Minatorët tanë, krenaria kombëtare, të diskriminuar nga qeveria e Kosovë

Minatorët tanë, krenaria kombëtare, të diskriminuar nga qeveria e Kosovë
  • 25 September 2017 - 08:56

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Demonstratat e studentëve dhe rinisë sonë në pranverën e vitit 1981 u shuan me gjak nga sistemi totalitar, ku forcat serbe vranë, burgosën e maltretuan një pjesë të madhe të qytetarëve tanë, kurse nga mediet dhe specialistët e huaj ngjarjet e '81-tës u trajtuan si lëkundje e themeleve të ish-Jugosllavisë. Do të kalonin edhe disa vjet me revolta sporadike kundër sistemit deri në shkurtin e vitit 1989, ku do të bëheshin ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, me ç'rast Autonomia e Kosovës po eliminohej tërësisht.

Minatorët në ballë të proceseve kombëtare

Ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë kishin për qëllim, riskllavërimin e Kosovës, duke i privuar shqiptarët nga të drejtat më elementare: ndalimin e arsimit në gjuhën shqipe, ndryshimin e historisë, pengesa në zhvillimin ekonomik dhe politik…në mënyrë që gjendja e popullit tonë të rikthehej si në sistemin e mëparshëm të Rankoviqit. Minatorët tanë ishin ndër të parët që refuzuan ndryshimet e Kushtetutës, duke kërkuar ruajtjen e Kushtetutës së vitit 1974. Ata, në shenjë proteste, u ngujuan në korridore të thella mijëra metra nën tokë, duke kundërshtuar ligjet e reja të imponuar nga regjimi milosheviqain dhe duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve. Populli ynë, si gjithnjë solidar për çështjet madhore kombëtare, do të niseshin nga të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës që t'i bashkoheshin grevës së minatorëve. Qindra-mijëra shqiptarë në drejtim të Prishtinës do të krijonin pamje fantastike dhe një solidaritet kurrë më parë të përjetuar. Marshimi qytetarëve tanë drejt Prishtinës dhe këmbëngulja e minatorëve se do qëndronin të ngujuar në zgafellat e tyre nëntokësore, revoltat të fuqishme shpërthyen në të gjitha qytetet e Kosovës ndaj të cilave Serbia do të përdorte forcën, do të mbulonin lajmet televizive botërore, që raportonin mbi padrejtësitë që po u bëheshin popullit tonë nga sistemi i Milosheviqit. Në këto sfida që po kalonin minatorët dhe mbarë Kosova, do të solidarizoheshin me demonstratë masive në tërë metropolet botërore, ndërsa në Bruksel, Komiteti i Enver Hadrit e kishte iniciuar aprovimin e një rezolute në Parlamentin Evropian, e cila dhe u aprovua më 12 prill 1989 unanimisht , ku përveç të tjerash kërkohej: " A. tejet i shqetësuar me situatë eksplozive, në prag të luftës civile, dhe turbullirat të cilat janë shkaktuar në Kosovë, në qytete të Prishtinës, Podujevës dhe në Mitrovicën e Kosovës, forcat e armatosura pas dy ditë përleshjeje kanë shkaktuar viktima të shumta, më 29 mars;B ) të mllefosur nga represaliet policore dhe ushtarake, si dhe nga vala e arrestimeve, ku prek shumë personalitete të jetës publike; 1. Nënvizojmë se paqja mund të rrezikohet nëse ndjenjat nacionaliste vazhdojnë të nxiten në Jugosllavi, e që nuk do të shpëtojë pa konsekuenca të rënda... ". Minatorët e ringjallën çështjen, vetëdijen dhe interesat vitale kombëtare. Ato ditë në ballinën e gazetave prestigjioze botërore ndër temat kryesore ishte edhe Kosova, duke iu falënderuar guximit dhe këmbënguljes së minatorëve të ngujuar në zgafella. Gazetari gjerman Viktor Majer për këto ngjarje shkruan: "Greva e urisë së minatorëve goditi rëndë në zemër regjimin komunist jugosllav. Nuk ishin intelektualët ata që kishin ngritur krye, por minatorët...". Rezoluta e Parlamentit Evropian në favor të popullit tonë, mediet botërore po ashtu në përkrahje të minatorëve dhe represalieve të forcave serbe kundër shqiptarëve do ta shqetësonin Serbinë tej mase dhe do t'i detyronte dirigjuesit politikë të gjenin pretekste për t'i arsyetuar sjelljet e tyre brutale ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Shtypi dhe politika serbe, për t'i justifikuar vrasjet dhe maltretimet që ua bënin popullit shqiptar nga policia dhe ushtria serbe, i fajësonin minatorët, duke i quajtur si nxitës dhe prishës të situatës politike. Minatorët nxitës?! Minatorët prishës të rendit e të qetësisë politike?! Minatorët fajtorë?! Këto propaganda antishqiptare nuk ishin bindëse për gazetarët e huaj e as për personalitetet politike botërore si e dokumenton rezoluta e Parlamentit Evropian, që urgjentisht i kërkon autoriteteve jugosllave të asaj kohe të pranojnë një delegacion nga Parlamenti Evropian të udhëhequr nga eurodeputetja Dorsi Pack të vizitonin Kosovës, për ta parë nga afër situatën reale.

