Ridefinimi i Evropës DHE EVROPIANËVE

Ridefinimi i Evropës DHE EVROPIANËVE
  • 20 September 2017 - 16:14

Shkruan: Carl Bildt 

QYTETARËT DUHET TË SHIKOJNË PËRTEJ SHTETEVE KOMBËTARE


Gjermania mund të jetë vendi me menaxhimin më të mirë burokratik në Evropë
Në mënyrë që Evropa ta gjejë vendin e saj në një botë që ndryshon me të shpejtë, qytetarët e saj duhet të shikojnë përtej shteteve kombëtare, si burim të tyre të vetëm të identitetit personal. Sot në botë kanë mbetur fare pak 'kombe të para', gjë që është një zhvillim i mirëpritur. Duke udhëtuar nëpër Gjermani, pak para mbajtjes së zgjedhjeve federale të 24 shtatorit, është e pamundur që të mos bien në sy shenjat e qëndrueshme të traumës së thellë, të shkaktuar nga kriza e refugjatëve, e vitit 2015. Papritmas dhe, në fakt, pa paralajmërim, afër një milion njerëz të dëshpëruar - kryesisht sirianë që iknin nga kasaphana në vendin e tyre - shkuan në Gjermani. Dhe, derisa Gjermania mund të jetë vendi me menaxhimin më të mirë burokratik në Evropë, edhe ajo u sfidua. Reagimi i kancelares gjermane Angela Merkel ndaj krizës së dy viteve më parë, nënkuptonte lënien anash të të gjitha rregullave dhe hapjen e kufijve të vendit. Mbetet thënia e famshme e saj, drejtuar popullit gjerman: "Wir schaffen das" (Ne mund ta bëjmë këtë). Por, opinioni publik gjerman sot sugjeron se vendi është bërë më i kujdesshëm ndaj veprimeve të tilla të vendosura. Po, Gjermania 'e bëri atë', meqë nuk kishte ndonjë alternativë tjetër, dhe shumë gjermanë janë krenarë me vendin e tyre, për shkak se ishte në nivel të detyrës. Por, shumica prej tyre shpresojnë që një krizë e tillë të mos përsëritet kurrë më. Edhe pse shumë gjermanë janë pajtuar me atë që ka ndodhur dy vite më parë, një pakicë e vogël ndihet e tradhtuar. Ata kanë reaguar me zemërim dhe nacionalizëm ksenofob, ndjenja të cilat pa dyshim do të ndikojnë edhe në votën e tyre.
 Gjermania nuk është vendi i vetëm evropian, që mbetet i trazuar nga kriza e refugjatëve Por, trauma e Gjermanisë nga kriza e refugjatëve duhet të vihet në perspektivë. Shumë më shumë refugjatë kanë kërkuar dhe kanë gjetur mbrojtje në vendet sikur Libani dhe Turqia, sesa në Gjermani. Nëse shikohet në mënyrë relative, atëherë Gjermania do të duhej të pranonte 20 milionë refugjatë, që të mund të krahasohej me Libanin e vitit 2015. Në Turqi, vetëm Stambolli është duke strehuar më shumë refugjatë sesa tërë Gjermania. Natyrisht, Gjermania nuk është vendi i vetëm evropian që mbetet i trazuar nga kriza e refugjatëve. Në vendin tim, Suedi, një parti politike e cila dëshiron që të na izolojë nga pjesa tjetër e botës, me gjasë do të marrë një numër të konsiderueshëm të votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Dhe, në shumicën e vendeve të Evropës qendrore, të cilat vetëm tash vonë rikthyen ndjenjën e sovranitetit, refugjatët gjerësisht shihen si rrezik për identitetin e tyre kombëtar. Sido që të jetë, këto çështje do ta dominojnë politikën evropiane në vitet që do të vijnë. Evropa është duke u përpjekur ngadalë që ta rindërtojë fleksibilitetin ndaj këtij lloji të traumave, të cilën e përjetoi në vitin 2015. Kemi të bëjmë me një kontinent ,i cili në të kaluarën ka eksportuar luftë dhe trazira, por që tani dëshiron ta mbrojë veten nga problemet e fqinjëve të