RRËFIMI PËR HEROINËN AUTISTE - Kulturë - Kosova Sot
RRËFIMI PËR HEROINËN AUTISTE

RRËFIMI PËR HEROINËN AUTISTE

KRITIKË E FILMIT "PLEASE STAND BY"

Përkundër një fillimi të zhurmshëm, ky film disi me turp shkon aty ku shumë filma të tjerë të pavarur kanë qenë tanimë 

"A e dini se sa vështirë është të shkruani diçka? Tërë ai i menduar, ai planifikim, rishkrim... meqë rrëfimi që doni ta tregoni, ka shumë rëndësi për ju". Po të donim ta akuzonim filmin e Ben Lewin'it, "Please Stand By" për një dinakëri të cilën ai nuk e manifeston, atëherë mund të na kujtohej ky fjalim, i mbajtur nga heroina autiste e filmit. Përkundër të gjithave, nuk mund të mohohet se motivimet e këtij filmi ishin me të vërtetë të larta. Më parë, qëllimet e ngjashme, të mira, si dhe një aktrim solid, hapnin rrugën për festivalin "Sundance", sikur që kishte ndodhur me filmin e kaluar (fitues të shpërblimeve), shumë më të mirë, të regjisorit Lewin, "The Sessions". Filmi "Please Stand By" ka debutuar në disa kinema dhe është në dispozicion që të shikohet sipas kërkesës (VOD), në "Amazon" dhe "iTunes". Disa vite më parë, me gjasë në të njëjtën kohë kur edhe zhvillohet ngjarja në filmin "Please Stand By", ky film do të ishte i preferuari i festivalit të filmit "Sundance".

WENDY ËSHTË ADHURUESE E MADHE E FILMIT "STAR TREK"

Dakota Fanning luan rolin e Wendy-t, një gruaje të re me një çrregullim të spektrit të autizmit, e cila jeton në një qendër spitalore në San Francisko, ku për të përkujdeset me zell psikologu Scottie (Toni Collette). Qëllimi i psikologut është që t'i ndihmojë Wendy-t që ta mbajë kontaktin me sy me të tjerët më gjatë se tre sekonda. E, në anën tjetër, Wendy është adhuruese e madhe e filmit "Star Trek". Dhe, qyshkur "Paramount Pictures" ka lansuar një garë të tillë për skenarë filmikë për "Star Trek", Wendy ka shkruar një skenar prej 450 faqeve, ku pjesë të këtij skenari herë pas here i dëgjojmë edhe ne. Në fakt, ai duket skenar tepër i mirë. Wendy është e bindur se, nëse fiton, ajo do t'ia dalë ta shpëtojë shtëpinë e fëmijërisë së saj nga shitja, ku më pas do të kthehej, bashkë me motrën e saj Audrey (Alice Eve), e cila para pak kohe kishte lindur një fëmijë. Por, Wendy-t i ik afati i dërgimit të skriptit me postë, prandaj dëshiron ta dorëzojë vetë atë, me dorë. Ky veprim i thjeshtë duket mision i pamundur për një femër të re, me çrregullim zhvillimor dhe me vështirësi në komunikim. Përkundër të gjitha këtyre rreziqeve, ajo ia del që të ikë dhe të niset për udhë, bashkë me qenin e saj të vogël, Pete. Këtu mund të themi se filmi dështon që ta paraqes këtë aventurë ashtu sikur që meriton të paraqitet. Për këtë shkak, kjo dramë në disa momente merr edhe tipare të një komedie, gjë që në anglisht quhet 'dramedy', pra kombinim i dramës dhe komedisë.  

PRANON TË UDHËTOJË ME NJERËZ TË PANJOHUR

Ajo është një femër naive, pa para, që fle jashtë stacioneve të autobusëve dhe që pranon të udhëtojë me njerëz të panjohur. Thënë shkurt, filmi dështon që të sjellë ndonjë aktrim kulmor edhe pse ka një staf i cili do të mund të bënte shumë më shumë sesa që sjell ky film. Takimi i Wendy't me një plakë të këndshme afrikane-amerikane (të mrekullueshmen Marla Gibbs) apo vëmendja që asaj ia kushton kolegu (Tony Revolori nga filmi "The Grand Budapest Hotel") janë raporte të cilat nuk zhvillohen kurrë. Nëse jeni në kërkim të një filmi 'të së kaluarës', me aktrim atraktiv dhe pa ngarkesë të madhe me ngjarje, atëherë bëni mirë që ta shikoni këtë film. Por, nëse jeni në kërkim të zhvillimeve të vërteta dhe nëse prisni ndonjë pikëpamje origjinale ndaj autizmit, apo ta gjeni një potencial terapeutik të filozofisë së filmit "Star Trek", atëherë ju duhet që të kërkoni gjetiu.

(Kosova Sot)

15 orë e 58 minuta më parë
21/08/18