DËSHTIMI PËR T'I KTHYER ARTEFAKTET NGA BEOGRADI NUK ZË VEND NË RAPORT

  • 22 April 2018 - 09:44
DËSHTIMI PËR T'I KTHYER ARTEFAKTET NGA BEOGRADI NUK ZË VEND NË RAPORT

RAPORTI I KOMISIONIT EVROPIAN 2018 PËR KOSOVËN DHE FUSHËN E KULTURËS

Prej 85 faqeve, as një faqe e plotë për kulturën

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Është bërë praktikë e zakonshme që të diskutohen përvitshëm raportet vjetore të Komisionit Evropian për Kosovën, në të gjitha fushat. Madje, Kuvendi i Kosovës ka pasur në agjendë edhe seancë të veçantë të premten e kësaj jave, për të diskutuar të gjeturat e këtij raporti. Për ne si kolumnist në fushën e kulturës, gjithmonë kemi në fokus se çfarë shkruhet në raport për çështjen e kulturës, trashëgiminë kulturore etj. Nëse do të selektonit edhe ju raportin me komandën e duhur në tastierë dhe të pyesnit se sa përmendet fjala "kulturë", në tërë Raportin evropian kursori më shumë do të ndalej në nocionin "agrikulturë", sesa në "kulturë", që do të përfshinte edhe trashëgiminë kulturore, kinemanë, teatrin, muzetë, operën etj. Gjatë leximit të Raportit për fusha të ndryshme, me gjithsej 85 faqe me shtojca e kështu me radhë, nuk do të gjeni gati as edhe një faqe të plotë A/4 për kulturën (duke bashkuar gjysmën e faqes 27 me një paragraf konciz në faqen 63), në kuptimin e ngushtë mbi fjalën dhe nocionin "kulturë", siç jemi mësuar ta aludojmë në përditshmëri dhe politikë. Sidoqoftë, dihet se ky Raport lidhur me kulturën, sikur edhe në vitet e tjera, më shumë përqendrohet në raportet e institucioneve dhe shoqërisë kosovare me Kishën Ortodokse Serbe, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe ndonjë incident, qoftë edhe për vjedhje të zakonshme në hapësirat kishtare ortodokse, sesa në përgjithësi për kulturën. Kur është fjala për institucionet e fushave të tjera, si arsimi, merret edhe me detaje të tjera, ndërsa për kulturë, thuajse më mirë të quhet kreu i saj:"Kreu për Kishën Ortodokse Serbe"! Thuajse nuk ka asgjë relevante se si kemi ngecur në fushën teatrore, kinema, dështimin për anë- tarësim në UNESCO, kthimin e dështuar të artefakteve të grabitura dhunshëm nga Serbia etj. Raporti që lexuam për këtë vit, është thuajse krejt i parëndësishëm në fushën e kulturës, me përjashtim të pozitivitetit si konfirmim njoftimi edhe paraprak, se Kosova do t'i bashkohet programit "Evropa Krijuese"! Më poshtë, lidhur me këto qëndrime, do t'i japim krejt argumentet e bazuara fjalëpërfjalshëm nga Raporti i Komisionit Evropian 2018.

