Më falni, president. Unë pajtohem me ju!

Më falni, president. Unë pajtohem me ju!
  • 19 February 2017 - 09:56

Shkruan: Fareed Zakaria 

Kërkon nga mediet "që ta mbajnë gojën të mbyllur" 

Pas zënkës së tij me Meksikën, pas ndalesës së hyrjes në SHBA, këtë javë presidenti Trump bëri diçka që më befasoi. Ai doli me një politikë, me të cilën unë u pajtova. Ai vendosi një kontroll të mençur ndaj rregullave federale në zhvillim e sipër. Veprimi i tij ekzekutiv kërkon nga çdo departament, i cili dëshiron që të vejë rregulla shtesë, të heqë dy rregullativa të vjetra. Kjo mund të duket e tepruar, por një praktikë e tillë është futur në përdorim në Britani, në vitin 2013 dhe ka funksionuar mirë. Në fakt, derisa shumicën e pikëpamjeve të Trump-it i konsideroj të tmerrshme, në përgjithësi pajtohem me disa pjesë të rëndësishme të programit të tij - reformën tatimore, investimet në infrastrukturë, derregullimin, reformën e shërbimit civil. Por, një pyetje më me rëndësi, të cilën jam duke ia bërë vetes, është: A dëshiron Trump që ndokush si unë, të pajtohet me të? Shtëpia e Bardhë e Trump-it ka vendosur që, mënyra më e mirë për t'ia dalë në krye me çdo institucion apo grup që mund t'i dalë në rrugë, është që të përpiqet ta delegjitimojë atë. Kjo ka çuar deri te një strategji e ashpër e sulmeve kundër medieve, të cilat presidenti i konsideron "parti opozitare". Strategu i tij kryesor, Stephen K. Bannon, kërkon nga mediet "që ta mbajnë gojën të mbyllur dhe, të paktën për pak, vetëm të dëgjojnë". Sean Hannity, moderatori i "Fox News", i cili është bërë një zëdhënës jozyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i përshkruan mediet si "një grumbull të milionerëve dembelë, të paguar tej mase, të cilët nuk kanë asgjë tjetër, përpos një neverie ndaj njerëzve që e bëjnë këtë vend madhështor". Jemi duke jetuar në kohën kur ekonomia dhe teknologjia na ndanë Në këtë aspekt, mund të themi se, nëse duam ta dëgjojmë Amerikën, atëherë gati më shumë se 3 milionë amerikanë votuan Hillary Clintonin sesa për Trump-in. Dhe, sa u përket grupeve, të cilat e bëjnë Amerikën madhështore, nuk jam i sigurt çfarë kriteresh të përdorë, por nëse krijimi i pasurisë dhe kontributi ndaj GDP-së janë kritere, atëherë ata as që janë afër përmbushjes së tyre. Sipas Institutit "Brookings", të 500 qarqet që votuan me shumicë Clintonin, prodhuan 64% të prodhimtarisë ekonomike amerikane, derisa 2,600 qarqet, ku fitoi Trump, përbëjnë vetëm 36% të GDPsë. Elitat e shumëpërfolura urbane mund të mos jenë në kontakt me realitetin me pjesën tjetër të vendit, por ata megjithatë i paguajnë faturat e tyre. Disa vite më parë, "Economist" krahasonte se sa çdo shtet amerikan kishte kontribuuar për buxhetin federal, me fondet që ato shtete kishin marrë nga Uashingtoni. Tipari kryesor është i thjeshtë: janë shtetet blu, që votuan kundër Trump-it në vitin 2016, ato të cilat financojnë shtetet e kuqe, të cilat votuan për të. Midis viteve 1990 - 2009, 'shtetet e Clintonit' së bashku paguan rreth 2.4 trilionë dollarë më shumë në formë të taksave federale, sesa që morën fonde në formë të shpenzimeve federale, derisa 'shtetet e Trump-it', të gjitha së bashku morën 1.3 trilion dollarë më shumë sesa që kishin paguar. Por, kjo nuk është mënyra në të cilën duhet ta shikojmë Amerikën. Amerika është një vend i vetëm dhe, grupet e ndryshme të njerëzve, kontribuojnë në forma të ndryshme. Jemi duke jetuar në kohën kur ekonomia dhe teknologjia na ndanë. Qëllimi duhet të jetë që ta përdorim politikën si mekanizëm për të na bashkuar me anë të politikës publike dhe diskursit publik. E vërteta është se nuk ka amerikanë të vërtetë dhe amerikanë falsë.

Sfida për mediet duhet të jetë që të mos e pasqyrojmë sjelljen armiqësore të Trump-it

Pjesa më e madhe e presidentëve e fillojnë mandatin e tyre duke iu qasur kundërshtarëve të tyre politikë, duke bërë me dije se ata duan të prezantojnë edhe qytetarët të cilët nuk i kishin votuar. Presidentët, marrë në përgjithësi, tentojnë që ta bashkojnë vendin. Trump thuajse nuk ka bërë asnjë përpjekje në këtë drejtim, duke vlerësuar thjesht se vendi ishte i ndarë para se ai të zgjidhej, duke e liruar veten nga çdo përgjegjësi për bashkimin e tij. Edhe pasi që e ka marrë postin, Trump ka sulmuar pa mëshirë të gjithë ata që marrin guximin që të mos pajtohen me të, qofshin ata senatorë, kryeministra, apo protestues studentorë. Ky veprim mund të preferohet gjetiu, por është tmerrësisht i gabuar në udhëheqjen e vendit. Sfida për mediet duhet të jetë që të mos e pasqyrojmë sjelljen armiqësore të Trump-it. Ne nuk mund të absorbojmë dhe reflektojmë negativizëm. Ne nuk jemi opozita. Ne jemi një institucion civil, që mbrohet në mënyrë eksplicite nga Kushtetuta. Përgjatë rrugës, kur do të më duhet, do të përballem në mënyrë të ashpër me Donald Trump-in. Por, një gjë që ka po aq rëndësi, pa marrë parasysh se a është ai i pajtimit, apo jo, sa herë që e meriton, unë do të pajtohem me të. 

(Kosova Sot)