Projektet e rehabilitimit të objekteve të trashëgimisë zvarriten me vite

  • 23 May 2018 - 08:56
Projektet e rehabilitimit të objekteve të trashëgimisë zvarriten me vite

KËRKOHET PËRCAKTIMI I ZONËS SË MBROJTUR TË ASETEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE

"Kemi raste të shumta që me vite janë zvarritur restaurimet e vlerave të ndryshme të trashëgimisë kulturore të bëra nëpër disa komuna, e të cilat i ka toleruar pushteti qendror, i cili duhet të ketë dhe ka ingerenca apo autorizime ligjore të ndërhyjë në rastet kur nuk respektohen rregullat ligjore dhe teknike, gjatë procesit të rehabilitimit arkitektonik dhe urban", ka thënë eksperti i trashëgimisë, Ylber Vokshi, për gazetën "Kosova Sot"

Paqartësitë në mes të institucioneve krijojnë pasojë për trashëgiminë tonë kulturore

F usha e trashëgimisë kulturore në Kosovë përballet me një sërë problemesh, herë- herë edhe të panevojshme. Përveç paqartësive ligjore, mossbatueshmërisë ligjore, mungesës së stafeve dhe infrastrukturës, një problem mjaft serioz po del të jetë edhe mosbashkëpunimi i institucioneve që janë përgjegjëse për këtë fushë dhe neglizhimet nga më të ndryshmet. E një nga më problematiket doli të jetë edhe dosja apo plotësimi i dokumentacionit sipas ligjit për një artefakt, i cili propozohet të dërgohet për mbrojtje nga shteti. Këto konkludime u shpërfaqën të martën, gjatë punëtorisë "Procesi" për shpallje në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore", organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashësinë Kulturore. Qëllimi i këtij takimi, siç doli edhe nga diskutimet dhe prezantimet që u bënë, ishte që KKTK dhe institucionet e trashëgimisë të koordinohen rreth përpilimit sa më të mirë të një aplikacioni që do të duhet ta përdorin institucionet qendrore dhe ato rajonale kur është në pyetje propozimi i aseteve të trashëgimisë për mbrojtje të përhershme. Pasi doli që propozimi i aseve për mbrojtje tek KKTK-ja nga institucionet kishte shumë mangësi. Gjatë këtij takimi u dhanë mjaft sugjerime lidhur me aplikacionin, pak fërkim mes zyrtarëve, një ndihmë në këtë drejtim dhanë edhe dy ekspertë nga Tirana. Ndërsa në fund mbeti që institucioni të dërgojë komentet e tyre deri në fund të javës e tek pas kësaj një aplikacion që do t'i plotësonte nevojat për aplikim.

Aplikacioni duhet të përmbajë informata të sakta

Duke folur rreth punëtorisë dhe nevojës së një aplikacioni sa më gjithëpërfshirës dhe që do t'i plotësonte edhe detyrimet ligjore, drejtori i Këshillit të Kosovës për trashëgiminë Kulturore, Shafi Gashi, ka thënë ndër të tjera se aplikacioni duhet të përmbajë informata të sakta lidhur me artefaktin apo pasurisë që propozohet për mbrojtje të përhershme. Pasi, sipas tij, informacionet sa më të sakta për asetet e trashëgimisë janë mjaft të rëndësishme dhe ato do të barten edhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës që më pas të ketë një informacion të sakta lidhur me çdo aset të trashëgimisë për një mbrojtje sa më efikase."Këtë proces natyrisht e udhëheq MKRS-ja me institucionet e saja, duke përgatitur këtu dosje të cilat pastaj vijë në KKTK, i cili është institucioni i fundit që vlerëson mbi vlerën apo mosvlerën e një institucioni", ka thënë ai. Ndërsa drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në MKRS, Vjollca Aliu, ka thënë se pret që të dilet me një forum final të aplikacionit apo të paktën të ketë një përafrim të tij."Institucionet do ta thonë fjalën e tyre dhe unë pres që ky aplikacion të marrë forum përfundimtar nëse jo të ketë një përafrim dhe të merren parasysh të gjitha dispozita ligjore gjatë përpilimit të tij", ka thënë ajo. Edhe folësit tjerë kanë potencuar rëndësinë që përgatitja sa më e qartë dhe profesioniste e aplikacioneve të aseteve dhe artefakteve të trashëgimisë kulturore, me qëllim që jo vetëm të futen nën mbrojtje të përhershme të shtetit, por edhe të figurojnë në gjeoportalin zyrtar të Kosovës.

Shafi Gashi thotë se informacionet sa më të sakta për asetet e trashëgimisë janë mjaft të rëndësishme dhe ato do të barten edhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, që më pas të ketë një informacion të saktë lidhur me çdo aset të trashëgimisë, për një mbrojtje sa më efikase

"Apeloj tek organet më të larta shtetërore që të ndërhyjnë që këto raporte të korrigjohen, pasi më së shumti po pëson trashëgimia kulturore, e cila edhe deri më tani nuk ka pasur trajtim të duhur, si e meriton", ka theksuar Ylber Vokshi për gazetën "Kosova Sot

Vokshi: Është për çdo kritikë mosbashkëpunimi i institucioneve

Sido që të jetë, neglizhimet, mosbashkëpunimet dhe paqartësitë në mes të institucioneve krijojnë pasojë për trashëgiminë tonë kulturore. Në një prononcim për "Kosova Sot", Ylber Vokshi, ekspert i kësaj fushe, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se është për çdo kritikë mosbashkëpunimi i institucioneve përgjegjëse të trashëgimisë kulturore e posaçërisht ai i nivelit qendror (MKRS) dhe atij lokal (komunat), që po rezulton negativisht, sidomos kur është në pyetje mbrojtja e saj. "Kemi raste të shumta që me vite janë zvarritur restaurimet e vlerave të ndryshme të trashëgimisë kulturore, të bëra nëpër disa komuna, e të cilat i ka toleruar pushteti qendror, i cili duhet të ketë dhe ka ingerenca apo autorizime ligjore të ndërhyjë, në rastet kur nuk respektohen rregullat ligjore dhe teknike, gjatë procesit të rehabilitimit arkitektonik dhe urban, siç janë rindërtimet, revitalizimet, regjenerimet dhe restaurimet e tyre", ka thënë ai, duke shtuar se vlen të përmendet rasti i hotelit "Union", ku më së miri ishin shpërfaqur kompetencat e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës gjatë procesit të rehabilitimit të tij, që zgjati me vite. Ngjashëm, sipas tij, është toleruar nga Komuna e Prishtinës që me vite të zvarritet procesi i rehabilitimit në disa objekte, si Hamami i qytetit apo Xhamia e gurit. Edhe në qytetet tjera, ka thënë ai, kemi raste të ngjashme, kurse dukuria e rrënimit, djegia apo dëmtimi i objekteve që janë në listën e mbrojtjes këto vite ishte dukuri "normale" për zyrtarët e të dy niveleve shtetërore. Ai ka shtuar se mosbashkëpunimi i Ministrisë me KKTK-në, i bërë publik këto ditë, për mua është befasues dhe i patolerueshëm, pasi si organi më i lartë shtetëror i trashëgimisë vendimet e KKTK duhet gjithsesi të respektohen dhe të zbatohen nga të gjithë ata që merren me këtë fushë, përfshirë edhe MKRS-në. 

(Kosova Sot)