Shërbëtorët e partive, në krye të institucioneve të kulturës

  • 14 July 2018 - 08:53
Shërbëtorët e partive, në krye të institucioneve të kulturës

Artistët e Kosovës, shumica, janë frikacakë. Heshtin me shpresë të fitojnë ndonjë projekt, por po të bërtisnin e reagonin që kultura të trajtohet si duhet e si e meriton edhe ata, edhe krejt kolegët do të kishin më shumë projekte, më shumë mundësi. E, kjo do të thotë që kultura do të zhvillohej. Heshtja e ka sjellë kulturën e Kosovës në këtë gjendej kome. Definitivisht, ne artistët jemi fajtorë për gjendjen e kulturës", thotë Ben Apolloni për "Kosova Sot" 

Kriza dhe problemet që kanë përfshirë fushën e kulturës në vend nuk vijnë vetëm nga të këqijat që po prodhon politika dhe keqqeverisja në vend, sidomos institucionet kulturore publike, të cilat janë më së shumti të goditura nga ndikimet politike dhe klanore. Një pjesë të mirë të fajit e bartin edhe vetë njerëzit e kulturës dhe të artit, të cilët me pak përjashtime janë 'adaptuar' dhe presin mundësinë që edhe ata të përfitojnë diçka nga gjithë kjo anomali që ka përfshirë vendin. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot", krijues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Regjisori Ben Apolloni, për situatën e rëndë që po kalon kultura fajëson edhe vetë komunitetin kulturor. Ai ka thënë se për problemet që ka kultura në Kosovë, artistët kanë po aq faj sa edhe politikanët, e ndoshta, shton më tej ai, edhe më shumë. Artistët e Kosovës, shton ai, heshtin kur duhet të reagojnë ndaj padrejtësive që bëhen.

PËRZGJIDHEN NJERËZIT E PAAFTË

Po, sipas Apollonit, artistët heshtin kur qeveritë emërojnë drejtorët apo këshillat drejtues të institucioneve kulturore, edhe pse e dinë që të përzgjedhurit (të emëruarit) janë njerëz të paaftë si artistë, por edhe janë shërbëtorë të partive në pushtet dhe për merita partiake vihen në krye të institucioneve, jo për merita artistike apo menaxheriale. "Artistët e Kosovës, shumica, janë frikacakë. Heshtin me shpresë të fitojnë ndonjë projekt, por po të bërtisnin e reagonin që kultura të trajtohet si duhet e si e meriton edhe ata, edhe krejt kolegët do të kishin më shumë projekte, më shumë mundësi. E, kjo do të thotë që kultura do të zhvillohej. Heshtja e ka sjellë kulturën e Kosovës në këtë gjendej kome. Definitivisht, ne artistët jemi fajtorë për gjendjen e kulturës", ka thënë ai për "Kosova Sot".

VENDI ËSHTË I KTHYER BYTHËPRAPË

Krijuesi Ardian Haxhaj ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se tashme dihet botërisht se vendi është i kthyer bythëprapë dhe atë paradoksalisht pas çdo fazë që ndërkombëtarët ua kanë lënë në dorë proceset "vendorëve", gjërat kanë shkuar e po shkojnë poshtë e më poshtë. "Merreni me mend: më shumë ka pasur shpresë për zhvillimin e kulturës menjëherë pasi NATO-ja e çliroi Kosovën dhe e shpëtoi popullin e saj nga gjenocidi serb, sesa tash pothuajse dy dekada pas shpëtimi! Në një vend ku sundon krimi, kultura mbetet vetëm një emër sa për kozmetike", ka thënë ai, duke shtuar se prandaj njerëzit e kulturës i kanë dy rrugë: ose të rrinë të strukur, ose t'i bashkohen cubërisë. "Dhe, fort mirë dihet se cilët i takojnë pjesës së strukur e cilët pjesës së cubërisë. Kultura e njerëzit që e krijojnë atë ngulfaten në një vend si Republika e Cubistanit, alias Republika e Kosovës", ka thënë krijuesi Haxhaj.

QEVERITARËT NUK PO E NDIHMOJNË KULTURËN

Tefik Selimi, publicist dhe krijues, në një prononcim për "Kosova Sot", ka potencuar se kjo situatë e kësaj kohe, duke pasur parasysh zhvillime politike dhe socio-ekonomike, po dëmtohet në masë të madhe, për faktin se, qeveritarët nuk po e ndihmojnë dot kulturën tonë, e cila kulturë, çdo ditë e më tepër është kah bie dhe nuk është ajo e një kohe. Bie fjala, shton ai, teatrot tonë, ku bëjnë kulturë, janë vende pa asnjë vullnet pune, sepse artistët apo aktorët nuk paguhen aq. "Në anën tjetër, ky komunitet është bërë imun apo pasiv të reagojë, sepse askush nuk ua qan hallin njerëzve të kulturë e artit. Jeta jonë në Kosovën e pasluftës është një zhvillim i dhunshëm në kulturë. Të rinjtë tanë më tepër ju pëlqen ndeja nëpër kafene se të shkojnë në teatër apo në ndonjë ekspozitë të artit figurativ. Kur hapet ndonjë ekspozitë e artit figurativ nga ndonjë piktorë, aty sheh vetëm njerëzit e moshuar që e vizitojnë e pak të rinj. Nuk ka ecje të kulturës", ka pohuar ai, për "Kosova Sot". Ndërsa krijuesi Bujar Meholli ka pohuar në një prononcim për "Kosova Sot", se situata politike po e ngufat të bërit art, në vend. Politika, sipas tij, është futur në çdo pore të jetës tonë - dhe, ka degraduar gjithçka, edhe artin! "Ata artistë që tentojnë të bëjnë diçka jashtë kthetrave të politikës, shuhen shpejt, sepse kjo e fundit i gllabëron dhe i bën rob të saj! Kështu që, ata, medoemos duhet t'i adaptohen këtij realiteti dhe të nënshtrohen. Pra, ata bëhen vegla të politikës, e cila i bën pjesë të marrëzive të saj; i bën pjesë të keqpërdorimeve dhe kështu ngufatet arti", ka thënë ai. Dhe, sot, shton Meholli më tej, të gjesh artist që bën art libertin është gjë e rrallë! Andaj, sipas tij, duhet admiruar ata artistë që në këtë katrahurë kulturore - ia dalin të mbahen dhe të mbesin të pandikuar. "Ndërsa arti, që fisnikëron shpirtin e qenies - duhet të çlirohet nga cytja, nga detyrimi e kështu me radhë në mënyrë, që ta ruaj misionin e shenjtë që mbart", ka pohuar Meholli për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)