saj. Njëri ndër mësimet që mund të nxirret nga viti 2015, është se BE-ja do të ketë nevojë që ta zhvillojë një politikë shumë më të fortë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. BE-ja duhet të zëvendësojë retorikën me veprime konkrete, duke pranuar në të njëjtën kohë përgjegjësitë e saj regjionale dhe globale. Telat gjemborë në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë nuk do ta mbrojnë Evropën nga efektet e luftës në Ukrainë, nga puçet dhe terrorizmi në Anadoll, apo nga konfliktet e dhunshme në Levant dhe Mesopotami. Dhe, ata nuk do t'i ndihmojnë Evropës që ta menaxhojë ndryshimin dramatik që është duke ndodhur në Afrikë, e cila pas disa dekadave, do të jetë vendi i deri 40% të popullatës botërore, të moshës së aftë për punë. Evropa është e ndryshme nga vendet e tjera të Perëndimit Një mësim tjetër, që mund të nxirret nga viti 2015, është se vendet evropiane duhet të mësohen që ta ridefinojnë identitetin e tyre nacional. SHBA-ja, Australia dhe Kanadaja, që të gjitha këto shtete janë formuar nga imigrantët dhe shumë prej nesh jemi pasardhës të njerëzve nga diku tjetër. Në fakt, nuk kanë mbetur shumë nga 'popujt e parë' në këto vende. Tani është tërë- sisht e mundur që në Çikago të ketë më shumë njerëz me prejardhje suedeze, sesa në Stokholm. Duhet pranuar se Evropa është e ndryshme nga vendet tjera të Perëndimit. Fiset e saj kanë luftuar kundër njëri-tjetrit me mijëra vjet. Dhe, gjatë dy shekujve të fundit, evropianët kanë ndërtuar shtete të fuqishme kombëtare dhe identitete kombëtare, në bazë të përvojave të gjata, komplekse historike. Edhe vet BE-ja është formuar nga shtetet kombëtare. Por, shtetasit e këtyre shteteve donin të tejkalonin trashëgiminë e tyre të gjatë të tribadizmit dhe luftërave. Vlerësuar sipas këtij qëllimi, gjysmë shekulli i parë i BE-së ka qenë një sukses i mrekullueshëm. Por, problemet janë evidente për të gjithë. Me apo pa arsye, kur populli ndihet se i është rrezikuar identiteti kombëtar, atëherë te ai ngjallen instinktet fisnore. Dhe, në kuadër të një pikëpamjeje me të vërtetë të frikshme, si Brukseli, po ashtu edhe Meka, janë duke u parë si rreziqe fatale. Në mënyrë që Evropa ta gjejë vendin e saj në një botë që ndryshon me të shpejtë, qytetarët e saj duhet të mësohen me identitete të shumëfishta. Një njeri mund të jetë suedez krenar dhe evropian krenar në të njëjtën kohë; dikush tjetër mund të jetë gjerman dhe turk dhe të marrë fuqi nga ai dualizëm. Nuk është mungesë e besnikërisë, nëse e sheh veten si qytetar të botës, përkundrazi, ky është nder. Një ndryshim i tillë i qëndrimeve do ta bënte Evropën një vend shumë të ndryshëm. Përfundimisht do t'i kishim tejkaluar konfliktet dhe frikët antike fisnore dhe do ta përqafonim një të ardhme të gërshetuar dhe digjitale. Merkel, e cila sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar, u tha gjermanëve se ata 'mund ta bënin atë'. Por, mbetet të shihet nëse Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës do ta bëjnë atë. Secili prej nesh e kemi pjesën tonë të punës.

(Carl Bildt është kryesues i Komisionit global për qeverisje në internet dhe pjesëtar i Këshillit për Evropën të Agjendës globale të Forumit ekonomik botëror).

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta

"Kosova Sot"


(Kosova Sot)