Hakmarrja brutale e pushtetit, bllokuan padinë e gazetës kundër Serbisë

  • 12 September 2018 - 07:43
Hakmarrja brutale e pushtetit, bllokuan padinë e gazetës kundër Serbisë
Badallaj: "Kosova Sot" iu bë halë në sy pushtetarëve, sepse u vu në anën e popullit dhe nuk u vu në anën e bandave kriminale të kanaleve të nëntokës, që e kapën shtetin dhunshëm!

"Edhe pas dy dekadave, drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për padinë e gazetës "Kosova Sot", por jo vetëm të saj, kundër Serbisë për dëmet e jashtëzakonshme gjatë luftës, kur u dogj e para me regjistër, me ç'rast u shkatërrua shtypshkronja më e madhe në vend, ku shtypeshin jo vetëm gazeta "Kosova Sot", por shumica absolute e librave shkollorë, dokumentacionit pedagogjik, dhe materialit shkollor në gjuhën shqipe. Për më keq se kaq, drejtësia kosovare ka refuzuar të adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë shtypshkronjës dhe gazetës "Kosova Sot" nga regjimi gjenocidial serb. Në anën tjetër, harresa e qëllimshme e pushtetarëve në Prishtinë ndaj kontributit vlerëmadh dhe shumëdimensional të gazetës "Kosova Sot" në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës së pasluftës burimin e ka tek fakti se redaksia e kësaj gazete asnjëherë nuk pranoi të hyjë nën tutelën e pushtetarëve, përkundrazi i mbajti në thumb të kritikave për të gjitha shkeljet ligjore dhe abuzimet me pushtetin qendror dhe atë lokal", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Ndonëse u bënë dy dekada nga fundi i luftës, drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për padinë e gazetës "Kosova Sot", por jo vetëm të saj, kundër Serbisë për dëmet e jashtëzakonshme gjatë luftës, kur u dogj e para me regjistër dhe po me këtë rast u shkatërrua shtypshkronja më e madhe në vend, ku shtypeshin jo vetëm gazeta "Kosova Sot", por shumica absolute e librave shkollorë, dokumentacionit pedagogjik, dhe materialit shkollor në gjuhën shqipe. Andaj, sipas analistëve, mbetet një enigmë se përse drejtësia kosovare ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë shtypshkronjës dhe gazetës" Kosova Sot", nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke ia mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e na shkatërroi në masë. Eksperti i fushës së drejtësisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës kanë dështuar në këtë drejtim jo vetëm në ngritjen e një padie mbi Qeverinë serbe për dëmet serbe që janë bërë gjatë luftës në Kosovë, ndër të cilat e ka pësuar me djegie edhe shtypshkronja dhe gazeta e përditshme "Kosova Sot" , për dëmin e madh që ia ka krijuar okupuesi serbomadh dhe sistemi i Millosheviqit në atë kohë. Ai thotë se kemi mbi 150 mijë objekte të ndryshme të djegura dhe të shkatërruara janë mbi 50 mijë njerëz që kanë pësuar dëmet më të mëdha, kemi pasur vjedhje të parave dhe pasurisë së madhe të qytetarëve, pastaj kemi pasur djegie dhe dëbime masive të qytetarëve tanë."Pra, në këtë drejtim kemi pasur një dështim total të Qeverisë së Kosovës", u shpreh ai.

BANDAT UDHËHEQIN
"Për ta kuptuar më thellë dhe drejt këto banda, nuk kanë interesim edhe se nuk janë zgjedhur me votën e lirë të popullit dhe janë zgjedhur me vota të vjedhura, të manipuluara, dhe janë njerëzit gjysmanalfabetë që nuk i kuptojnë gjërat. Thënë ndryshe këto banda janë edhe të lidhura ngushtë dhe bashkëpunojnë me kriminelët serbianë dhe prandaj nuk guxojnë të bëjnë as gek e as mek...", tha Reshat Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot"

