Ngjizja e vargut popullor me atë artistik

  • 20 May 2018 - 10:19
Ngjizja e vargut popullor me atë artistik

KRITIKË PËRMBLEDHJES ME POEZI "RRATHË NË MJEGULL" TË AUTORIT TROPOJAN REXHEP HASANI

SHKRUAN: MR. SKËNDER R. HOXHA

Ky autor më parë (në vitin 2013), ka botuar dy përmbledhje me poezi e me këngë: "Kthimi i kohës" dhe "Përcjellja e piskamës", ndërsa tash, para lexuesve del me përmbledhjen e tij të tretë me titull "Rrathë në mjegull". E gjithë lënda poetike e kësaj përmbledhjeje është e sistemuar në këta qerthuj, apo cikle që i quajmë ndryshe: Ferku i ditës së re; Jehonë vendlindjeje; Kur zemra pikon dashuri; Bardhësi motesh e brezash; Nëpër valët e jetës. 

GJUHA POPULLORE DHE GJUHA POETIKE

Që në poezitë e para takohemi me porositë: "Porosi e kohëve/ Na përkundi djepin" (poezia :"Porosia"), vargje këto që duan të shprehin autenticitetin tradicional. Të po kësaj fryme tingëllojnë vargjet e poezisë, "Ballëdritë në breza: "Sa zëra t'pavdekshëm/ po gjëmojnë si det", si dhe te poezia "Jehona jote": "O pellazgni/ Pellazg pellazge/ O Iliri". Ndërsa, në vargje shpërfaqet edhe besimin në të ardhmen, në të renë: "Përmes vese po duket; E përthimja floku, balli, syri/ I ferkut të ditës së re". Poet, as fizikisht, po as me vargje, nuk do të ndahet nga vendlindja. Shih vargjet: "Më tha një ditë kjo jetë e shkurtër/ Unë i them në cast kjo jetë e gjatë/ Veç mjafton të bëhem bashkë/ E t'mos ndahem nga këto bjeshkë", (poezia "Të mos ndahem nga këto bjeshkë". Në ato bjeshkë të cilave u vargëzon Rexhepi ka begati dhe atje nuk mungon asgjë: "Këtu s'mungojnë xhevahirë të rrallë/ Këtu s'mungojnë mrizet as stanet/ Këtu s'mungojnë kalatë as kullat/ Këtu s'mungojnë as lulet as fushat", (poezia "Këtu s'mungojnë")' si dhe: "Ndër ju mbeti i plotë besimi/ Pa ju zemra më bëhet vrer/ Vdes për ju, mbij prapë si lisi". Në vargëzime të këtij poeti gjejmë edhe atë ngrohtësinë miqësore tradicionale e fisnike, si te poezia "Buka e udhës": "Në kullën e një miku të vjetër e të largët/ Nisëm bisedë n'avullin me çaj bjeshke/ Fjalë e mirë hijeshonte atë konak fisnik/ Donte zemra zemrën me besë jete". Në kulla shqiptare ruhet besa. Shih si e shpreh poeti në poezinë "Zë vend mendja": "Ku ruhet fjala e besnikërisë/ Ndër kulla motesh t'shqiptarisë".

