Shkurte Fejza, mbretëreshë e këngës shqipe

  • 03 February 2018 - 13:01
Shkurte Fejza, mbretëreshë e këngës shqipe

KËNGËTARJA E FAMSHME U RADHIT NË TABORIN E POPULLIT

"Kam një lot m'pikon si ar" Shkurte Fejzën do ta lansojë në piedestalin më të lartë të muzikës popullore

SHKRUAN: BEHARE REXHEPI 

Shkurte Fejza është një emër që me respekt të thellë përmendet në shtëpitë e çdo shqiptari, kudo që ata jetojnë. Shkurte Fejza është një figurë e pakontestueshme, e cila me zërin e saj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjitha shtresat e popullit, si në elitën politike, intelektuale e deri të shtresat më të varfra, e cila më këngën e saj ka ngrohur zemrat e ngrira shqiptare nga reprezialët e pushtuesit. Kënga e saj me motive patriotike shpërndante shpresë, guxim dhe vetëdijen kombëtare, në një kohë kur disa këngëtare të tjera bënin dashuri me zyrtarë të lartë të sistemit okupues, e që ende sot marrin pensione nga Beogradi, për kontributin e tyre në shtretër të dashurisë për kultivimin dhe zhvillimin e bashkim-vëllazërimit. Shkurte Fejza që në fëmijëri kishte thithur ajrin e bjeshkëve të Sharrit. E edukuar në frymën kombëtare ka ecur duke i kërkuar gjurmët e trimave e trimëreshave, të cilët pas çdo lisi e shkëmbi i kishin lënë gjatë luftërave të tyre kundër çdo pushtuesi si: Hasan Hysen Budakova, Sylejman Vokshi, Sefë Kosharja… 

EMRI I SHKURTE FEJZËS U BË SINONIM I LIRISË

Që në fëmijërinë e hershme, Shkurte Fejza dallohej nga moshatarët e saj, si për nga sjelljet edhe për nga lojërat. Shkurte Fejza jetonte e mbështjellë në botën magjike të këngës, pa e ditur se një ditë zëri dhe emri i saj do të shndërrohen në ikonë kombëtare, pa të cilën historia e muzikës sonë do të ishte e varfër. Mbi dërrasa të skenës së Shtëpisë së Kulturës në vendlindje ende fëmijë Shkurte Fejza për herë të parë në moshën 9-vjeçare doli të paraqitej para publikut, e cila mori duartrokitje frenetike, të paimagjinueshme, nga një fëmijë. Duartrokitjet dhe kërkesat e publikut duke brohoritur: "Edhe një!", vogëlushes së asaj kohe ia shtuan kurajën dhe dëshirën ndaj këngës dhe fjalës së shkruar artistike. Mbi këto dërrasa lindi një yll i muzikës sonë, që më shpejtësi të rrufeshme emri i këngëtares së re, që po buronte rrëzë e bjeshkëve të Sharrit, po kalonte fshatra e qytete për të arritur në Prishtinë, Tiranë, Ulqin, Preshevë, Nju Jork, Bruksel… Më zërin e saj, Shkurte Fejza do të ndezte shpirtrat e fjetur shqiptarë, e në ta do të zgjonte vetëdijen kombëtare në zemrat e rinisë dhe pleqërisë kosovare, duke ua rikujtuar secilit shqiptar se ky vend, kjo tokë e ky atdhe dikur kishte burra e gra, që heroikisht luftuan dhe ranë në altarin e lirisë. Emri i Shkurte Fejzës u bë sinonim i lirisë dhe kudo në rrethet e ndryshme si fshatarë dhe intelektualë këngët e saj ishin ushqim shpirtëror, që i jepnin shpresa popullit se Kosova ishte djepi i trimërisë dhe djepi i shqiptarisë. Më 1975, i pari që filloi të fliste më admirim në rrethe intelektuale për guximin dhe këngëtaren e re, Shkurte Fejza, ishin regjisori Sefo Beta Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Teki Dervishi, Beqir Musliu e shumë të tjerë. Në po ketë vit në "Takimet e Majit", që organizoheshin në Prizren nën përkujdesjen e Dashnor Xërxës dhe jurinë e përbërë nga profesionistët: D.X.S.B.K. R.S , Shkurte Fejza shpërblehet me çmimin "Debutantja e suksesshme". Paraqitja e Shkurte Fejzës në "Takimet e Majit" dhe shpërblimi i saj, ndikoi që Jusuf Gërvalla të shkruajë një shkrim për yllin e ri të muzikës popullore, të cilën kurrë më nuk do të kishte force e as pengesë që t'ia ndalonte këngën dhe sukseset. Tanimë Shkurte Fejza e kishte krijuar dhe forcuar emrin e një ylli, pa të cilën nuk mund të imagjinoheshin koncertet që gjatë pjesës se fundit të viteve të '70- ta, organizoheshin në të gjitha qytetet e Kosovës dhe hallat sportive. Gjatë një paraqitje të Shkurte Fejzës para publikut, në një qytet të Kosovës duartrokitjet e publikut nuk kishin të ndalur aq sa të rinjtë hiqnin këmishët dhe thyenin fotografinë e Titos, duke i përsëritur vargjet e këngës së Shkurte Fejzës. Emri i Shkurte Fejzës do të ngrihej edhe më lart, kur ajo u ftua të këndonte këngën për "Mic Sokoli" në Festivalin e famshëm në Gjirokastër. Festivali i Gjirokastrës përcillej me interesim të veçantë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në tërë diasporën, sepse ishte ndër festivalet më prestigjioze që organizohej në trojet shqiptare. Me paraqitjen e saj, Shkurte Fejza la mbresa të pashlyeshme si tek profesionistët e muzikës shqiptare, edhe të publiku i thjeshtë atdhedashës. Nga ajo ditë, çdo shqiptar kudo që ishte vetën e konsideronte Mic Sokol dhe krejt shqiptarët në zemrat e tyre u shndërruan në Mic Sokola.  

