TRE SEVDALLINJ

  • 17 March 2018 - 15:57
TRE SEVDALLINJ

TREGIM HUMORISTIK (PËRRALLË NGA E KALUARA E LARGËT)

Pas vettingut në qytet, avokati u bë kadi, kadiu- bylykbash dhe bylykbashi u shndërrua në avokat

SHKRUAN: FATMIR LOHJA\

Një herë e një kohë, në një kaza të vogël, në periferi të perandorisë, na ishin se ç'na ishin, tre miq sevdallinj, të cilët shkonin për bukuri. Të tre , paskan qenë të diplomuar në jurisprudencë, por në fakultete të ndryshme, anekënd perandorisë. Ofiqet në krahinë, respektivisht ishin, njëri avokat, tjetri bylykbash dhe mbi të gjithë kadiu ,vendimmarrës. Si në atë botë, edhe sot e kësaj dite, këto profesione, janë të përcaktuar shumë saktë në ligje, si opozitar, me qëllimin, që drejtësia të jetë sa më e saktë. Për të na kuptuar lexuesi, terminologjinë po e shpjegojmë me fjalorin bashkëkohor. Kadiu quhet gjykatës, bylykbashi është qytetëruar në prokuror, vetëm avokati mbetet ai që ka qenë, avokat. Ligjet kanë logjiken e tyre. Avokati mbron qytetarin, prokurori mbron shtetin, ndërsa gjykatësi mban kandarin, të mbështetur mbi qitapin dhe karaqitapin. Karaqitapi është kushtetuta, ndërsa qitapet janë kodet penale,civile ,….., edhe Kazaja është tjetërsuar në qytezë. Të tre i njihnin ligjet shumë mirë. Ndoshta nga që kazaja ndodhej në periferi dhe me banor pak, mund të ishin të vetmet arsye, që në kundërshtim me ligjin, ishin ortakë të mirë. Për të lidhur ortakërinë, asnjë motiv tjetër nuk i bashkonte, përveç ofiqeve që mbanin, dy shtetëror e njëri privat. Në moshë kishin diferenca edhe me dekada. Në bindjet fetare, të tre, faleshin në faltore të ndryshme. Fiset e tyre, sepse nuk shkonin shumë mirë, nuk kanë lidhur asnjëherë krushqi. Të gjithë banorët e kazasë, ishin më se të bindur, se vetëm sevdallëku i bënte të pandarë. Nuk qe vetëm lakmia për paranë ,që nuk i ndaheshin ortakërisë,por edhe qejfet e tjera ,që njeriu gëzon në jetë. Bashkoheshin në shije, për; ushqimin; pijet ;femrat bukuroshe ;pronat e patundshme; karrierën ; politikën; sportin; artin; ……

