Drejtësia e inkriminuar injoroi të drejtën për Dëmshpërblim të gazetës "Kosova Sot”

Drejtësia e inkriminuar injoroi të drejtën për Dëmshpërblim të gazetës
  • 18 September 2017 - 09:14

P ërvjetori i 19-të i lindjes së saj nuk është vetëm datë në kalendarin festiv të këtij mediumi me traditë dhe të mirënjohur kombëtar, por vijimësi veprimi e një fenomeni të jashtëzakonshëm që ndër vite, për shqiptarët kudo, me krenari vazhdon të flasë vetëm kombëtarisht. Ajo edhe në vitet që la pas, shënoi një histori të lavdishme pune e veprimtarie, sukseset e së cilës do t`ia kishte lakmi cilido medium tjetër, sado i njohur dhe i fuqishëm informativ e publik të ishte. "Kosova Sot" apo Fenomeni Medial Kombëtar, të cilin koha e kërkonte, erdhi në jetë 19 vjet më parë dhe lindi në momentin e duhur, vit kur me shumë pengesa, sfida e sakrifica e nisi rrugën e saj të mundimshme të suksesit. Me punën e vet, bëri emrin më të mirë të mundshëm në opinion, duke u ngritur në elitën e gazetarisë dhe shndërruar në shkollë, vend-punim e pse jo edhe në shtëpi bujare e me dyer të hapura për shumë gazetarë, ekspertë e analistë, opinionistë e krijues të njohur nga të gjitha trevat e shqiptarisë. Me një fjalë u kthye në gazetë të të gjithë shqiptarëve dhe shkëlqeu si një meteor ndriçues, atëherë kur Kosova e robëruar, ishte zhytur në terr informativ dhe kishte më së shumti nevojë për informim të shpejtë e të drejtë, në vitet më të rënda që kalonte nën regjimin më brutal pushtues siç ishte ai serbo-sllav i Millosheviqit.

Me ekselencë të rrallë kaloi në Tribunë të Shqiptarizmës

"Kosova Sot" me misionin e saj të vendosur patriotik, ushqeu pareshtur me kurajë popullin e vet dhe i dha forcë qëndresës kombëtare, deri në arritjen e Lirisë së Atdheut! Lindi në ditët më të vështira, dhe solli dritë e freski kudo në atdhe, duke çjerrë perden e zymtë të errësirës së vënë dhunshëm nga okupatori serb, dhe hapur si një dritare e madhe shprese për të gjithë shqiptarët. Gazetë që me ekselencë të rrallë kaloi në Tribunë të Shqiptarizmës, shkrimet e së cilës hynë në shërbim të lirisë dhe u shndërruan në histori të së vërtetës. "Kosova Sot", që në atë kohë luftonte, pothuajse e vetme kundër të gjithë armiqve, okupatorit medieve të panumërta antishqiptare dhe propagandës së egër të pushtuesit serb, duke u bërë pengesa më e fortë virtuale dhe kundërshtari më i madh publik i pushtuesit, përmes punës së palodhshme të gazetarëve të saj me penën e artë. Kjo gazetë, atëbotë nuk ishte vetëm një mjet i thjeshtë i informimit, por edhe organi më serioz i propagandimit praktik dhe arma më goditëse kundër pushtuesve serbë, krahas pushkëve të UÇK-së, që luftonte në terren për lirinë e vendit, kundër regjimit kriminel të Millosheviqit. Ndaj, pushtuesi së pari do të përgatiste një farsë gjyqësore, atëbotë me në krye Aleksandër Vuçiqin, ish-shef i atëhershëm për informim i regjimit të Millosheviqit, kryeministër i mëvonshëm i shtetit serb, kryetar aktual i Serbisë dhe partner i preferuar për bisedime me udhëheqësit e Kosovës. Më 11 mars të vitit 1999, regjimi okupues serb, fillimisht e dënoi me mbi 300 mijë marka gjermane (në dinarët serbë) gazetën e mirënjohur "Kosova Sot", për ta ndaluar vetëm një javë më vonë,edhe defakto më 18 mars të vitit 1999, tërësisht botimin e saj, duke i konfiskuar me forcë të gjithë ekzemplarët jo vetëm në rrjetet e shitjes, por edhe numrat e ngarkuar në veturat për shpërndarje.