 DASHURIA IDILIKE SI LAJTMOTIV

Në këtë përmbledhje poetike të Rexhep Hasanit një vend të rëndësishëm zënë vargjet (poezitë dhe këngët) kushtuar dashurisë, të cilat janë bashkë në qerthullin me titull "Kur zemra pikon dashuri". Ky cikël hapet me poezinë "Ngrohtësi drite", bashkë me ndjenjat e poetit për të arritur atë që, ndoshta, duket e largët dhe e paarritshme, e që mund të duket edhe një ëndërr: "Zgjaten duart e dashurisë/ Për ta mbërri bukurinë e hënës"; apo: "Gjendesh në frymën time/ Çdo mëngjes e mbrëmje", poezia "Lulëzim i një ëndrre". Të dashurës së tij nuk i mungojnë drita as dielli: "Nuk të mungon asnjëherë dielli i besimit në shpirt", poezia "Dielli i fjalës". Ai do që me të dashurën ta çojnë jetën bashkë, ndaj edhe i drejtohet: "Jetën bashkë ta çojmë/ Ta çojmë jetën bashkë", poezia "Jetën bashkë ta çojmë". Për të dashurën, në poezinë "Kur zemra pikon dashuri", poeti bën edhe mrekulli: "Lartësoj majat për ty o vashë/ E bëj shpirtin t'shndrisë si yll/ I shtoj sistemit planet të ri/ E shtroj darkën me ty në qiell". Duke qenë banorë i zonës rurale, poeti Rexhep Hasani, edhe të preferuarën, apo të dashurën e ka zgjedhur në ambient bjeshkor. Kësisoj, në poezinë "Bukuroshe ndër ato bjeshkë", i vargëzon kështu: "Zanë e zgjedhur ndër ato maja/ Bukuroshe ndër ato bjeshkë" Sipas poetit dashuria, veç të tjerash, ka edhe kasollen e vet (poezia "Kasollja e dashurisë") si dhe thellësitë e veta (poezia "Në thellësitë e dashurisë"). Ndërsa në poezinë"Veç të vdes me ty", poeti thotë: "Në thellësi të tokës të lypa/ Dhe në thellësi të qiellit". Dhe… do të vdes me të: "Për një jetë me ty/ Për një fjalë me ty/ Veç të vdes me ty", (Po aty) Dashuria, sipas poetit, ka fuqi të jashtëzakonshme, ngase ajo: "Edhe gurit i jep jetë" (poezia me po këtë titull). Ajo, "Diell e hënë i bën të qeshur" (po aty). Ditën e njohjes me të dashurën e shpreh në vargjet e poezisë "Njohja me ty", ku thotë: "Po dita më e dashur/ Është njohja me ty ". Më në fund, me një gjuhë gjysmë-popullore e gjysmë-artistike, poeti vendos që sipas traditës të çojë krushqit e ta marrë të dashurën. Atij iu kishte mbushur kupa dhe shkruan poezinë: "Kam nis krushqit me t'marrë ty", ku do të gjejmë edhe këto vargje: "Tash gjithkah m'u ka sos udha/ S'kam kah shkoj as s'kam ku rri/ N'vesh më rrinë këngë e tupana/ Kam nis krushqit me t'marrë ty", sepse "Dashuria s'ndalet ecën edhe në errësirë/ Dashuria ka ngjyrën e diellit", (poezia "Dashuria ka ngjyrën e diellit"). Të gjitha këto, mendoj se janë shprehje e përmasave të dashurisë, variacioneve, sakrificave, etj.

MIRËSIA E LUMTURIA NË FUNKSION TË MESAZHEVE

Ndërkaq, në qerthullin "Bardhësi motesh e brezash" madhëron veprimet e mira, ata që sjellin mirësitë. Për këtë tematikë, shih vargjet: "Kur zemra jonë afron mëshirë/ Mirësitë do të vijnë", (poezia "Veprimet që sjellin mirësitë". Kështu, edhe te poezia "Porosi" poeti thotë: "Fjala e mirë/ E vepra e mirë/ Ia lënë vendin vetit", si dhe: "Buzëqeshja është porsi një diell/ Është si lulja që lahet në shi", (poezia "Buzëqeshja është dhuratë"), etj. Autori është edhe në kërkim të lumturisë. Për këtë poeti: bisedon "me të shtatë qiejt/ me dritën e diellit/ me udhëtimin e hënës, me yjet", etj., për të gjetur lumturinë, ku pretendon në lirinë dhe në mposhtjen e skllavërisë, (poezia "Ta gjejmë lumturinë"). Ndërsa, gjejmë këtu edhe vargje moralizuese që përçojnë mesazhet se: "Tek durimi/ e drejta besimi/ mbahet forca/ e njeriut", (poezia "Fishkëllimë moti"). Krijimtaria poetike apo më mirë të themi vargëzuese e krijuesit Rexhep Hasani i ka karakteristikat e veta, e kjo dëshmohet se te një numër i madh sosh mbizotëron elementi epik me variacione të tij, por, megjithatë, për ta bërë vargëzimin e tij të lexueshëm, të kuptueshëm dhe të dëshirueshëm për shtresa të ndryshme lexuesish. 

PËRFUNDIME

Vargjet e Rexhepit sikur nuk mëtojnë të largohen jo vetëm nga epika, por as nga vargu popullor, nga vargu që mund të bëhet këngë, nga vargu poetik që korrespondon me atë të këngës popullore. Disa të tilla i gjejmë në këtë përmbledhje poetike. Në këtë kontekst, aty-këtu, me dëshirën e autorit, kemi lënë edhe variantin gjuhësor të gegërishtes në mjedisin e gjuhës standarde. Po ky stil i të shkruarit, po ky varg, sikur nuk dallon nga ato të dy përmbledhjeve të botuar më herët, por, do të thosha se këtu, në këtë përmbledhje, hetohet një avancim i vargut dhe një brumosje me ngjyrime poetike. Shpirti krijues i Rexhepit sikur bashkëjeton me shpirtin e popullit të tij, me katrahurat me të cilat u ballafaqua ai nëpër kohë, me vendlindjen e tij, me figurat me nam që lindi ky popull i shumëvuajtur, etj., për të cilat ka thurur shumë vargje përkushtuese, ku nuk mungojnë simbolika e figuracione të tjera.

(Kosova Sot)