Me gjithë kontributin, Demaçi mbeti jashtë ASHAK-ut

  • 01 March 2018 - 08:49
Me gjithë kontributin, Demaçi mbeti jashtë ASHAK-ut

I TËRË KOMBI IDENTIFIKOHEJ ME EMRIN E TIJ 

Akademik Nexhat Daci: Demaçi nuk është propozuar nga asnjë institucion publik për akademik

Edhe pse është pjesë e shumë institucioneve me rëndësi kombëtare, simboli i rezistencës, Adem Demaçi nuk u bë kurrë pjesë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, pavarësisht bagazhit dhe kontributit të tij, duke mos lënë anash edhe atë në letërsi

Adem Demaçi ka qenë dhe është pjesë e shumë institucioneve të ndryshme, me rëndësi kombëtare, ka marrë shumë çmime, mjaft me vlerën ndërkombëtare e kombëtare. Është çmuar lart kontributi i tij, duke mbetur frymëzim për gjenerata e gjenerata. Por, Demaçi nuk u bë kurrë pjesë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pavarësisht bagazhit dhe kontributit të tij, duke mos lënë anash edhe atë në letërsi. Një pyetje që vazhdon të mbetet që nga lirimi i tij nga burgu në viti 90-ta të shekullit të kaluar. Janë dhënë shumë arsye, por më të forta pse, Demaçi nuk është pjesë e ASHAK-ut, mbetet si shkas orientimi i tij politik gjatë viteve të 90-ta e më pas, pikërisht përplasjet e tij me LDK-në dhe kritikat ndaj Rugovës rreth politikës që ky i fundit ndiqte gjatë viteve të okupimit. Duke qenë se një pjesë e mirë e akademikëve ishin apo janë pjesë e LDK-së, për studiuesit dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, u pamundësua që Demaçi të jetë pjesë e ASHAK-ut. 

Propozimet nuk munguan  

Në emisioni e RTK-së "Intervistë me Blerimin", transmetuar dy ditë më parë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Nexhat Daci, përjashtoi këtë 'akuzë', duke thënë se Demaçi nuk u bë pjesë e ASHAK-ut, pasi nuk është propozuar nga asnjë institucion publik, siç ka thënë ai, sipas ligjit. Por, bashkëpunëtori i Demaçit, prof. dr. Shyqri Galica ka demantuar Dacin. Në një prononcim për "Kosova Sot", ai ka thënë se ASHAK-ut i kanë shkuar propozimet që Demaçi të jetë pjesë e ASHAK-ut, qysh në dhjetor të 2007-ës, si propozim nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe Lidhja e Shkrimtarëve. Galica ka thënë një propozim që Demaçi të jetë anëtar nderi i është dërguar e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si propozim i shumë institucioneve. "Dëshmitë janë që Demaçi është propozuar për në ASHAK, por fatkeqësisht propozimi nuk është marrë parasysh, duke treguar se aty hedhjet bëhen me gisht, unë ty e ti mua", ka thënë ai, duke ofruar edhe të dhënat rreth propozimeve që janë bërë për Demaçin për në dy akademitë shqiptare. 

Akademia të punojë për shtetin

Lidhur me pohimet se Demaçi nuk është propozuar ndonjëherë për anëtar të ASHAK-ut, shkrimtari Zeqir Fazliu ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të klanizimeve, pikërisht që e kanë mbërthyer Akademinë. "Është e mundshme, sepse te ne sundojnë klanet partiake. Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e kanë udhëhequr, e edhe tani e udhëheqin anë- tarët e LDK-së. Prandaj, s'është çudi që Adem Demaçin nuk e propozojnë. Është e çuditshme se akademikët tanë nuk po punojnë sa duhet e si duhet për vendin tonë. S'kanë shkruar gjë", ka thënë ai, duke shtuar se tashmë akademikët i kanë të gjitha kushtet dhe mundësitë për kontribut. "Pra, duhet ta tregojnë veten me vepra se janë akademikë", ka thënë Fazliu.  

Simboli i rezistencës 

"Besoj se bacë Adem Demaçi e meriton të jetë anëtar i ASHAKut, por edhe i ASHSHsë, sepse një komb i tërë para botës përparimtare është identifikuar me emrin e tij", tha Mehani për "Kosova Sot

Ndërsa Zymer Mehani, studiues dhe krijuesi në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ka shumë arsye që Adem Demaçi tashmë do të duhet të ishte një anëtar shumëvjeçar i ASHAK-ut. Pasi siç ka thënë ai, veprimtaria për dekada dhe kontributi i tij, në shumë procese që ka kaluar vendi, Demaçin do ta bënte një akademik mjaft të nderuar të vendit. Sipas tij, Demaçi ishte, është dhe do të mbetet simbol i rezistencës sonë kombëtare kundër robërisë nga okupatori serbo-jugosllav, dhe shumë e shumë arsye të tjera. "Të gjitha këto më bëjnë të besoj se bacë Adem Demaçi e meriton të jetë anë- tar i ASHAK-ut, por edhe i ASHSHsë, sepse një komb i tërë para botës përparimtare është identifikuar me emrin e tij. Prandaj, nëse është e vërtetë (e unë nuk e di) se Adem Demaçi asnjëherë nga askush s'u propozua për t'u bërë anëtar i ASHAK-ut, kjo tregon se këtij vigani të kombit tonë me a pa dashje i kemi hyrë në hak, ngase ky është nga më meritorët për gjithçka që është në interesin tonë kombëtar", ka pohuar Mehani. 

Një Akademi që dominohet nga LDK-ja

"Unë kam respekt, për shembull, për akademik Rexhep Ismajlin, ose Anton K. Berishajn, e ndonjë tjetër, por ASHAK-u fatkeqësisht dominohet nga politika", tha Rudaku për "Kosova Sot" 

Ndërsa, Avni Rudaku, studiuesi dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ASHAK-u dominohet kryesisht nga radhët e LDK-së që nga fillimi, por, siç ka thënë ai, kjo s'do të thotë se ndonjëri akademik nuk e meriton pse ka qenë LDK-ist, por ka pasur luftë partish politike kush ta dominonte. "Unë kam respekt, për shembull, për akademik Rexhep Ismajlin, ose Anton K. Berishajn, e ndonjë tjetër, por ASHAK-u fatkeqë- sisht dominohet nga politika. As Nexhat Daci nuk është më për udhëheqje të ASHAK-ut! Duhet njerëz me vizion tjetër shkencor e bashkëkohor, me kredenciale akademike, hulumtuese e shkencore! Prandaj, Adem Demaçi mund t'i ketë krejt titujt, por jo edhe akademik! Nderi mund t'i jepet në fusha të veprimtarisë kombëtare", ka thënë ai. Që nga pas lufta janë dhënë shumë vërejtje rreth pranimit të anëtarëve të akademisë. Bile, u kërkuar edhe një ligj i ri për ASHAKun, pikërisht për shkak të vërejtjeve rreth pranimit të anëtarëve të rij. Por, nuk ndryshoi gjë, përveçse, me rregulloren e viti 2016 , kandidatë që mbushin moshën e pensionimit në ditën e mbylljes së konkursit nuk mund të propozohen për anëtar. 

(Kosova Sot)