Rrugëtimi e kontributi historik i Ibrahim Rugovës i përmbledhur në ekspozitën e hapur në Muzeun e Kosovës

  • 25 May 2018 - 15:46
Rrugëtimi e kontributi historik i Ibrahim Rugovës i përmbledhur në ekspozitën e hapur në Muzeun e Kosovës

Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e identitetin e këtij shtetit. Të gjitha këto gjurmë erdhën të përmbledhura në një ekspozitë të vetme e tejet të pasur që është titulluar "Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës". Bashkautorët e kësaj ekspozite Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, përmes saj sollën para publikut rreth 500 fotografi, të cilat paraqitnin imazhin e Rugovës mes buzëqeshjes e situatave serioze e poashtu edhe mes takimeve me përfaqësuesit më të njohur ndërkombëtar.

Një pjesë e fotografive e tregonin Presidentin pranë njerëzve të tij të afërt, mes fushatave, pranë popullit e në përqafim të fëmijëve. Kjo ekspozitë numëronte mbi 70 eksponate të ndryshme të Presidentit Rugova, të cilat përmbanin motive nga familja, krijimtaria letrare, politika, diplomacia dhe shtetësia.

(Kosova Sot)