Dhuna dhe presioni nuk na ndalën
Sipas Kelmendit, dështimi më i madh është në dy drejtime."Një në ngritjen e një padie pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, apo edhe gjykatave të tjera që shteti i Kosovës ka mundur që ta bëjë këtë përmes Shqipërisë, pasi është anëtare e kësaj gjykate. Dhe e dyta është se Kosova ka mundur që ta bëjë këtë, por edhe padi të tjera që është dashur t'i bëjnë gjykatat e Kosovës, meqenëse dëmi, dhuna dhe gjenocidi, që është bërë në Kosovë, ka qenë dashur që gjykata tona t'i zhvillojnë procedurat gjyqësore dhe për këtë ka qenë dashur që të nxjerrin vendime të drejtpërdrejta lidhur me këto çështje dhe të ngarkohen me përgjegjësi, qoftë individuale apo subjektet e veçanta që e kanë kryer këtë dhunë, terror dhe gjenocid apo duke e paditur edhe shtetin serb në tërësi", vlerësoi ai. Sipas juristit Kelmendi, përgjegjësia tërësisht u takon organeve të Kosovës, shtetit dhe pushtetit të Kosovës, duke filluar nga viti 2008, kur pushtetin e ka pasur UNMIK-u, por sidomos kjo përgjegjësi bie mbi vendorët pas 2008, kur kryeministra ishin Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe deri tash kur kryeministër është Ramush Haradinaj. Analisti Ali Hertica për "Kosova Sot"tha se gazeta "Kosova Sot" e nisi punën në një kohë të vështirë për gazetarinë kosovare dhe jetën e qytetarëve të Kosovës në përgjithësi."Me punën e vet përkushtuese e profesionale, kjo gazetë i ka shërbyer informimit të drejtë dhe korrekt, opinionit tash e 20 vjet, prandaj duhet përgëzuar stafin e gazetës dhe menaxhmentin për sukseset e dëshmuara. "Kosova Sot" është e vërtetë që ka identitetin e vet dhe i ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm procesit të shtetndërtimit, si në periudhën e luftës me guximin e pashoq në fushën e informimit të drejtë dhe të shpejtë të qytetarëve për zhvillimet dhe sfidat e kohës, por edhe duke mos u mbrapsur përballë rreziqeve që ka imponuar situata e luftës, vetëm që misioni i informimit të realizohet me sukses dhe në interesin nacional", u shpreh ai. "Kosova Sot" po vazhdon të jetë edhe në këto vite në liri tribunë e informimit të drejtë dhe të guximshëm të opinionit publik, duke u bërë zë i fuqishëm i denoncimit të të gjitha devijimeve që po e përcjellin procesin e shtetndërtimit të ri të Kosovës", potencoi Hertica. 