POROSIA NGA UKSHIN HOTI

Viti 1981, vit i zgjimit kombëtar, vit i dridhjeve të themeleve të ish-Jugosllavisë, vit i shtimit të presioneve dhe torturave kudo në Kosovë, vit i vrasjeve dhe i burgosjeve, vit i censurës mbi tërë krijimtarinë artistike shqiptare, vit i ndalimit të këngës dhe zërit të këngëtares Shkurte Fejza, e cila më këngën e saj po e frymëzonte një popull të tërë të zgjohet për të kërkuar të drejtat që i takojnë. Tri vjet rresht Shkurte Fejzës do t'ia ndalojnë këngën në çdo radio dhe televizion të asaj kohe si dhe paraqitjen para publikut. Krahas reprezialeve që Serbia ia bënte popullit tonë, i shtoheshin reprezialët edhe Shkurte Fejzës dhe këngës së saj, që shqiptarët i dëgjonin tinëzisht të ngujuar në shtëpitë e veta. Ta dëgjoje Shkurte Fejzën dënimet ishin të rënda, njëlloj sikur të shkruaje "Kosova Republikë!". Pas një pushimi të gjatë disavjeçar, Shkurte Fejza do të riaktivizohet pa marrë parasysh konsekuencat që do pësonte nga forcat policore okupuese. Gjersa po i hezitonte një kërkese për të kënduar në një dasmë shqiptare në Maqedoni, i vjen një porosi nga Ukshin Hoti. Porosia e Ukshin Hotit ishte me këtë përmbajtje:"Kënga e jote duhet të dëgjohet në Zajazin e Myfailit të Vogël". Vera e 1986. Kënga dhe zëri i Shkurte Fejzës do të jehonte kudo në pjesët e Maqedonisë të banuar me shqiptarë. Jehona e zërit të Shkurte Fejzës po kalonte male e fusha, qytete fshatra, duke buçitur për larinë, pikërisht ashtu siç e kishte porositur Ukshin Hoti. Në çdo dasmë që këndonte Shkurte festa atom nuk ishin dasma private, por dasma masive qytetare sepse aty vinin të ftuar e të paftuar vetëm e vetëm ta dëgjonin Shkurte Fejzën që me zërin e saj u jepte shpresë, vullnet, guxim dhe inspirim…. Mirëpo, për syrin e sistemit okupues, dasmat private që shndërroheshin në dasma masive qytetare,ishte diçka e patolerueshme për sistemin e asaj kohe. Frymëzimi i masës përmes këngëve të Shkurte Fejzës, regjimi i asaj kohe e konsideronte si frymëzim për revolta masive kundër shtetit. Andaj, sistemi mori masa drastike në shtatorin e po këtij viti kundër Shkurte Fejzës, rreth së cilës grumbulloheshin mijëra e mijëra qytetarë të atyre anëve, të ngazëlluar për të dëgjuar këngëtaren, e cila shpërndante rrezet e para të lirisë. Më këtë rast, do të dënohet më dy muaj burg Shkurte Fejza, bashkëshorti Hajrushi dhe gjashtë anëtarë të grupit. Dënimet do t'i mbajnë në një burg në Kosovë. Më vonë Shkurte Fejzën sistemi i asaj kohe do ta përjashtojnë nga procesi edukativo-arsimor, me pretekstin si e pa përshtatshme për shtetin dhe popullin dhe për edukimin e brezit të ri. 

