"Kosova Sot" po frymon edhe në antifrymën e medieve të shkruara sot

  • 14 September 2017 - 08:39

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Me rastin e përvjetorit të gazetës lidere

Është gazetë që dëshiron të ruajë traditën, profilin, energjinë, vazhdimësinë dhe konceptin e gjuhës së thjeshtë të popullit. U drejtohet të gjithëve, nuk ka një fokus të veçantë shtresorsocial, por i kap të gjithë pa dallim. I drejtohet secilit lexues, secilit qytetar dhe secilit nivel edukimi, e pastaj është e lexuesit se ku e gjen vetveten

Gazeta "Kosova Sot" vazhdon të ketë festa të përvitshme, sepse ajo po e vazhdon jetën e saj, përkundër të gjitha vështirësive në treg, ndryshimit të njeriut në raport me burimet e informacionit nga teknologjia, qasjes së lehtë në shumë informacione falas, qarkullimit të qindra portaleve me shpejtësi marramendëse, e kështu me radhë. "Kosova Sot" është bërë në njëfarë mënyrë krejt kronika e gjatë e zhvillimeve të përditshme në nivel vendi nga shpërthimi i luftës antikolonialiste ndaj Serbisë e gjer në ditët e sotme, të një tranzicioni dhe post-tranzicioni të rëndë politik dhe ekonomik, pas pavarësisë e këtej."Kosova Sot", përkundër të gjithave, e vazhdon vallen e saj. Më ngjason ndonjëherë me njeriun e pasionuar në vallëzim, në kërcim e synimin e tij për të hedhur hapat para, ndërsa për një çast ndalet muzika, por ai aq është i vetëmbushur, sakaq nuk diktohet domosdo nga ajo që në fillim e ka bërë të kërcejë - muzika. Ndalet apo jo muzika, e ka energjinë rezervë dhe vazhdon vallen! Në rastin e "Kosova Sot", ajo vazhdon me vallen e saj të ecjes përpara, të qasjes në informacione dhe ruajtjes së gazetarisë edhe tradicionale, përkundër disa ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur jashtë. Kur gazeta krijon identitet, profil dhe unikalitetin e vet, në mënyrën e vet se si i bën gjërat, se si i qaset dhe plason informacionin, ajo krijon vetëbesim, vetërespekt dhe vetëvlerësim. Kjo i mundëson gazetës të jetë qoftë edhe kur ankohen të gjithë se nuk po shiten gazetat, se shumica po lexojnë në internet, se pak shohim gazeta në rrugë, kafene, kioska, etj. "Kosova Sot", përkundër shumë ankesave, problemeve dhe sfidave në të cilat po ballafaqohen edhe mediet botërore nga pronarët e mëdhenj të korporatave globale, po e vazhdon aktivitetin gazetaresk sikur nuk ka ndodhur asgjë. Pavarësisht se është adaptuar edhe në rrethanat e reja, duke e pasur faqen e vet edhe 'online', duke shfrytëzuar mediet sociale, si 'facebook', por, megjithatë, vazhdon të jetë ndër më të fuqishmet në traditën e saj nga fillimi e gjer në mbarim.

"Kosova Sot", si një ujë që rrjedh, pa u varur prej shirave të qetë apo të rrëmbyeshëm

Kronikat zakonisht përmbledhin zhvillimet rreth një aktiviteti dhe ngjarjeje prej zhvillimit e gjer në mbarim. Ndërsa "Kosova Sot" është kronikë apo përmbledhje e krejt zhvillimeve ditore në Kosovë, prej luftës së fundit e gjer në ditët e sotme. Rëndësia e saj më shumë do të jetë në të ardhmen sesa në të tashmen. Kush e ka të ardhmen, e ka paradoksalisht edhe të kaluarën, edhe të sotmen! "Kosova Sot" më duket sikur një ujë që rrjedh, pa u varur prej shirave të qetë apo të rrëmbyeshëm. Ecën tutje! Është gazetë e cila dëshiron ta ruajë traditën, profilin, energjinë, vazhdimësinë dhe konceptin e gjuhës së thjeshtë të popullit. U drejtohet të gjithëve, nuk ka një fokus të veçantë shtresor-social, por i kap të gjithë pa dallim. I drejtohet secilit lexues, secilit qytetar dhe secilit nivel edukimi, e pastaj është e lexuesit se ku e gjen vetveten. Por "Kosova Sot" që nga fillimet e saj ka vendosur të jetë për të gjitha shtresat. Duke qenë se i drejtohet të gjithëve, kronika bëhet më e pasur sepse merr parasysh shtresat e ndryshme sociale, kronikat për varfërinë, lajmet lokale e të globit, etj. "Kosova Sot" nuk ka edhe televizion për të bashkuar forcat e gazetarisë dhe televizionit në promovimin e punës së saj, pa përjashtuar edhe shpenzimet normale në marketing minutash në një nga televizionet e vetme kosovare. Mirëpo, sa herë flasim për mediet e shkruara, gjithmonë forcën duhet t'ia matim me gjithçka. Ndryshe është kur je vetëm gazetë, ndryshe kur je edhe gazetë, edhe televizion. Televizioni është më i pranueshëm për njerëzit. Televizioni të mundëson promovimin e gazetarëve tuaj në emisionet më të shikuara, kohët më të arta për shikuesit, etj. Televizioni të mundëson citimin e gazetës tënde si burim informacioni për çdo natë të lajmeve qendrore. Prandaj, nuk e përjashtojmë profesionalizmin absolutisht në gazetat me apo pa televizion, vetëm po flasim se fuqia e saj nuk vjen edhe nga televizioni - si medium shtesë. "Kosova Sot" është vetëm gazetë, vetëm media e shkruar dhe më shumë e koncentruar në formatin e saj të letrës, pa harruar se iu ka përshtatur rrethanave teknologjike dhe është e pranishme 24 orë me informacione të reja, edhe në botën 'online'.

