A ka ndikim politika në Arkitekturë, Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Kosovë?

A ka ndikim politika në Arkitekturë, Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Kosovë?
  • 30 July 2016 - 09:04

Shkruan: Ylber Vokshi

Arkitektët janë fajtorët kryesorë për përçarjen perfide ndërmjet tyre

Për të gjitha ato devijime hapësinore dhe urbane duhet hulumtuar shkaktarët kryesorë të këtyre veprimeve

Erdhi në shprehje ajo maksima e vjetër "përçaj e sundo", e cila ma së shumti iu përshtatet atyre, për të vazhduar rrugën e ndërtimeve të trasuar në vitin 1999

Detyra e politikës është të mbrojë mjedisin jetësor dhe të krijojë kushtet për të krijuar Arkitekturë dhe Urbanizëm të vlerave të larta, në funksion të mirëqenies së banorëve të vet për një jetë sa më të rehatshme. Shkatërrimet nga ndërtimet e pakontrolluara pas ndërrimeve të sistemeve politike janë çrregullime shoqërore dhe shpirtërore, të cilat kanë pasoja të pariparueshme në një shoqëri demokratike, për qindra vitet e ardhshme, pasi realizohen dhunshëm në mjedisin ku jetojmë dhe veprojmë. Çdo shtet i ka specifikat e veta, për të gjitha ato devijime hapësinore dhe urbane duhet hulumtuar shkaktarët kryesorë të këtyre veprimeve.

Këto ditë një ish-drejtor, këshilltar i Zyrës së kryeministrit të Kosovës, me disa shkrime po parashtron shumë dilema se si po funksionon fusha e planifikimit hapësinor urbanizmit dhe arkitekturës tek ne. Punë që duhej ta kryente sa ishte në atë detyrë dhe të këshillonte Thaçi se si duhej t’i qaset Qeveria e Kosovës kësaj problematike, e cila nuk është përfillur fare në Kosovën e pas luftës. Befason për të mirë gatishmëria e shtypit kosovar për t’i botuar shkrimet e tilla analitike deri në dhjetë (10) faqe, që nuk përkasin me natyrën e shtypit tonë ditorë, ashtu ka qenë praktika e pasluftës, e cila si duket po ndryshon në të mirë.

Përçaj e sundo

 

Arkitektët janë fajtorët kryesorë për përçarjen perfide në mes të tyre, që u arrit shumë lehtë nga ana e vendimmarrësve kosovar. Ndasia e tyre përfundoi me krijimin e dy asociacioneve dhe me një gjeneratë të arkitektëve të rinj të hutuar me veprimet e kolegëve të tyre ma të vjetër. Erdhi në shprehje ajo maksima e vjetër ”përçaj e sundo”, e cila ma së shumti iu përshtatet atyre, për të vazhduar rrugën e ndërtimeve të trasuar në vitin 1999.

Arkitektët vepruan kështu duke harruar se vizioni dhe misioni i tërë është fisnik, i bazuar në artin dhe teknikën e ndërtimi dhe organizimit sa ma të mirë të territorit dhe jetës së një shoqërie. Këto veprime nuk i shkojnë për nder të profesionit të arkitektit, i cili duhej të ishte avangardë e një shoqërie, ashtu është trajtuar gjithnjë, dyshoj se kjo vlen për shumicën e arkitektëve tanë. Mos harroni se profesioni i arkitektit duhet të mbesë i shenjët, i pandikuar nga politikat aktuale, pasi ne duhet të jemi në shërbim të njerëzimit.

Të gjithë faktorët që kanë ndikuar në shkatërrimin e arkitekturës dhe urbanizmit bashkëkohore dhe të trashëgimisë historike e kulturore, si dhe të mjedisit të vendbanimeve tona, të bëra me ndërtime me leje e pa leje të objekteve pa planifikim, ka pasojat e dukshme, ato shihen, preken, akuzojnë. E tërë kjo bëhet në prezencën e organeve shtetërore dhe me veprimet e administratës lokale dhe qendrore. Ndikimi i politikës dhe i administratës në arkitekturë, urbanizëm dhe planifikim hapësinor, si dhe pasojat e këtyre ndikimeve duhet të analizohen, pasi ato mbështeten në rregullimin shoqëror dhe juridik të vendit tonë.

Degradimet urbane në Prishtinë, si kryeqytet i shtetit

Në Kosovë ndikimet e politikës në arkitekturë dhe urbanizëm janë tmerrësisht të dukshme, shumë mirë po shihen, gjithnjë është ”udhëhequr” një polikë e tillë ndaj arkitekturës dhe urbanizmit. Në të arkitektët nuk kanë pasur aftësi dhe dije të ndikojnë, shikoni vetëm rastet degradimeve urbane në Prishtinë si kryeqytet i shtetit. Askush nuk e çmon punën e arkitektëve, gjithkush ka të “drejtë” të projektojë.

