Ishte tmerrësisht në depresion, Dolores O'Riordan ndërroi jetë në një dhomë hoteli - Kulturë - Kosova Sot
Ishte tmerrësisht në depresion, Dolores O

Ishte tmerrësisht në depresion, Dolores O'Riordan ndërroi jetë në një dhomë hoteli

VDEKJA E KËNGËTARES SË GRUPIT "CRANBERRIES", FLASIN MIQTË E SAJ

Kishte telashe me shëndetin mendor

Ajo ishte diagnostikuar me çrregullimin bipolar në vitin 2015 dhe po ashtu ka folur se ka telashe dhe çrregullime në ushqim, me alkoolin dhe me jetën e saj derisa ishte abuzuar kur ishte vajzë e vogël
Këngëtarja e "Cranberries", Dolores O'Riordan, ishte 'tmerrësisht në depresion' para vdekjes së saj të papritur në një hotel në moshën 46 vjeçe, kanë deklaruar miqtë e këngëtares. Ylli i rokut nga Irlanda ishte gjetur në një dhomë te "Hilton London" në "Park Lane", në ora 9.05, në mëngjesin e së hënës, derisa "Metropolitan Police" ka thënë se vdekja po trajtohet si e 'dyshimtë'. Publicisti i saj nuk ka komentuar mënyrën se si ka vdekur, por ka thënë se kjo vdekje ishte e papritur dhe se familja e saj në Irlandë janë të 'shkatërruar'. Gjatë vitit të kaluar, këngëtarja 46 vjeçe ka bërë të ditur se si ajo po lufton me depresionin dhe me telashet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor në shumicën e karrierës së saj, që ka kulmuar me një tentim për t'ia marrë jetën vetes në vitin 2013. Ajo ishte diagnostikuar me çrregullimin bipolar në vitin 2015 dhe po ashtu ka folur se ka telashe dhe çrregullime në ushqim, me alkoolin dhe me jetën e saj derisa ishte abuzuar kur ishte vajzë e vogël.

Kishte një talent të jashtëzakonshëm

Miqtë e këngëtares kanë thënë se ajo ishte 'tmerrësisht në depresion' në javët para se të ndërronte jetë, sipas "TMZ", dhe po ashtu ajo kishte dhimbje të forta në shpinë derisa ishte dashur t'i anulonte disa nga paraqitjet gjatë vitit të kaluar. Në një adresim në rrjetin shoqëror, një pjesëtar i grupit kishte shkruar: Ne jemi të tronditur për vdekjen e Dolores. Ajo kishte një talent të jashtëzakonshëm dhe ndihemi të nderuar që ishim pjesë e jetës së saj që nga viti 1989, kur kemi filluar me "Cranberries". 'Bota sot ka humbur një artiste të vërtetë. Zonja O'Riordan kishte tre fëmijë me ish-burrin Don Burton, ishmenaxher i koncerteve për "Duran Duran", me të cilin ishte e martuar për 21 vjet. Djali i tyre Taylor, 20, dhe vajzat Molly, 16, dhe Dakota, 12, jetojnë me babin e tyre në Kanada. Një deklaratë e publicistit të saj thotë: 'Këngëtarja ndërkombëtare dhe irlandeze Dolores O'Riordan ka ndërruar jetë papritmas sot në Londër. Ajo ishte 46 vjeçe. 

Rasti po konsiderohet si i dyshimtë

Këngëtarja e grupit irlandez "Cranberries" ishte në Londër për një sesion të shkurtë incizimi. Detaje tjera nuk jepen për këtë kohë. Anëtarët e familjes janë të tronditur me lajmin dhe kanë kërkuar të kenë më shumë privatësi në këto momente tragjedie për ta'. O'Riordan, që kishte lindur në Limerik, së fundmi ka postuar një foto me macen e saj më 4 janar me mbishkrimin: 'Bye bye Gio. Po shkojmë nga Irlanda'. Zëdhënësi nga policia ka thënë: 'Policia në Uestminster janë duke u marrë me vdekjen e papritur. Zyrtarët janë lajmëruar në ora 9.05 të mëngjesit të hënën, për në hotelin në "Park Lane". Një femër në të dyzetat ishte shpallur e vdekur në vendin e ngjarjes. Në këtë kohë të hershme të vdekjes, rasti po konsiderohet si i dyshimtë'. Grupi i saj së fundmi kishte performuar në Amerikën Jugore, e ajo kishte postuar foto të adhuruesve në Lima, Peru në muajin dhjetor. Thuhet se ajo do të dërgohet për t'u varrosur në vendlindje. Prifti James Walton ka thënë: 'Unë e kam kuptuar këtë pasdite. Familja e saj është shumë e shqetësuar dhe e mërzitur. Vdekja e saj e papritur ishte një shok i madh. Unë e kam takuar Dolores-in dy apo tre herë kur ishte në vendlindje për ta vizituar familjen e saj. Ishte një zonjë e dashur'. Planet janë që ajo të varroset në vendlindjen e saj, por gjithçka varet se kur trupi i saj do të lirohet nga spitali. Një zëdhënës nga "London Hilton", te "Park Lane", ka thënë: 'Me keqardhjen me të thellë mund ta konfirmojmë se një mysafir yni ka vdekur në dhomën e hotelit në 15 janarin e të hënës. Ne ofrojmë ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së saj në këto kohë të vështira. Ne kemi lajmëruar policinë dhe jemi duke bashkëpunuar ngushtë me ta për hetimin e ngjarjes'. Ajo vuante nga çrregullimi bipolar, derisa në një intervistë për 'Metro' kishte thënë: 'Janë dy cepe të sektrumit - mund të prekesh nga depresioni ekstrem dhe errësira dhe të humbni interesimin në gjërat që i doni, më pas shndërroheni në super maniak. Kur jeni në një gjendje si kjo, nuk flini dhe bëheni shumë paranoid. Kështu që jam duke u marrë me këtë gjendje". Grupi "Cranberries" ka lansuar një album në fillim të vitit 2017, por koncertet në Amerikë dhe në Evropë ishin anuluar si pasojë e telasheve shëndetësore që e kishin goditur këngëtaren O'Riordan. 

(Kosova Sot) 

8 orë e 54 minuta më parë
14/11/18