Lirika për të vdekur kryelartë?!...

  • 21 October 2018 - 08:20
Lirika për të vdekur kryelartë?!...

SHKRUAN: SHEFQET DIBRANI 

Poezia e Shqipe Hasanit, sidomos kjo në vëllimin "PRUSHIMË NËN VELLO", sjell formën origjinale të krijimit poetik që i "prek duart e skicuara të dashurisë" dhe "Kurorën e gruas/ ia vë muzgut krahë hapur", për t'i ushqyer pastaj edhe "zogjtë mbi portat mitike"?! Këto vargje flasin për një poetesh të profilizuar brenda arkipelagut të poezisë së sotme shqipe që krijohet në Kosovë. Origjinaliteti i saj krijues sa vjen duke u përsosur në njërën anë, kurse në anën tjetër me sukses i avancon aspektet estetike të poezisë, veçmas të poezisë lirike të cilën e krijon më me pasion. E kjo gjë vërehet tek poezia "DIMRI I DASHURISË", në të cilën shprehet se "Nëse të takoj nesër/ A do të duroj për zemrën që e dua/ E të mos digjem në përqafimin tënd/ E të mos kënaqem para prushit të dashurisë", faqe 22. Po kjo prushimë është artikuluar qysh në titullin e librit "Prushimë nën vello", ndërsa elementet tjera metaforike dhe mënyra se si ajo e percepton lirikën e bëjnë atë dhe poezinë e saj të veçuar, sepse "dashuria ka zanafillë aq sa malli", shprehet ajo, prandaj kritika letrare duhet të jetë më e vëmendshme kundrejt formave dhe tipareve shprehëse që janë me bollëk në këtë vëllim. Jo rrallë këto poezi shprehin konotacione erotike, por nuk është e dalldisur tej mase, e pasi ka një shprehje mjaftë elokuente e bëjnë këtë poezi mjaftë specifike. Vargjet janë të realizuara dhe e artikulojnë mirë mendimin lirik i cili është shprehur si një "LËKURË E DASHURISË", në të cilën ka vetëm "djersë lirike", të shprehura pa ndrojtje pa paragjykime për të krijuar "harta e kujtime me imazhe", që janë vetëm "shtrydhje ndjenjash", faqe 42. Shikuar në një këndvështrim tjetër, përjetohen ofshamat, gjëmat dhe mundimet që si duket janë rezultat i jetës dhe mbijetesës në një vend të ashpër dhe përplot paragjykime patriarkale, por ajo gjen elementin më pozitiv për tu shprehur se: "M'i vështronte duart t'ia shërojë plagët/ Nuk më harroi kurrë bukën/ As shpinën nuk ma ktheu prapa/ Të shtrirë nën brymën e vetmisë, Aq shumë e desha sa njerëzit/ nga ajo kohë i njoha ma shumë", faqe 13. Ky përjetim dramatik duket kudo nëpër lirikat poetike të Shqipe Hasanit, e cila si autore dhe intelektuale ka arritur të sfidojë mjaft vështirësi që mund t'ia ketë sjellë jeta asaj dhe shoqërisë për të cilën ajo krijon: "Askush nuk më vërejti lotin në fytyrë/ Askush nuk m'i dëgjoi ofshamat", faqe 15, janë elemente të poezisë që shprehin ofshamë shteruese në të cilën, "Gjithmonë me sy mëshire/ Ndonjëherë me fjalë thumbash më flisnit/... /Mbi urën e luhatjes rrinin librat/ Dorëshkrimet, vjershat e dikurshme", apo si rënkim "Vështirë të jesh e paskllavëruar/ Sall klithma zhurmuese/ Që hapnin plagë me ngjyra/Duke mallkuar mitrën për mëkate", faqe 15, por në mënyrë aksiomatike lirikat e saj kthehet si këngë e jehonë edhe pse aty këtu ka pikëllime me shije erotike, si duket për ta bërë lirikën e saj më të lexueshme dhe më të pranueshme pasi ka "fsheh thesarin plot dashuri/ Derisa t'i nxjerrë elegjitë prej gjaku/ Askush nuk ma ndjen zemrën/ Se peng i mbetem pikëllimit, emrit/ Shekullit të drithërimtë", faqe 17. Si individualitet krijues e intelektual, dihet se Shqipe Hasani arrin të kualifikohet edhe në fushën e mjekësisë për t'i krijuar vetës predispozita më të mira qoftë në vendin e punës, po më shumë për ta dëshmuar veten se mund të përballojë edhe vështirësi të tjera që ia sjell jeta.