PUNËT U SHKONIN SAHAT I respektonin me rigorozitetin më të madh ofiqet e njëri- tjetrit. Meqë zona njihej për krapin e madh, edhe të shijshëm, për respekt të zhvillimit turistik krahinor, edhe për simbolikë, hallexhiun e emërtonin krap, krapuliq, kjo varej nga pasuria e të mjerit, që do të shkonte në zyrat e tyre. Zënien peshkut, për detyrë e kishte avokati. Bylykbashi i frikësonte bukur mirë, me qitapet e qeverisë. Në fund, me zotnillëk , kadiu vendoste nëse do te lihej i gjallë, apo do të bëhej tavë. Përqindjet e honorarëve ishin përcaktuar më se qartë. Pasi ndahej hisja për prefektin në qendër ,dhe zëvendësin e tij, në kaza, më shumë merrte gjykatësi, pak më pak bylykbashi, dhe më pak avokati. Nuk ngatërroheshin përqindjet as kur krapi kalonte nga rrjeta në tavë. Të tre, këtu e shihnin suksesin, në rritjen e standardit të jetës. Punët u shkonin sahat. Qafat ju ishin trashur. Pasuria ju rritej e zbukurohej çdo ditë. Vetëm kohën e kishin kundër. Ajo vraponte dhe nuk kthehej më. Për banorët, që mërziteshin çdo ditë nga bëmat e tyre, nuk e vinin ujin në zjarr. Ishin pak të shqetësuar kohët e fundit, sepse puna ju kishte rënë. Ditë e natë, e vriste mendjen avokati ,për të zënë së paku një krapuliq, por rrjeta për rreth një muaj, nuk i kishte nxjerrë gjë në tokë. Ai e shpjegonte me dy arsye objektive, mungesën e punës. E para, mileti i njihte një më një nenet e ligjeve, kjo ishte arsyeja që kanë mësuar hilet ,për të mos u kapur gafil. E dyta, në provincën e varfër nuk gjendej para, ndërsa për shpërblime në klering, sevdallinjtë nuk pranonin më,s e ju kishte ardhur deri në fyt. Në një nga këto ditë, në kaza, po kalëronte një burrë për telha. Nga kali dhe veshja dukej se ishte i kamur bukur mirë. Për këtë avokati nuk kishte asnjë dyshim. Me turravrap shkoi e lajmëroi bylykbashin, të cilit ju mbushen sytë me lot, sepse e parashikonte tavën plot. Punët i ndanë me shumë dëshire. Bylykbashi të xhandarët për t'i sjellë krapin në zyrë,ndërsa avokati shkoi e lajmëroi kadiun që të bënte hazër, kandarin e drejtësisë. Xhandarët, me të marrë urdhër, me revan e grishen qyqarin, me demek, për rutinë, bylykbashi do t'i kontrollonte dokumentet personale. Kalorësi, ndonëse nuk i pëlqyen veprimet e xhandarëve, nuk kundërshtoi, me idenë meqë do t'i bëhej kontroll rutinë, do t'i hanin pak kohë. U shkoi pas ,pa e ditur se çfarë surprizash do t'i dilnin më pas. Bylykbashi, e priti i vranësuar, duke paralajmëruar stuhi, me shtatë ballë. Mbi tavolinë qëndronin hijerëndë qitapet e shumtë. Kalorësi nxori dokumentet identifikues. Kontrollo, stërkontrollo, bylykbashi nuk po dinte se ku ta kapte në gabim. Ia ktheu dokumentet me shumë pak dëshirë. Kalorësi i bindur, se kaq qe kjo punë, kërkoi të përshëndetej me të pranishmit, dhe të shkonte për qejf të tij. • Ku kërkon të shkosh?- e pyet kryexhandari. • Besoj se mbaruam me identifikimin tim, - u përgjigj kalorësi. • Mbaruam me identifikimin, dhe na binde se je qytetar i perandorisë, por ende nuk na ke bindur se nuk ke thyer asnjë nen nga qitapet, që sheh mbi tavolinë. Nga ju, perandori kërkon zbatimin germë më germë,të tyre,- u mundua ta kthjellonte kryexhandari. • Dua avokat!- kërkoi kalorësi, pasi me shikim bylykbashi i dha sinjal, se kryexhandarit ,nuk i binte asnjë fjalë në tokë. Për të zezë të tij, erdhi avokati. E lanë të vetëm, me të ngratin. Për të mbyllur zallamahinë me shpejtësi, meqë ishte jabanxhi, dhe nuk i gjendeshin para të thata me vete, i kërkoi të dhuronte kalin, me gjithë takëme, në kundërshtim me parimet e ortakërisë, për kleringun, sepse të atillë kalë, dhe ato takëme aq të radhë , nuk ishin parë ndonjëherë në kaza. Kalorësi nuk e pranonte kompromisin, se doriun e kishte kujtim nga dikush shumë i rëndësishëm. Doli avokati, u fut bumbashiu (sekretari i gjykatës) me bylykbashin. U gjet neni, i thyer me katër këmbë, nga shëtitësi me kalë. U shkrua arzuhallaja (kërkesa)nga bumbashiu , e u nënshkruan me dëshirë nga bylykbashi. Ia dhanë në dorë xhandarit, që ta çonte urgjent në gjykatë. Ai, më shpejt erdhi se iku, me letrën e nënshkruar nga kadiu, i cili miratonte kërkesën e bylykbashit, ta mbante në arrest, për një muaj të gratin, kohë nevojshme fillestare, për të vazhduar hetimet shkencore. Kalorësit, sa s'ira pika në vend, kur i cituan vendimin, dhe e pa se e kishin përnjëmend. Kërkoi përsëri avokatin. Ia çuan me shpejtësi, se ishin të bindur se i kishin ardhur mend. Avokati ,e bëri edhe më çorap, qyqarin . Nuk e dinte saktësisht akt-akuzën,por për grupin e neneve, që citoi bylykbashi, i tregonte me ndershmëri ,dhe me siguri juridike, se dënimet ishin shumë, shumë të rëndë. Meqë, nuk i hapi rrugë avokatit,për t'i dhuruar dorinë,xhandari i vuri prangat dhe e mbylli në qeli, të pafajshmin. Tre ortakët ,për të parashikuar të ardhmen tok, shkuan për sefa (zbavitje), diku aty afër,mbi një stom. Ishin të bindur së pas hekurave kishin një tyxhar (tregtar i pasur).Vetëm me arkëtimin e gjymrykut ( taksës doganore),kush e di sa para do t'u binin në dorë. Pluhuri i sokakut ju prishi muzën. E lanë çakërqejfin, kur panë karrocën e prefektit,të shoqëruar nga disa jeniçerë. Ndonëse detyrimet mujore, ndaj xhepit tij,i kishin paguar me rregullsi,i dolën përpara, për t'i puthur edhe këmbët. Prefekti me jeniçerët ishin të nxirë ,në fytyrë. Kaloi pak kohë,kur një grup tjetër jeniçerë ,të shoqëruar me kalorësin mbi shalë, dhe te lidhur me litarë, tërhiqnin kryexhandarin dhe gardianin e çalë.