"Kosova Sot" informoi me guxim për luftën dhe raportoi drejtpërsëdrejti edhe nga fushëbetejat

Kulmi i tërbimit të okupatorit serb ndaj politikës redaktuese të gazetës prestigjioze kombëtare "Kosova Sot" u shënua pikërisht natën e parë të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet pushtuese serbe, më 24 mars të vitit 1999, natë kur në mënyrën më barbare, vetëm pak orë pas fillimit të bombardimeve iu vu flaka dhe u dogj me themel objekti, shtypshkronja me makineritë moderne të shtypit dhe çdo gjë që i takonte asaj, nga forcat e okupatorit serb. Dëmet materiale që iu shkaktuan kësaj gazete, të vënë plotësisht në shërbim të kombit dhe përhapjes së të vërtetës së luftës çlirimtare të shqiptarëve, pas aktit të djegies piromane, konsiderohet të kenë arritur në rreth 10 milionë marka gjermane. Mirëpo, me gjithë sfidat dhe krejt katrahurat e kaluara në ditët më të vështira të okupimit klasik serb, për çudi, as klasa politike e pasluftës jo vetëm se kurrë nuk ia pranoi asaj kontributin as shprehu të paktën një keqardhje të thjeshtë, por nuk i ndau as ndonjë mirënjohje formale zyrtare sado të vogël e simbolike qoftë, për meritat aq të mëdha në informim dhe kontributin praktik në çlirimin e Kosovës, duke rrezikuar jetën e editorëve dhe gjithë stafit të saj punues, si dhe duke sakrifikuar tërë pasurinë dhe mjetet që ajo pati, me mbi 150 të punësuar. Edhe e ashtuquajtura "drejtësi" kosovare, gjatë gjithë këtyre viteve, injoroi tërësisht të drejtën për dëmshpërblim dhe padinë e gazetës "Kosova Sot" kundër Republikës së Serbisë fashiste e gjenocidale, e ngritur gjate vitit 2000, kundër Serbisë në Gjykatën komunale të Prishtinës për dëmet e shkaktuara, nga regjimi pushtues serb, e cila po sillet sikur të mos ishte organ i shtetësisë së Kosovës, por vetëm një filial në shërbim të Vuçiqit të Serbisë flakëvënëse e piromane. "Kosova Sot" informoi me guxim për luftën dhe raportoi drejtpërsëdrejti edhe nga fushëbetejat, për t'u bërë edhe pas çlirimit zë i qytetarëve anekënd Kosovës, ndaj politika e saj e pavarur redaktuese, shihet katërçipërisht se u bë halë në sy edhe e të gjitha qeverive të pasluftës. Gazetarët e saj, njëjtë si sot edhe asokohe, të drejtën e fjalës se lirë, e shfrytëzuan me aq guxim për të paraqitur hapur të vërtetën e rëndë të Kosovës edhe në gjendje lufte, sa që ata vazhdimisht përballeshin me kërcënime për jetën. Megjithatë "Kosova Sot", pësoi fat të njëjtë si të kidnapuarit dhe të pagjeturit shqiptar nga soldateska gjenocidale serbe, për të cilat tash e atëherë, drejtësia e korruptuar dhe e ndikuar vendore nga qeveritë e inkriminuara, si dhe politika ditore, kurrë nuk ngriti zërin sa dhe si duhet. Të vetmit që përherë i mbetën besnikë politikës së pavarur editoriale të kësaj gazete janë lexuesit, zë i të cilëve ajo mbetet edhe në vitin e 20-të të editimit të suksesshëm të saj. Kurse qeveritë e korruptuara dhe drejtësia e kapur nga politika vendore, megjithëse që nga fillimi bashkë-qeverisën me ndërkombëtarët, mund të arsyetoheshin disi vetëm për vitet e para të pasçlirimit, kur institucionet e Kosovës, u udhëhoqën përkohësisht nga UNMIK-u dhe EULEX-i, por pas marrjes së kompetencave nga të huajt, nuk kishte më asnjë arsye që të mos veprohej nga ato, kundër veprimeve gjenocidale të okupatorit serb mbi pasuritë dhe popullsinë e pafajshme të Kosovës gjatë viteve të luftës. Organet e drejtësisë kosovare, përkundër krejt dëmeve e shkatërrimeve dhe gjenocidit të paparë të ushtruar mbi shqiptarët dhe objektet e pasuritë e tyre, realisht asnjëherë nuk reaguan dhe kurrë nuk bënë asgjë të dukshme në këtë drejtim.