SËRISH TEMË VETËM KISHA ORTODOKSE SERBE

Në kreun "Standardet evropiane", janë dy pika që ndërlidhen direkt dhe indirekt edhe me kulturën. Pika 6.10 flet për Ligjin mbi Pronësinë Intelektuale dhe në pikën 6.13 mbi Arsimin dhe kulturën, faqe 62- 64. Në faqen 27 të raportit, ka vetëm gjysmë faqe rreth trashëgimisë kulturore. n"Në të drejtat kulturore, marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe u tendosën gjatë periudhës raportuese. Bashkëpunimi pushoi me Këshillin për Zbatimin dhe Monitorimin, edhe pse një iniciativë e kohëve të fundit për ta ringjallur atë është premtuese. Qeveria themeloi sekretariatin e KZM-së. Njësia e Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare e Policisë së Kosovës përmbush mandatin e saj në katër rajone për të mbrojtur vendet fetare dhe kulturore serbe. Janë raportuar disa incidente të vogla të vjedhjes minore dhe vandalizmit në vendet kulturore dhe fetare. Ministria e Kulturës është e angazhuar me Kishën Ortodokse Serbe për mënyrat për të mbështetur rindërtimin e vendeve të saj të mbetura të papërfunduara nga Komisioni i Zbatimit të Rindërtimit." (Raporti i Progresit 2018, faqe 27) Na duket jo aq serioze në Raport për incidentet e vjedhjeve, kur raste të vjedhjeve raportohen shpesh edhe në xhamia, edhe në kisha katolike, edhe në shitore, edhe në banka, e tjerë e tjerë. Ato që duhet të raportohen si vjedhje e incidente, do të duhej të ishin vetëm nëse ka prova dhe dëshmi nga hetuesit policorë, se kanë qenë me motive të urrejtjes ndërfetare apo ndëretnike. Kthehuni edhe njëherë në fjalinë e mësipërme të raportit: "...incidente të vogla të vjedhjes minore dhe vandalizimit..." dhe kuptoni se kjo fusha e kulturës se si raportohet edhe në Komisionin Evropian, lë shumë për të dëshiruar! Ndonëse këto përsëritje të incidenteve e vjedhjeve të vogla në Kishat Ortodokse, do të duhej të parandaloheshin nga policia dhe të mos ketë nevojë shpesh paraqitjesh të tilla në raporte, pasi krijohet një përshtypje jashtë vendit, sikur këtu qenka urrejtje e vazhdueshme dhe sistematike ndaj ortodoksëve serbë dhe Kishës Ortodokse të drejtuar nga serbët. Pra, më shumë se vërejtje për Komisionin Evropian se si i përpilon këto raporte vjetore për fushën e kulturës, mund të japim edhe vërejtje për papërgjegjësinë e institucioneve të sigurisë, që nuk i parandalojnë këto incidente të vogla të vjedhjeve, të cilat lehtësisht mund të kontrollohen, pasi që vendi është i vogël dhe gjithkah ka kamera të sigurisë. Më tej në raport, thuhet: "Megjithatë, kushtet e kësaj mbështetjeje nevojitet të sqarohen për të siguruar që Kisha Ortodokse Serbe mund të ushtrojë liri të plotë në menaxhimin e pronave të saj, duke ndjekur procedurat ligjore. Kosova duhet të tregojë se e respekton këtë të drejtë në praktikë. Autoritetet e Kosovës janë zotuar të rivendosin të gjitha dispozitat thelbësore të përfshira në shtojcën V të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit lidhur me trashëgiminë serbe në Kosovë. Qeveria në mënyrë proaktive u ndërlidh me BE-në në hartimin e strategjisë së trashëgimisë kulturore për vitin 2017- 2027 dhe e miratoi atë në dhjetor 2016. E njëjta gjë pritet edhe për hartimin e ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, i cili duhet të pasqyrojë me saktësi të gjitha angazhimet e Kosovës sipas Shtojcës V të Propozimit." (po aty) Po ashtu, shpesh sikurse shihet, përmendet ky Ligji për Trashëgiminë Kulturore. Edhe kjo mund të rregullohet dhe pa zvarritje. Nëse hyni në Projektligjin për Trashëgimi Kulturore në Kuvendin e Kosovës, e gjeni se data e publikimit të këtij projektligji është 21.4.2015. Pse duhet të jene tri vjet dhe të mos përfundon edhe hartimi i Ligjit për Trashëgimi Kulturore, i ndryshuar dhe i plotësuar? Pse duhet të jetë përvitshëm i cekur në raport? Ç'bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës?!