ZEQA: DREJTËSIA KOSOVARE KA REFUZUAR TË ADRESOJË ÇËSHTJEN E KOMPENSIMIT TË DËMEVE TË LUFTËS QË IU BËNË SHTYPSHKRONJËS DHE GAZETËS "KOSOVA SOT" NGA REGJIMI GJENOCIDIAL SERB
Analisti politik Florim Zeqa tha se përditshmja "Kosova Sot" është gazetë bashkëkohore është gazeta më prestigjioze në vend dhe në rajon, e cila me politikën e saj plotësisht të pavarur editoriale u bë dritarja më e madhe e denoncimit e të këqijave të shumta në Kosovën e ditëve të sotme. "Gazeta lidere në vend, "Kosova Sot", me informimin e drejtë, real dhe profesional në procesin e gjatë të shtetndërtimit të Kosovës, asnjëherë nuk iu nënshtrua pushtetarëve dhe as grupeve të interesit, por mbajti anën e popullit, duke e përhapur të vërtetën lakuriqe, ashtu siç e kërkon lexuesi dhe parasheh kodi gazetaresk. Një qasje e tillë i ka penguar dhe lemerisur aq shumë pushtetmbajtësit e pasluftës, në veçanti këta të ditëve të sotme, saqë po të kishin pasur mundësi do t'i kishin vënë disa herë drynin kësaj gazete që ua shpërfaqi të gjitha të metat dhe dobësitë, skandalet dhe aferat e shumta korruptive", u shpreh ai."E keqja është se përgjatë këtyre viteve të paspavarësisë Qeverisë dhe Presidencës asnjëherë nuk u shkojë mendja për të nderuar me mirënjohje gazetën "Kosova Sot", e cila për 20 vjet rresht nuk u ndal së shërbyeri qytetarëve të vendit, gazetë e cila u dogj barbarisht nga piromanët serbë në 24 marsin e vitit 1999. Edhe pas dy dekadave, drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për padinë e gazetës "Kosova Sot", por jo vetëm të saj, kundër Serbisë për dëmet e jashtëzakonshme gjatë luftës kur u dogj e para me regjistër, me ç'rast u shkatërrua shtypshkronja më e madhe në vend, ku shtypeshin jo vetëm gazeta "Kosova Sot", por shumica absolute e librave shkollorë, dokumentacionit pedagogjik, dhe materialit shkollor në gjuhën shqipe", vijoi më tej Zeqa."Për më keq se kaq, drejtësia kosovare ka refuzuar të adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë shtypshkronjës dhe gazetës "Kosova Sot" nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatat e Kosovës, duke i mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që helmoi, dhunoi, dogji, vrau e shkatërroi në masë shqiptarët e pambrojtur. Në anën tjetër, harresa e qëllimshme e pushtetarëve në Prishtinë ndaj kontributit vlerëmadh dhe shumëdimensional të gazetës "Kosova Sot" në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës së pasluftës burimin e ka tek fakti se redaksia e kësaj gazete asnjëherë nuk pranoi të hyjë nën tutelën e pushtetarëve, përkundrazi i mbajti në thumb të kritikave për të gjitha shkeljet ligjore dhe abuzimet me pushtetin qendror dhe atë lokal", shpjegoi ai.

Badallaj: "Kosova Sot" iu bë halë në sy pushtetarëve
Ndërsa analisti Reshat BadallajZhuriani tha për "Kosova Sot" se është për keqardhje që drejtësia kosovare edhe pas dy decenieve nuk ka ndërmarrë asgjë për padinë e gazetës "Kosova Sot", që regjimi gjakatar serbo-çetnik ia vuri flakën dhe e dogji deri në themel, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale për dy arsye: "E para, se kjo drejtësi në Kosovë është e kalbur kryekëput, janë të instaluar po të njëjtit argatë që kanë të dalë nga kjo kope e këtij sistemi vrastar që i kanë shërbyer shumë devotshëm dhe besnikërisht. Dhe e dyta, se gazeta më e lexuar në Ballkan në gjuhën shqipe nuk u bë puthadorë dhe sahanlëpirëse e pushtetit në Kosovë", theksoi ai. "Gazeta u bë halë në sy pushtetarëve, sepse u vu në anën e popullit dhe nuk u vu në anën e bandave kriminale të kanaleve të nëntokës që e kapën shtetin dhunshëm. Mbronte interesat shtetërore, mbronte interesat e qytetarëve, mbronte ligjin dhe Kushtetutën e vendit, pikërisht që shkelnin këta matrapazë. Se si mund të shpjegohet ndryshe kur digjet një pronë në një shtet që paguan edhe tatimet e saj, kur digjen librat e gjuhës shqipe dhe të mos ngrihet padi penale kundër një shteti flakëdhënës, kjo nuk ka arsyetim tjetër pos drejtësi qyqare. Pra, në këtë sistem të kalbur gjyqësor është e përzier politika e bandave të shtetit dhe klaneve mafioze të stilit sicilian dhe kolumbian", vlerësoi Badallaj. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se organet relevante dhe drejtësia dështuan duke mos marrë asnjë hap ndaj shtetit serb për dëmet e shkaktuara në Kosovë."Drejtësia e kapur nga politika ditore, si rezultat i kapjes nga pushtetarët, po e privon të drejtën e qytetarëve të Kosovës në këtë rast dhe gazetën "Kosova Sot" që kërkoi dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara nga ish-regjimi dhe pushtuesi serb që edhe tani presidenti serb e kujton me krenari kriminelin Millosheviq, duke e cilësuar si një lider që bëri shumë për popullin serb", potencoi Kadriaj

(Kosova Sot)