HAJDUTLLËK MË TË MADH AS NUK ISHTE PARË,E AS DËGJUAR NË KAZA

Nuk pati nevojë për tellall, për të mbledhur miletin përballë, sepse prefekti shihej radhë,dhe jeniçerët, për herë të pare, kalonin në ato anë. Doli se,kalorësi na paska qenë djali i motrës së pashait, dhe dorinë, ja ka dhuruar nipit me shumë dëshirë. Hajdutllëk më të madh as nuk ishte parë,e as dëgjuar në kaza."Si mund të vidhet kali i pashait?,- pyesnin gjindja njëritjetrin, përbri." Guxim i madh"- përgjigjej dikush, me qesëndi. Tre sevdallinjtë, në mes të duartrokitjeve të miletit, si sardelet në kuti,i ngjeshën një e nga një, në karrocën apsana (burg), dhe i morën me vete,për t'u bërë gjyqin në prefekturë. Dikush e mbyll përrallën me burgosjen e tre sevdallinjve. Një variant tjetër është , se pasi u shkundën mirë, sevdallinjtë nga zyrtarët, i lëshuan në liri, tre trimat e pafajshëm. Meqë përralla është shumë e vjetër, rrëfehet edhe një variant tjetër. Pas vettingut në qytet, avokati u bë kadi, kadiu- bylykbash dhe bylykbashiu shndërrua në avokat. Bumbasharin nuk e nganë aspak. Profesorët, sugjerojnë, që variantin e tretë, nuk është mirë ta rrëfejnë as në Kosovë, e as në Shqipëri, sepse,medemek, na u prishka ëndrra për drejtësi. Ec e merre vesh këtë porosi!?

(Kosova Sot)