe Shqipëri, ndërsa kjo e sotmja ishte simbolike, pasi sot 15 janari është data kur edhe ka vdekur Skënderbeu, 550 vjet më parë", ka pohuar Halimi, duke shtuar se në këtë aktivitet afërsisht 60 poetë kanë lexuar poezitë e tyre për heroin. Kurse shkrimtari Dan Ibrahimi, që lexoi poezi për heroin, në një prononcim për 'Kosova Sot", ka thënë se meqë etnia shqiptare është ngritur dhe formësuar mbi bazën e luftës së vazhdueshme të Skënderbeut në atë kohë për çlirim, ne që këtë figurë e konsiderojmë si heroin tonë kombëtare kemi arsyet dhe kemi nevojën që ta përkujtojmë në vazhdimësi, pasi duke e përkujtuar Skënderbeun si figurë themelore të kombit shqiptar, ne në fakt i bëjmë nder vetvetes. Ai ka shtuar se dihet që ishte një figurë që tentojnë dhe kanë tentuar të na e marrin të tjerët, pikërisht për madhështinë e tij. Ibrahimi ka thënë se priten aktivitete të shumta për heroin. Përveç kryeministrit, që përshëndeti me një fjalë rasti, aktivitetin e kanë nderuar edhe këngëtarja Shkurte Fejza, aktorë dhe personalitete të tjera të njohura.

(Kosova Sot)

22 orë e 49 minuta më parë
22/02/18