Bindja ime personale është se në princip mungon dituria dhe aftësia e profesionistëve të angazhuar në këtë fushë, që me argumente të qarta dhe të qëndrueshme, të mbrojnë veprimet profesionale para banorëve si pjesëmarrës aktiv në këto procese, investitorëve potencial, e së fundit vendimmarrësve (politikanëve). Të gjithë këta do të binden në forcën e argumenteve, pasi ato janë për të mirën e të gjithë neve. E në fund vendimet përfundimtare, duke i marrë parasysh interesat e vendit, i merr politika pas konsultimeve gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët relevantë.

Nëse një investitori potencial do t’i ishte shpjeguar me argumente rëndësia e planifikimit urban në qytet, nënshtrimi i disa rregullave të jetës urbane, si dhe mundësitë e tija për të fituar edhe më shumë para, se kërkesat e tija të kufizuara vetëm në profit, me siguri se ai nuk do të kishte investuar në një lokacion kontestues ku të gjithë do të jenë humbës të mëdhenj, si banorët ekzistues, ata të rinjtë, si dhe tërë ajo lagje e vendbanimit,pasi do të fitohet edhe një zonë problematike për të gjithë banorët e saj, ku asgjë nuk do të funksiononte nga aspekti urban, si janë ngarkesat e papërballueshme të infrastrukturave ekzistuese, hapësirat e përbashkëta publike, hapësirat për fëmijë, garazhet,       parkingjet publike, gjelbërimi etj. Nëse i kundërshton të gjitha këto investitori,      atëherë është krejt diçka tjetër, për ketë ekzistojnë organet shtetërore për veprim.

Rezultatet e kësaj politike që po ndiqet në Kosovë janë:

•      Pamëshirshëm pandërprerë po shkatërrohet mjedisi ku jetojmë me ndërtime të ndryshme të dyshimta. Një prej shkaqeve është edhe se projektimi i arkitekturës dhe urbanizmit u është lejuar edhe atyre, të cilët nuk janë arkitektë.

•      Procesi krijues është shtypur dhe është zëvendësuar me masa administrative, pasi mund të ndërtohet pa procese krijuese dhe kreativitet artistik dhe arkitektonik.

Kontrolli dhe mbikëqyrja shtetëror e ndërtimeve në vitet e fundit as që është tentuar të jetësohet pasi kjo iu ka konvenuar disa qarqeve të caktuara. Si rezultat kemi objekte jo të sigurta, që nuk i plotësojnë kushtet elementare teknike të ndërtimit, humbësit ma të mëdhenj janë ata që janë të detyruar të blejnë e të paguajnë shumë shtrenjtë këto objekte të reja-banesa.

Duhet aplikim obligues i normave dhe standardeve ndërkombëtare

Kontraktimi i projekteve është kthyer në një ritual, veprim, në të cilin duhet të zbatohen procedurat e tenderit, ku zgjedhja e byrosë projektuese - arkitektit varret nga çmimi i projektimit, e jo me kushtet dhe zgjidhjen arkitektonike dhe aftësitë e arkitektit. Për arkitekturë dhe urbanizëm janë vendosur rregulla dhe kushtëzime, të cilat vlejnë për tregti thua se arkitektura është veprimtari tregtare. Një krahasim, për shërbimet e veta as mjeku as avokatët nuk shpallin tenderë për të marrë oferta me çmime. Investitorët, të cilët dëshirojnë të kenë arkitekturë kualitative sipas zgjedhjes së arkitektëve, duhet të shpallin konkurse, në të cilët arkitektët duhet të konkurrojnë me çmime sa ma të ultë. Investitorët duhet me qenë të kujdesshëm që mos të iu imponohen arkitektëve dhe urbanistëve,të cilët nuk janë në gjendje për të plotësuar kërkesat e tyre joreale. Për të evituar këto raste arkitektët duhet me qenë unikë, të bashkuar për të mbrojtur interesat e veta.

Nuk duhet harruar së regjimet e ndryshme politike shkojnë e vijnë, territoret shtetërore të njohura ndërkombëtarisht kanë një qëndrueshmëri të cilën ne vetë duhemi funksionalizuar,e tëra varret nga vetë ne. Nuk po mendojmë për të ardhmen ku do të jetojnë pasardhësit e tonë,ose do të vijnë si mysafir nga bota e jashtme gjeneratat e reja në trojet e paraardhësve të tyre. Vetëm me zbatimin e ligjeve të ndërtimit,aplikimin obligues të normave dhe standardeve ndërkombëtare mundet të arrihet kjo. Ketë gjendje në fushën e planifikimit hapësinor, urbanizmit dhe arkitekturës nuk duhet toleruar ma në të ardhmen, pasi të gjithë ne do të jemi humbës të mëdhenj.