VITET E NËNTËDHJETA VITE TË SHPRESAVE

Gjatë viteve të nëntëdhjeta qytetarët e Kosovës i ngjallën shpresat se çështja kombëtare do të merrte kahe pozitive në favor tonin. Gjatë këtyre viteve edhe elita intelektuale ishte e ndarë në dy pjesë: ata që besonin në zhvillimet pozitive në favorin tonë dhe ata që nuk besoni se diçka do të ndryshonte. Disa këngëtare u rreshtuan në taborin e forcës dhe këndonin këngë me motive të dashurisë e të lakuriqosura para Arkanit. Disa me tërë fuqinë i këndonin atdheut dhe trimave që po e lagnin tokën me gjakun e njom të rinisë kosovare. Shkurte Fejza u radhitë taborrin e popullit pavarësisht se ende forcat policore e paramilitare serbe vazhdonin terrorin mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Në këtë periudhë të errët e të pasigurt për ardhmërinë personale dhe familjare, Shkrute Fejza do të këndonte "Oj Kosovë oj nana ime", që brenda disa ditëve u shndërrua në hit, e cila këngë jehonte në çdo shtëpi shqiptare nga Kosova e deri në Amerikë dhe Australi, kudo që kishte shqiptarë. Krahas kësaj, Shkurte Fejza do ta lansonte edhe këngën tjetër "Mbahu nëno mos ke frikë se ke djemtë në Amerikë", të cilat këngë dëgjoheshin me ëndje në të gjitha trevat shqiptare e deri në diasporë. Gjatë kësaj periudhe kohore ku jeta e shqiptarit nuk ishte e sigurt, Shkurte Fejza ishte bartëse e flakës së lirisë, e cila vlonte në zemrat e çdo shqiptari. Situata politike në Kosovë gjithnjë e më shumë po tendosej, trojet shqiptare të ndara në shumë copë, e pjesa shqiptare nën okupim shpresat e vetme kishte të Nëna Shqipëri, për ç'gjë u vranë e burgosën qindra kosovarë. Në këto vite, Shkurte Fejza do të bënte një udhëtim deri në Shqipëri, me ç'rast Hajrushi do të impresionohej nga bukuritë natyrore të Shqipërisë e në udhëtim e sipër i shpëtojnë lotët, vetëm tani po e vërente sa e madhe ishte Shqipëria, ngase për bashkëshortin e Shkurte Fejzës Shqipëria ishte Kosovë dhe anasjelltas. Pa humbur kohë Harushi do t'i shkruante përshtypjet udhëtimit të parë në Shqipëri. Posa të takohet me Pjetër Gacin (tani të ndjerë) dhe Zef Coba teksti i Hajrushit që ishte në prozë, shndërrohet në këngën "Kam një lot m'pikon si ar". Kjo këngë do të bëhet mega hit dhe jo vetëm asokohe, por edhe sot është njëra ndër këngët më spikatura, e cila ende këndohet më kënaqësinë më të madhe. Madje, kjo këngë ndikon pozitivisht edhe të ata që nuk e duan Kosovën e Shqipërinë. "Kam një lot m'pikon si ar" Shkurte Fejzën do ta lansojë në piedestalin më të lartë të muzikës popullore që nga ky çast me të drejtë populli shqiptar do ta t'ia jepte titullin Mbretëresha e këngës popullore, të cilin titull këngëtarja jonë është duke e mbrojtur gjithnjë e më tepër duke i dhuruar publikut tonë këngë të reja, po ashtu më të nijetin nivel artistik. Gjer më tani Shkurte Fejza ka ralizuar mbi 400 këngë dhe 34 albume. Shumica e këngëve të interpretuar nga Shkurte Fejza janë origjinale, prej të cilave një numër i konsiderueshëm u bënë hite kombëtare, për të jetuar shekujve të ardhshëm, që kurrë nuk do t'i mbulojë pluhuri i harresës së historisë kombëtare, siç ka për t'i mbuluar disa këngëtarë e këngëtare. Pranë zemrës së Shkurte Fejzës, do të qëndrojnë afër dhe në brendësinë e shpirtit të saj të gjithë luftëtarët e lirisë, për të cilët do t'iu këndojë këngë për trimëritë e tyre, që ata të jenë pjesë e vlerësuar e gjeneratave tona të tashme e të pasme. Mbi pesëdhjetë këngë kushtuar trimave të UCK-së është një kapitull i veçantë në thesarin e muzikës të interpretuar nga Shkurte Fejza. 

(Kosova Sot)