Shkaqet pse institucionet e shtetit nuk ndërmorën asgjë me padinë kundër veprimeve gjenocidale të Serbisë

Ndërsa qeveritë dhe institucionet udhëheqëse shtetërore të pasluftës në Kosovë unë besoj se ato kanë disa arsye më tepër personale "detyruese", shkaku i së cilave asnjëra nga to asnjëherë nuk provoi të ndërmerrte asgjë lidhur me padinë kundër veprimeve gjenocidale dhe dëmeve të shkaktuara nga regjimi okupues serb mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, duke kërkuar që të zbatohet ligji dhe për një gjykim të drejtë. 1. Shkaku i parë mund të jetë politika e pavarur redaktuese e gazetës "Kosova Sot", jo vetëm në kohë lufte por dhe në kohë paqe, e cila shihet se pengon fort politikanët e inkriminuar aq thellë dhe pushtetarët e korruptuar deri në fyt. 2. Përfitimi i madh dhe tendencat e mbetjes së përhershme të tyre në pushtet, shantazhimi që mund të përdoret me dhe pa shkas kundër pushtetarëve të kriminalizuar, egoizmi vetjak, material dhe humbja e interesimit për të tjerët. 3. Mendimi se historia më e re u takon vetëm atyre dhe çdo gjë fillon e mbaron vetëm me ta, frika se theksimi i meritës e kontributit në të kaluarën, qoftë edhe me ngritjen e padive apo edhe kërkesat e drejta për shpërblimin e sakrificave të të tjerëve nga Serbia, "zhvlerëson" bëmat e tyre, i shtynë ata të heshtin. 4. Mundësia e ndonjë marrëveshjeje paraprake me BE-në, për mosngritjen e padive ndaj Qeverisë serbe dhe personave që udhëhiqnin dhe udhëheqin atë aktualisht, përfshirë edhe ish-qeveritarët e regjimit të Millosheviqit, për mosrrezikimin e bisedimeve me Serbinë. Kjo edhe për shkakun se njëri prej fajtorëve kryesorë ishte edhe vetë Aleksandër Vuçiqi, udhëheqësi i parë aktual i Serbisë dhe prijës i bisedimeve me Kosovën, por edhe njëri nga të akuzuarit më të lartë për dënimin dhe ndalimin e gazetës "Kosova Sot", nëse jo edhe për djegien e objektit dhe shtypshkronjës së saj, nga regjimi i atëhershëm gjenocidal-pushtues serb, si ministër informacioni dhe njëri ndër personalitetet kryesore vendimmarrëse i të cilit ishte atëbotë edhe Vuçiqi. Pra, njëra nga faktet e mëdha që flet edhe praktikisht pse nuk "guxon" të ndërmerret asgjë nga qeveritarët dhe drejtësia kosovare për ngritjen e çfarëdo padie kundër Serbisë, duhet të jetë e vërteta e hidhur se njëri nga ish-ministrat me përgjegjësinë vendimtare në ndëshkimet e ndërmarra nga regjimi i Millosheviqit, ishte pikërisht partneri aktual i preferuar i BE-së, dhe vetë qeveritarëve të Kosovës për bisedime, Aleksandër Vuçiq Ndërsa shkaku kryesor dhe vendimtar që bllokon çdo hap ligjor në këtë drejtim, është dhe mbetet pikërisht kriminalizimi i skajshëm e tragjik i pothuajse çdo pore të politikës kosovare, fakt që tek e fundit nga gjithë qeveritë që njohëm dhe provuam deri më tani, pamë se nuk pati asnjë politikan a pushtetar me fuqi vendimmarrëse, që u dëshmuan për të mirën e këtij vendi. Asnjë tjetër që veproi me përgjegjësi shtetërore dhe asnjë të vetëm, i cili të paktën një herë në karrierë, u tregua i gatshëm të sakrifikojë çfarëdo qoftë për vendin dhe popullin e tij të shumëvuajtur

