Memli Krasniqi - Kurtit e Veliut: S'mund të nxirrni zgjedhje në tavolinë

  • 25 May 2018 - 12:51
Memli Krasniqi - Kurtit e Veliut: S'mund të nxirrni zgjedhje në tavolinë

Partia Demokratike e Kosovës po merr pjesë në tryezën e Vetëvendosjes, me përfaqësuesin, shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi. Krasniqi tha se tema e cila po diskutohet në këtë tryezë nuk është ajo për të cilën janë dakorduar të gjithë që të flasin. Pasi po diskutohet për zgjedhje të reja, Krasniqi i tha Kurtit dhe Veliut se s’mund organizohen zgjedhje në këtë tryezë, por vetëm në Kuvend.

Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, që po merr pjesë në tryezën e Vetëvendosjes, tha se fillimisht ishin pajtuar që të flitet për arritje të një konsensusi nacional, por kjo nuk po ndodh në këtë tryezë, pasi përfaqësuesit e partive të tjera, po flasin për zgjedhje të reja.

“Po folni për zgjedhje, unë po jua përsëris qëndrimin e PDK-së. Ne jemi kundër zgjedhjeve, por ne jemi gati për zgjedhje, nëse ju jeni gati”, tha Krasniqi.

Ai tha se këto tryeza asnjëherë nuk janë menduar si zëvendësim i Kuvendit, por si forume që mund ta lehtësojnë punën e Kuvendit.

“Ju sot keni thirrë tryezë për me organizu zgjedhje. Kuvendi është organ që vendos për zgjedhje, e jo tryezat”, tha Krasniqi.

“Urdhëroni, niseni mocionin nëse përnjëmend doni zgjedhje, por këto nuk organizohen me retorika të kësaj natyre”, tha ai.

Ai u tha përfaqësuesve të partive politike që janë të pranishëm në këtë tryezë se Kosova nuk është në krizë.

“Opozita është në krizë dhe po mendoni se krejt vendi është në gjendjen e njëjtë siç janë ata”, tha ai. 

(Kosova Sot)