Tre veta në mbrojtje të PASURISË MIJËRAVJEÇARE

  • 07 February 2018 - 09:22
Tre veta në mbrojtje të PASURISË MIJËRAVJEÇARE

MKRS-JA FUNKSIONALIZON INSTITUCIONIN E INSPEKTORATIT TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Gashi: Inspektorati- instrument për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturor

"Edhe pse u zvarrit formimi dhe funksionimi i këtij Inspektorati më shumë se një dekadë, është mirë që tani ky Inspektorat, sipas të gjitha gjasave, do të nisë të punojë dhe si i tillë, shpresoj, të kontribuojë në mbrojtjen sa më të mirë të vlerave tona kulturore! Uroj që ky Inspektorat të jetë profesional dhe i pavarur nga ndikimet e ndryshme në kryerjen e punëve te tij", ka pohuar etnologu Bashkim Lajçi, në një prononcim për "Kosova Sot".

Nga dita e djeshme, Kosova është bërë me Inspektorat të Trashëgimisë Kulturore, vendimi është marrë dhe janë caktuar tre inspektorët e parë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vend. Për Ministrinë e Kulturës themelimi i Inspektoratit, i cili del edhe si obligim ligjor për institucionet shtetërore, është një hap i madh dhe i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend. Për ta bërë të ditur vendimin për themelimin këtij institucioni, MKRS-ja organizoi edhe një konferencë për media me ç'rast u prezantuan edhe tre inspektorët e trashëgimisë. Në anën tjetër, ekspertë të fushës së trashëgimisë japin mendime të ndryshme lidhur me Inspektoratin, përgjegjësitë e tij, duke e konsideruar edhe si të tepërt themelimin dhe mënyrën që trashëgimia të ruhet me inspektorë. Kontaktet 'online' Për ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, themelimi i Inspektoratit ishte më se i nevojshëm për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore, e cila, siç tha ministri gjatë konferencës për media, është shkatërruar mjaft dhe gjendet në një situatë aspak të mirë, pothuajse në gjithë vendin. Themelimi i këtij organi, për ministrin Gashi është përmbyllje me sukses e një politike të trashëgimisë pas një periudhe të gjatë të procedurave dhe pengesave të ndryshme administrative. "Ky organ do të jetë një mekanizëm, i cili do të shërbejë si instrument për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore. Është shumë i nevojshëm për fushën e trashëgimisë dhe pavarësisht vonesave do të jetë i mirëpritur për ekspertët dhe institucionet e trashëgimisë në tërë territorin e Kosovës", ka thënë ndër të tjerash ministri Gashi, duke shtuar se Inspektorati shumë shpejt do të bëhet me infrastrukturë ligjore, por edhe me staf profesional. Ndërsa do të jetë non- stop i gatshëm në mbrojtje tëtrashëgimisë, duke mundësuar edhe kontakte online me qytetarët, të cilët mund të raportojnë për abuzuesit me trashëgiminë në çdo kohë. Etnologu Bashkim Lajçi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nevoja për formimin e një Inspektorati të trashëgimisë kulturore ka qenë e kamotshme! Kjo, sipas Lajçit, edhe për faktin se në mungesë të një institucioni të tillë, edhe gjendja e vlerave tona kanë qenë më të rrezikuara nga faktorë te ndryshëm! "Pra, edhe pse u zvarrit formimi dhe funksionimi i këtij Inspektorati më shumë se një dekadë, është mirë që tani ky Inspektorat, sipas të gjitha gjasave, do të nisë të punojë dhe si i tillë, shpresoj, të kontribuojë në mbrojtjen sa më të mirë të vlerave tona kulturore! Uroj që ky Inspektorat të jetë profesional dhe i pavarur nga ndikimet e ndryshme në kryerjen e punëve te tij!", ka pohuar Lajçi. Ikja nga përgjegjësitë institucionale Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se në princip ne si shoqëri vuajmë nga sindroma e nën-shtruarjes apo frikës, dhe gati të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohemi në fusha të ndryshme dëshirojmë t'i tejkalojmë me anën e diktimit të "forcës së hyqmetit"me inspektime, çka në disa fusha specifike të artit është e papranueshme. E tillë është, ka thënë ai, edhe kërkesa imediate se vendit i duhet një Inspektorat i Trashëgimisë Kulturore,duke synuar që me "inspektor" të rregullohen dhe të ruhet trashëgimia kulturore në vend, duke iu ikur përgjegjësive institucionale që i kanë. "Absolutisht jam kundër kësaj forme të të menduarit dhe të të vepruarit, posaçërisht në fushën e trashëgimisë kulturore, si lëmi specifike, të cilën duhet ta mbikëqyrin profile të kuadrove të specializuara, me kualifikimet e larta të fushave përkatëse, e jo trupa të ndryshme inspektuese, që deri më tani në shumicën e dikastereve shtetërore janë treguar joefikas dhe të korruptueshëm", ka thënë ai, duke shtuar se për atë në konkurset për inspektor kemi numër enorm të madh të kandidatëve. Po sipas tij, organet ekzekutive shtetërore të përcjelljes së kësaj fushë duhet pasur, por jo që ata të jenë "ruajtësit", por vetëm si përcjellës të zhvillimeve në fushën përkatëse. Ekonomia e tregut dhe partneriteti publiko-privat (PPP), ka pohuar më tej ai, është i domosdoshëm dhe i paevitueshëm,në disa raste në shtetet e regjionit u tregua shumë i dëmshëm, mu me përzierjen e kompetencave dhe autorizimeve të organeve inspektuese.

 

(Kosova Sot)