POETESHA VETEN E KA GJETUR MË SHUMË NË POEZINË LIRIKE

Si duket drama jetësore e Shqipe Hasanit nuk i ka vetëm "SHTATË NETË DASHURI", por i ka sfidat tjera që i vijnë nga bërrylat, injorimet dhe patriarkalizmat e theksuar, të cilët sikur janë rrënjosur e betonuar në këto hapësira, por ajo në lirikat e saj më shumë ka hall shëndetin shpirtëror dhe estetik, andaj e ka përpunuar me kujdes strukturën artistike të vargut duke abstrahuar mbresat nga peripecitë e jetës që s'kanë të përbashkët me artistiken si "një ofshamë shpirti që i vibron mbi zemër", faqe 85. Vetëm nga kjo metaforë mund të përfundojmë se poetesha vetën e ka gjetur më shumë në poezinë lirike, e cila nuancon nga poezia erotike sa për t'i krijuar shëndetit shpirtëror optimizëm, i cili del në pah nëpër shumë vargje të tjera të këtij libri, madje edhe atëherë kur ishte "...fjalë e pathënë apo lot i varur/ Kur fati zemrën asaj ia ndau në 1999 copa", ose atëherë kur "dielli i gjëmonte kraharorit të ngrirë", faqe 87. Në këto rrethana, një analizë më e thellë rreth mënyrës së krijimit letrar që bënë Shqipe Hasani, do të ishte nxitje e mirë edhe për gra të tjera, do të ishte një thirrje për të mos u dorëzuar, një apel për të sakrifikuar, tamam ashtu siç ka bërë Shqipe Hasani, e cila sikur po vdes për një fjalë, për një varg më të realizuar: "Një pikë ujë ia zgjat jetën/ Një ngushëllim/ Një fjalë/ Një fotografi/ Javë për javë plot dhjetë vjet", është një refren që i shpjegon mynxyrat e jetës, faqe 88. Natyrisht, poezia është personale sikurse edhe sukseset dhe dështimet që janë forma të personalitetit njerëzor, por detyrë e krijuesit përkatësisht e poeteshës është që këto përvoja t'i kthej në shërbim të artit dhe shoqërisë njerëzore, në shërbim të së mirës dhe asaj që i thuhet letërsi artistike, tamam "Urë që peshonte mbi shtyllat e lakmisë", faqe 90 ose atëherë kur "Pasqyra i është thyer në njëqind copa", faqe 85. Nga leximi i kujdesshëm i kësaj poezie duket se jeta e ka detyruar të përdorë varg mjaft të kursyer, metaforë që përkon me sjelljet njerëzore sa për të atakuar vese të shoqërisë, e cila ka provokuar për të shkruar.

JETA SI ZHGËNJIM

Poezia e Shqipe Hasanit ka një dramacitet lirik, e shoqëruar me tensione erotike të cilat përbëjnë jetën dramatike të vet poeteshës, e cila poezinë e shkruan si përjetim emocional me të cilat përmbush boshllëkun e vlerës esenciale të jetës duke hyrë në një ballafaqim me vetveten dhe me të tjerët. Sidoqoftë, elementi lirik e nxjerr nga grotesku, nga dëshpërimi dhe pesimizmi, i cili në kohët moderne sikur është shndërruar në mani krijuese që shpreh dëshpërim e zhgënjim "derisa rrëqethet/ ashti i saj lirik", faqe 83. Në aspektin meditativ, kjo poezi shpreh të kundërtën e antivlerave dhe krijimit poetik mjaft të zbehur. Shqipe Hasani mëton të riparojë këto degradime, andaj me guxim intelektual ajo ka prekur nervin e ndijimit artistik duke iu dhënë lirikave shije emancipuese, në kohën kur erosi i marrëzive ka prekur përditshmërinë e një shoqërie e shndërruar në mumie a në mekanizëm shpërdorues?! Në këtë plan, te poezia e Shqipe Hasanit elementi artistik del mbi të gjitha marrëzitë, ndërsa vlera letrare e kësaj poezie duhet të shikohet përtej klisheve patriarkale, pasi lirikat moderniste e pasurojnë poezinë e sotme që është e liruar nga klishetë dhe paragjykimet, sidomos të atyre patriarkale. Ky ballafaqim metaforik është shembull që shkon përtej shumë vrojtimeve që i kap sall mendja e poetes. Si grua, Shqipe Hasani, duhet ta ketë përjetuar jetën si zhgënjim, rrethin shoqërore si mjaft konzervativ, kurse elitën intelektuale tepër paragjykuese, prandaj thirrjen e saj e lexojmë si një protestë poetike, si guxim intelektual e ndërthurur në këto "Prushime nën vello", të cilat mjaft mirë artikulojnë një realitet të përjetuar, i cili kamuflohet me dokrra jashtë letrare, të cilat po e rëndojnë jetën kulturore dhe artistike në ambientin e sotëm krijues.  

 

(Kosova Sot)