"Kosova Sot" dhe rëndësia e saj për luftën

Do të jetë kohë e gjatë e interesimit të studiuesve për luftën e fundit në Kosovë. Rëndësia e saj e veprimit në luftë, e gazetarisë në terrene lufte e të vështira, do t'ia jap mundësinë "Kosovës Sot" të jetë domosdo referencë për ato zhvillime edhe gjatë kohës së luftës. Luftën e fundit akoma nuk e njohim mirë. Luftën e fundit akoma nuk e kemi studiuar dhe shpesh irritohem kur kthehemi në kohën e Skënderbeut dhe pushtimet e vetme osmane, apo romake, bizantine, e nuk e njohim as historinë më të re të Kosovës! "Kosova Sot" nëse merret si kronikë kohë, kronikë e zhvillimeve ditore, do të na ndihmojë të orientohemi në kohë dhe hapësirë. "Kosova Sot" ka material të bollshëm për të interesuarit e zhvillimeve dydekadëshe të Kosovës. Aty janë fotografitë, personazhet etj., etj., të cilët kanë qenë protagonistët e kohës dhe më pastaj të shkojmë në verifikime e rishqyrtime të ngjarjeve, situatave e personazheve, por me rëndësi është se do të jetë një trase/rrugë/urë e gjetjes së protagonistëve, kapjes së frymës së kohës e të rrethanave të luftës. 

"Kosova Sot" dhe rëndësia e saj për pasluftën dhe pavarësinë

Duke qenë të zhgënjyer me varfërinë, papunësinë, punën e paguar keq, etj., ne nuk e marrim aq shumë të rëndësishme një ngjarje historike, qoftë edhe shpalljen e deklaratës së pavarësisë. Mirëpo, "Kosova Sot", duke qenë se i ka të gjitha zhvillimet e administrimit të parë ndërkombëtar, standardeve të para statusit, negociatat e Ekipit të Unitetit, shpalljen e pavarësisë dhe të gjitha ato zhvillime (njohjet nga shtetet, etj.) pas saj, do të jetë më rëndësi të veçantë edhe për vitet e fundit. Ngjarjet më të mëdha janë tashmë në faqet brenda "Kosova Sot" dhe secili që do të merret me periudhën më të re të Kosovës, e veçmas pas 50 vjetësh, rëndësia e saj do të bëhet edhe më e madhe. Prandaj, duke qenë se me "Kosovën Sot" po rritem edhe vetë, për aq shumë vjet duke shkruar në shtojcën për kulturë, duke qenë se tashmë është bërë shtëpia jonë e shprehjes së qëndrimeve dhe reflektimeve mbi të gjitha zhvillimet në kulturë, jam me ndjenja të veçanta në përvjetorin e saj të radhës. Është përvjetor i shkruesve të saj, lexuesve të saj dhe vetë Kosovës. Kosova është brenda "Kosovës Sot" dhe "Kosova Sot" është brenda Kosovës! Nëse duam ta shohim si është rritur Kosova deri më sot, e gjejmë në "Kosova Sot"!

Urimet për përvjetorin!

Jo vetëm se është emocion e ngazëllim të shohësh që shtëpia ku banoni me qenien si kolumnist, vetëm po feston përvitshëm vazhdimin e jetës së saj, por edhe të vjen mirë me kolegët gazetarë, punonjësit e "Kosova Sot", të cilët kanë motivimin, fuqinë dhe inkurajimin të punojnë pa u ndalur. Po ashtu, të inkurajon fakti që botuesi e pronari e ka në shpirt gazetën "Kosova Sot" dhe për asnjë çast nuk u nënshtrohet analizave matematikore të profitit a diçka me interes material, por e vazhdon gazetën, sepse tashmë është pjesë e jetës e pasionit të tij për median e shkruar. Prandaj, në këto rrethana të vështira globale mbi gazetarinë e shkruar, të gjithë ata, si pronari e botuesi Ruzhdi Kadriu, si punonjësit e "Kosova Sot", duhet inkurajuar dhe uruar në mënyrën më të përzemërt për forcën që gjejnë për t'i dhënë gjithmonë jetë e gjallëri gazetës; për t'i dhënë frymë një antifryme të medies së shkruar edhe në nivel global. Urime përvjetori i "Kosova Sot", para së gjithash botuesit, kolegëve dhe lexuesve! Është ditë përnjëmend e veçantë dhe emocionuese! Urime dhe të shpresojmë që gazeta ta tejkalojë dekadën e të ecën drejt një shekulli!

(Kosova Sot)