Bastisen zyrat e deputetëve të VV-së, Policia thërret deputetët për t'i marrë në pyetje

  • 09 October 2015 - 18:52
Bastisen zyrat e deputetëve të VV-së, Policia thërret deputetët për t'i marrë në pyetje

Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e deputetëve të Vetëvndosjes dhe ka intervistuar deputetët.

Kështu ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media, përmes së cilës thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, pas orarit të punës, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Policia e Kosovës e cila duhet të sigurojë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit, ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, Lëvizjes Vetëvendosje.

Policia e Kosovës përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend”, njofton VV-ja.

Më tej, në komunikatë thuhet se kjo ka ndodhur pas dorëzimit të padisë për Armend Zemajn.

“Këto ndodhi të papranueshme vijnë menjëherë pasi që Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit. Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me ambasadorët e Kuintit për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës. Ish-kryetari i SHIK-ut u përpoq për disa ditë të përdorë maskën demokratike e paqësore, por tashmë përballë vendosmërisë së opozitës, Veseli po e shfaq sërish fytyrën e tij të vërtetë, atë të vjetrën.

Pas thirrjes dhe presionit publik që ditët e fundit kryeministri Mustafa ia ka bërë policisë dhe gjyqësorit që të angazhohen kundër aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës, këta institucione janë vënë krejtësisht në shërbim të pushtetit”, vazhdon më tej komunikata.

Vetëvendosje thtoë se Kryeministri Mustafa e ka vënë në shërbim e në mbrojtje edhe Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Sistemin Gjyqësor po ashtu në mbrojtje të projektit më të dëmshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës.

“Por çdo përpjekje e tillë do të dështojë. "Zajednica" nuk do të kalojë! Ne ia bëjmë të qartë Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit se veprimet e tilla si dhe kërcënimet për arrestimin e deputetëve Albin Kurti dhe Albulan Haxhiu do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe përgjegjësia për këtë i mbetet vetëm pushtetit”, përfundon komunikata.

(Kosova Sot)