Everest, hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie

  • 02 September 2015 - 16:16
Everest, hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie

Përgatitjet e fundit tashmë janë duke u bërë dhe, siç duket, gjithçka është gati për nisjen e festivalit ndërkombëtar të filmit në Venecie, i cili sivjet e shënon edicionin e 72-të.

Festivali fillon sonte me një gala premierë të filmit “Everest”, në të cilin luajnë aktorët e njohur Hollywoodianë, Jake Gyllenhaal dhe Keira Knightley.

Ky film bazohet në katastrofën e alpinistëve, e cila zuri vend në vitin 1996 në malin më të lartë në botë, transmeton koha.net.

Në garë sivjet për ta fituar çmimin “Luani I Artë” janë gjithsej 21 filma, përfshirë këtu filmin e regjisorit Tom Hooper, “The Danish Girl”, në të cilin luan aktori i shpërblyer me Oscar, Eddie Redmayne, pastaj filmi “Heart of a Dog”, ai “Equals”, në të cilin luajnë aktorët Kristen Stewart dhe Nicholas Hoult, pastaj filmi “Beasts of no Nation” me protagonist aktorin Idris Elba etj.

Regjisori i njohur italian, Luca Guadagnino, vjen në këtë festival me filmin “A Bigger Splash”, në të cilin luajnë aktorët Tilda Swinton, Dakota Johnson dhe Ralph Fiennes, derisa regjisori Charlie Kaufman sivjet konkurron në festivalin e Venecias me filmin e tij të ri “Anomalisa”.

Po ashtu pjesë e garës së sivjetme janë filmat “El Clan”, “Behemoth”, “11 minuta” dhe “Looking for Grace”.

Ndërsa filmi “Black Mass” me protagonist aktorin Johnny Depp do të shfaqet jashtë konkurrencës për çmimin kryesor. Në listën e filmave të cilët nuk do të garojnë për çmimin “Luani I Artë” përfshihen edhe “Go With Me”, në të cilin luajnë aktorët Anthony Hopkins, Julia Stiles dhe Ray Liotta,si dhe “Spotlight” me protagonistë aktorët Michael Keaton dhe Mark Ruffalo.

Në krye të jurisë së sivjetme do të jetë regjisori i njohur meksikan, Alfonso Cuaron dhe pjesë e këtij paneli do të jenë edhe dy aktore të njohura Hollywoodiane, Elizabeth Banks dhe Diane Kruger, transmeton RTV 21. 

Edicioni i 72-të i festivalit të filmit në Venecie nis sonte dhe do të përmbyllet më 12 shtator.