Minatorët, një hap përpara politikës

Grevat e minatorëve, mbi 7641 të futur në grevë, nuk do kalonin pa ndëshkimin e politikës antishqiptare serbe. Mbi 3000 u burgosën, ndërsa u rrahën me metoda barbare mbi 400, kurse shumë të tjerë i dërguan në burgje të Serbisë në izolim. Pavarësisht ndëshkimeve të padrejta që po ua bënte sistemi, minatorët tanë nuk pranonin të ktheheshin në vendet e tyre të punës, sepse për t'u kthyer duhej të nënshkruanin se e njohin Serbinë si shtet dhe t'i pranonin masat e dhunshme. Pjesa më e madhe e punëtorëve tanë nuk i pranuan kushtet që i parashtronte sistemi milosheviqain, mirëpo kishte të tillë që pranuan dhe vazhduan të punonin. Të tillët në popull njiheshin si "shqiptar i ndershëm", që në fakt ata që pranonin ato kushte trajtoheshin si tradhtarë të çështjes kombëtare. Të tillëve as nuk guxohej t'i thuhej tradhtarë, sepse ata i mbronte ligji drakonian i masave të dhunshme të vendosura mbi tërë institucionet e Kosovës. Minatorët, më të vendosur se kurrë, nuk po iu nënshtroheshin as torturave, e as vrasjeve që policia serbe ushtronte mbi ta, andaj më 3 shtator 1990 përsëri do t'ia lëkundnin themelet e ishJugosllavisë, duke e paralizuar tërë jetën, sektorët e punës. Greva e tre shtatorit 1990 ishte ngjarje që përsëri do të ishte në ballinat kryesore të gazetave botërore, përmes së cilës po riaktualizohej situata dramatike e shqiptarëve nën regjimin komunist jugosllav respektivisht serb.

Të persekutuar nga Serbia, tani të diskriminuar nga Qeveria

Jeta e minatorëve tanë, të cilët nuk i pranuan kushtet e politikës serbe, gjithnjë ishte në rrezik, mirëpo për të përballuar rreziqet dhe kushtet e vështira të jetës, ata kishin mbështetjen morale dhe materiale të popullit. Krenari konsiderohej çdo revoltë, çdo kundërshtim që ua bënin sistemit okupues, dhe me këtë përkrahje morale jeta vazhdonte, e armikut i shkurtoheshin ditët e pushtimit mbi Kosovën. Me përfundimin e luftës, popullin e kaploi euforia e lirisë, që ishte fundi i robërisë, dhe jetën secili e imagjinonte me një zhvillim ekonomik dhe kulturor, ku më nuk do të ekzistonin padrejtësitë ndaj shqiptarit, siç kishin përjetuar nën okupim. Vitet kalonin e u bënë dekada, kurse gjendja ekonomike e punëtorëve tanë, në vend se të përmirësohej, po keqë- sohej. Gjendja ekonomike e minatorëve, që dikur ishin krenaria kombëtare, në vend që të stabilizohej, po vështirësohej ditë më ditë. Minatorët, që dikur ishin në moshë të re, tani janë në moshë të pensionit, e për të cilët askush kurrë më nuk u kujdes. Minatorëve nuk u njihet stazhi Minatorët, të cilët dikur i rezistuan sistemit dhe forcave ushtarako-policore serbe, tani shumica prej tyre janë në moshë të pensionimit. Në bazë të ligjeve në fuqi, minatorët të cilët u larguan nga puna, sepse nuk e pranuan Serbinë si shtet, Qeveria e Kosovës që nga pas lufta e deri sot minatorëve nuk ua pranon stazhin e punës, pikërisht ashtu siç nuk i kishte pranuar as qeveria e Serbisë. Sipas ligjeve tona, në mungesë të stazhit të plot, minatorët mbeten të lënë e të harruar dhe trajtohen njëlloj si lypsarë, ku marrin vetëm nga shtatëdhjetë e pesë euro. Minatorët, të cilët dikur quheshin "të ndershëm", sepse pranuan masat e dhunshme dhe Serbinë si shtet, u njihen vitet e plota të stazhit. Nëse Qeveria e Kosovës vazhdon me këtë praktikë, atëherë e tërë sakrifica e popullit tonë, e veçmas e minatorëve, po injorohet dhe po diskriminohet. Më dashje apo me neglizhencë, Qeveria e Kosovës po duket se në mënyrë direkte po dirigjohet nga Beogradi, sepse të gjithë ata që dikur sakrifikuan dhe luftuan për çlirimin e Kosovës, sot po diskriminohen sikur të ishin në qendër të Beogradit e jo në Kosovë!

Pse Sindikata e sotme hesht?!

Ka shumë vjet që Haxhi Arifi gjendet në krye të Sindikatës, i cili e ka për obligim moral dhe ligjor të kërkojë nga Qeveria njohjen e stazhit të minatorëve, të cilët i refuzuan ligjet e sistemit okupues. Gjer më sot, zëri i tij nuk u dëgjua lidhur me këtë temë të ndjeshme. Gjer më sot, Qeveria thellësisht i ka injoruar dhe i ka përbuzur minatorët tanë që dikur ishin krenaria jonë. Është krejt normale që Haxhi Arifi e stafi i tij nuk e kanë ngritur zërin për minatorët e tyre, sepse këta nuk kanë nevojë për pensione, edhe pse janë të pensionuar. Kudo në botë sindikatat u dalin zot punëtorëve e jo qeverisë. Qeveritë e ndryshme në botë dridhen nga kërkesat e sindikatave, ndërsa në Kosovë Sindikata dhe Qeveria janë një. Minatorët shpresojnë që këtë vit kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, do të marrë guximin dhe do të vlerësojë sakrificën e minatorëve gjer më tani të nëpërkëmbur nga secila qeveri. Minatorët tanë nuk po kërkojnë mirënjohje e as t'u njihet statusi i heronjve, por vetëm njohjen e stazhit, e asgjë tjetër.

(Kosova Sot)