Agjenda për Britaninë, pas referendumit

Agjenda për Britaninë, pas referendumit
  • 31 May 2016 - 10:51

Shkruan: Chris Patten

Shteti ishull nuk duhet izoluar nga të tjerët

David Cameron do të përballet me detyrën e pashmangshme për unifikimin e Partisë Konservatore

Nëse votuesit vendosin të dalin nga BE-ja, të gjitha bastet marrin fund; Britania e Madhe do të zhytet në errësirë

Fundi i kampanjës për ta nxjerrë Britaninë e Madhe jashtë Bashkimit Evropian kundër këshillave të miqve tanë nëpër botë është më pak se një muaj larg.

Ata që po bëjnë kampanjë për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja mohojnë të gjitha provat që dëshmojnë për dëmin ekonomik që Britania do t’ia shkaktonte vetes nëpërmjet largimit nga BE-ja. Mospërfillja e arsyes dhe fakteve nga ana e tyre bën që ata të duken sikur Donald Trump-i, kandidati republikan për president të SHBA-së, stili politik i të cilit duket ta ketë kaluar Atlantikun me biletë të lirë avioni.

Nëse votuesit vendosin të dalin nga BE-ja, të gjitha bastet marrin fund; Britania e Madhe do të zhytet në errësirë. Fatmirësisht, buletinet e basteve po parashikojnë më të madhe që votuesit do të vendosin të qëndrojnë brenda BE-së. Mirëpo edhe nëse mendja e shëndoshë del në pah, efektet e kampanjës do të ndihen për një kohë të gjatë pas shpalljes së rezultateve.

Kryeministri David Cameron do të përballet me detyrën e pashmangshme për unifikimin e Partisë Konservatore. Ai do të duhet të krijojë balancë në mes të zemërgjerësisë vetëbesimit në lidershipi. Një gjë që nuk funksionon kurrë është ofrimi i favoreve për anëtarët e parlamentit, të cilët nuk binden. Kjo pasi që, nëse ua jep gishtin, kthehen për ta marrë dorën. Ajo që ka më së shumti rëndësi për të ardhmen e Cameron-it është nëse ai do t’ia dalë t’i bindë humbësit që ta pranojnë vendimin e votuesve, e të mos i lejojë që ta planifikojnë një kryengritje tjetër.

Lëvizjet e popullsisë

Do të ishte e kuptueshme nëse do të thuhej që Evropa është gjëja e fundit me të cilën Cameron-i do të dëshironte të merrej gjatë kësaj vere. Mirëpo, për hir të vendit të tij dhe Evropës, Cameron-i duhet të bëhet udhëheqës në përpjekjet për të nxjerrë politika të besueshme në migrimin në masë. Kjo nuk është një çështje afatshkurtër, e nxitur nga konfliktet në Siri dhe Afganistan, mirëpo është një sfidë me të cilën Evropa do të përballet për dekada të tëra.

Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur popullsia e Evropës ishte rritur nga një e pesta në një të katërtën e popullsisë së përgjithshme në botë, miliona njerëz i kishin lënë shtetet e tyre duke ua mësyrë kontinenteve tjera. Në periudhën 1815-1932, rreth 60 milionë evropianë kishin emigruar. Në fillim të Luftës së Parë Botërore, pothuajse dy në çdo pesë njerëz nëpër botë kishin origjinë evropiane.

Sot, gjërat janë më ndryshe. Popullsia e Evropës ka rënë nën 10 për qind të popullsisë globale dhe do të vazhdojë të bie përderisa një numër i madh i popullsisë vazhdon të shkojë nëpër kontinente tjera.

Për shembull, në 40 vjetët e fundit, popullsia e Egjiptit është ngritur nga 39 milionë në 93 milionë. Gjatë periudhës së njëjtë, popullsia e Etiopisë është rritur më shumë se trefish, duke mbërritur në 101 milionë. Nigeria, që tani ka rreth 186 milionë banorë, ka ndjekur një trajektore të ngjashme dhe parashikohet që ta mbërrijë shifrën e 500 milionë banorëve diku rreth vitit 2050. Gjatë gjysmës së parë të shekullit njëzetenjë, popullsia në Afrikë në përgjithësi pritet të rritet nga rreth 1 miliard sa është në 2.5 miliardë.

Shtetet e dështuara, siç e kemi kuptuar, i eksportojnë problemet dhe njerëzit e tyre. Shtetet më të varfra në botë po përjetojnë rritjen më të shpejtë të popullsisë. Këto shtete i kanë popullsitë më të reja dhe në të shumtën e rasteve kanë më tepër gjasa për të përjetuar shpërbërje të qeverisë.

Vala e madhe e njerëzve do të vë presion të madh mbi shtetet e zhvilluara, në Evropë më shumë se kudo tjetër. Ngritja e rrethojave me tela as për së afërmi nuk do të jetë një reagim adekuat. Mesdheu, tragjikisht, është bërë varrezë e disave, mirëpo pengesë e pakkujt. As shtetet ishullore, si puna e Britanisë së Madhe, nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë krizën e refugjatëve si të vetme.

Ne duhet të ndihmojmë Afrikën dhe Azinë

Ajo që kërkojmë është një program afatgjatë me të cilin pajtohen fqinjët tanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet t’i koordinojmë politikat tona të jashtme, të sigurisë dhe të zhvillimit në mënyrë që të parandalojmë migrimin e pakontrollueshëm dhe që nuk mund të menaxhohet – fenomen ky që do të çojë në vdekjet e shumë migruesve dhe do të ndikojë në ngritjen e ksenofobisë.

Duhet të pajtohemi se si duhet të merremi me shtetet e dështuara dhe duhet t’iu ndihmojmë atyre që të rimëkëmben. Duhet ta përdorim asistencën e zhvillimit në mënyrë strategjike, për t’iu ndihmuar shteteve të varfra që të zhvillohen dhe të kenë mundësi t’iu ofrojnë qytetarëve të tyre arsye për të qëndruar në shtëpi. Ne gjithashtu kemi nevojë për politika më agresive për ta parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore, të mbështetura nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kudo që është e nevojshme. Ne gjithashtu duhet të vendosim më tepër resurse detare në Mesdhe dhe duhet të shpenzojmë më shumë në sigurinë e kufijve të Evropës.

Një përpjekje e tillë duhet të jetë në interes të të gjithëve, sidomos të shteteve në Afrikë dhe në Azinë Perëndimore. E, pas daljes së rezultatit nga referendumi i muajit të ardhshëm, nëse Cameron e merr përgjegjësinë për udhëheqjen e këtyre përpjekjeve, kjo gjë do të ishte në interes të tij, gjithashtu.

(Chris Patten ka qenë guvernatori i fundit britanik në Hong-Kong dhe është ish- komisionar i BE-së për Punë të Jashtme. Ai tani është rektor i Universitetit të Oksfordit.)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”