SËRISH TEMË HOÇA E MADHE

Edhe Hoça e Madhe bëhet temë e sërishme e Raportit vjetor. "Këshilli i Fshatit të Hoçës së Madhe dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore në Prizren vepron në përputhje me ligjin. Qeveria po bashkëpunon më ngushtë me shoqërinë civile në menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Incidentet e trashëgimisë kulturore duke qenë se vazhduan në mënyrë të paligjshme të jenë të demoluara, dhe sanksionet kundër kryerësve nuk janë zbatuar. Task forca e krijuar në vitin 2014 për t'u marrë me ndërtimin e paligjshëm në Prizren nuk është takuar për më shumë se një vit. Megjithatë, në vitin 2017 Ministria e Kulturës ndërmori intervenime për të ruajtur monumentet në rrezik. Nevojiten ende më shumë përpjekje për të siguruar që trashëgimia kulturore në mbarë Kosovën të jetë e mbrojtur dhe e menaxhuar në mënyrë adekuate." (po aty) Dhe në një faqe tjetër të mëposhtme të Raportit, ka një paragraf të vetëm e të shkurtër për kulturën. "Në kulturë, Kosova duhet të vazhdojë të punojë drejt përmbushjes së standardeve të përcaktuara në Konventën 2005 të UNESKO-s mbi Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit të Shprehjeve Kulturore..., duke demonstruar praktikë të mirë. Më 2018, Kosova do të bashkohet me "Creative Europe" si partner i programit (nën-programi i kulturës)."(po aty, f.63)

EDHE DISA TEMA DO TË DUHEJ TË PËRFSHIHESHIN NË RAPORT

Kur Komisioni Evropian flet për gjendjen dhe ngecjet në kulturë, trashëgimi kulturore etj., do të duhej të fliste për një sërë çështjesh, që i takojnë secilit grupacion etnik. Nuk mund të flitet vetëm për problemet dhe sfidat kulturore të një komuniteti si serbët, por edhe për shumicën shqiptare dhe për të gjitha komunitetet e tjera, si: romë, egjiptas, ashkalinj, turq etj. (përmenden aty-këtu pjesëtarët e komunitetit RAE, por në fusha të tjera). Komisioni Evropian do të duhej të shënonte të paktën edhe një fjali: "Përkundër shënimit në Planin e Ahtisaarit që pas një kohe të shkurtër të implementimit, të rikthehen mbi 1 mijë artefakte të Kosovës nga Serbia, ato akoma nuk janë rikthyer dhe nuk ka asnjë përparim në negociatat Kosovë-Serbi. Madje, tema mbi kthimin e artefakteve të Kosovës nga Serbia, akoma as nuk është vënë si temë dhe dyja vendet inkurajohen të bashkëpunojnë, komunikojnë dhe negociojnë, për kthimin e tyre." Kjo është të paktën gjuha minimaliste korrekte politike, me të cilën shkruan në përgjithësi BE-ja. Pse Komisioni Evropian do të duhej ta përmendte kthimin e artefakteve kulturore dhe ndërlidhjen me Pakon e Ahtisaarit? Sepse në rastin e Kishës Ortodokse Serbe, pikërisht i referohet Propozimit Gjithëpërfshirës të Ahtisarit! Nëse Raporti i Komisionit Evropian është përpjekje për të dhënë vlerësime të përvitshme për gjendjen (ngecjen, përkeqësimin apo përmirësimin) në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë, do të duhej të përfshinte edhe shumë kategori të tjera të institucioneve kulturore. Teatri Kombëtar i Kosovës ballafaqohet me llojlloj sfidash në rrafshin menaxherial dhe të ndërhyrjeve sistematike politike, me paqartësi drejtimi dhe pengesa të tjera, por asnjëherë nuk inkurajohet Qeveria dhe organet e tjera, të mos ndërhyjnë në TKK-në, sikurse bën fjalë për ndërhyrjet e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe largimin nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

FUND

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën në fushën e kulturës, sivjet mund të thuhet se nuk ka gati asgjë rreth kulturës dhe ato që janë në pika të shkurtra, do të duhej menjëherë të adresohen nga institucionet e sigurisë dhe Kuvendi i Kosovës, që të mos përsëriten përvitshëm, sikurse është Ligji për Trashëgiminë Kulturore, vjedhjet e vogla etj. Jemi të vetëdijshëm se raporti nuk mund të 'lëshohet' në imtësi kulturore, sepse më shumë ka përqendrimin në nivel makro, por për Kishën Ortodokse Serbe, merret edhe me vjedhjet e quajtura, "të vogla". Nuk do të ishte çështje e vogël të përmendej dështimi i sërishëm në UNESKO, dështimi për t'i kthyer artefaktet e parapara edhe me Pakon e Ahtisarit etj.

(Kosova Sot)