Mbajti përherë në fokus çështjen shqiptare, mbrojti me vendosmëri përpjekjet e bashkëkombësve për pavarësi të Kosovës

Pothuajse të gjithë, pa dallim, shfaqën dëshirat e shfrenuara për vjedhje e korrupsion dhe dallavere të pafund për të mbetur sa më gjatë në pushtet apo ardhur sa më shpesh në qeverisje, që të sundojnë, vjedhin e varfërojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe sa më tepër këtë vend. Politikanët kleptomanë, pozitat e grabitura në mënyrat që vetëm ata dinë dhe ditën, i shfrytëzuan për zhvatje dhe krim të organizuar, pa treguar asnjëherë solidaritet me popullin e vet, as dëshmuar ndjesi sado të vogël kombëtare, apo mbështetur e ndihmuar qoftë edhe një gazetë atdhetare si "Kosova Sot", vetëm pse ajo gjithmonë ishte kundër individëve të inkriminuar dhe luftoi pareshtur dukuritë negative në vend. Ndaj edhe po deshën ata, vetë gazeta "Kosova Sot" nuk mund të bjerë në nivelin e politikanëve kaq të pacipë dhe të pranojë të "shpërblehet" nga një politikë kaq e degjeneruar kombëtare, nga e cila as që duhet të pritet a shpresohet për njohje kontributi, mbështetje për ngritje padish kundër pushtuesit, apo ndarje të kurrfarë mirënjohjeje për sakrificat e kaluara atdhetare. Pushtetarët e korruptuar e antikombë- tarë dhe të inkriminuar deri në fyt, tmerruan një popull të tërë, duke e varfëruar vendin dhe kthyer në mjerim e apoteozën e Migjenit, ku njerëzit e thjeshtë, të papunë e pa mbështetje, duhet t'i numërojnë kafshatat e bukës së fëmijëve të tyre dhe nga viti në vit, në grupe të mëdha, qindra familje me fëmijë të mitur, detyrohen të ikin të trishtuar nga atdheu i vet, i cili u mori edhe bukën e gojës dhe shkatërroi çdo perspektivë e shpresë për ardhmëri. "Kosova Sot", si gazetë kombëtare, që bën çdo gjë për drejtësi, rend dhe ligj, nuk guxon dhe as nuk do të identifikohet me njerëz të tillë, ajo, jo vetëm se dëshmoi veten në kohë të vështira lufte, por edhe në kohë paqe nuk ndaloi së përpjekuri për luftimin e çdo pa-ligjësie, për çka pushtetarët e kriminalizuar pa dallim, u ndien të prekur dhe dëshmuan se nuk do t`ia njohin kontributin as në të kaluarën, kësaj gazete me nam. Vetëm lexuesit dhe shqiptarët kudo do t'i mbeten asaj përgjithmonë mirënjohës, ku edhe liria e fjalës si njëra ndër parimet parësore dhe me të çmuara të së drejtës universale të njeriut, gjeti vendin e merituar në faqet e saj, duke informuar drejt e me kohë opinionin vendor e ndërkombëtar mbi gjendjen e vërtetë të shqiptarëve edhe nën okupimin serb, fakt të cilin ende nuk duan ta dinë as pranojnë pushtetarët e kriminalizuar. Mbajti përherë në fokus çështjen shqiptare, mbrojti me vendosmëri përpjekjet e bashkëkombësve për pavarësi të Kosovës, përkrahu ngritjen e vetëdijes së popullit të vet, çoi përpara vizionin e unitetit në luftë dhe në paqe dhe forcoi kurdoherë idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, gjë që është për çdo lëvdatë dhe admirim. Ndaj, shfrytëzoj rastin që, në ditëlindjen e 19-të, të daljes, ta përgëzoj nga zemra gazetën "KOSOVA SOT", editorët e nderuar, redaktorët, gazetarët dhe gjithë stafin brilant të saj, me dëshirën që të festojmë bashkërisht edhe shumë vite të tjera të bujshme krijuese, duke mbetur si deri më tanigazetë gjithëshqiptare, kurse penat më të dalluara, të hyjnë në piedestalin e artë të gjithë historisë shqipshkruese të gazetarisë kombëtare.

(Kosova Sot)