< Kosova nuk ka diplomaci të zhvilluar - Opinione - Kosova Sot
Kosova nuk ka diplomaci tė zhvilluar

Kosova nuk ka diplomaci tė zhvilluar

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Kosova i ngjan një fëmije të vogël, i cili tenton t'i bëjë hapat e parë, por nga këmbët ende të brishta ndjen nevojën e prindërve t'i qëndrojnë pranë. Aktualisht, vendi ynë është duke i bërë hapat e parë drejt ngritjes, mirëpo i duhet ndihma e aleatëve perëndimorë për të pasur mundësi të ecim lirshëm e të sigurt, si dhe është esenciale që Qeveria jonë problemeve të anëtarësimeve në organizata të fuqishme botërore t'i qasët me profesionalizëm dhe seriozitet.

Papërgatitja e diplomatëve kosovarë

Partitë politike, të cilat pas votimeve e konstituojnë Qeverinë, të gjitha pa dallim e kanë bërë një shprehi që për çdo mossukses t'i akuzojnë aleatët tanë perëndimorë, në mënyrë që të arsyetojnë mosaftësitë profesionale duke e mashtruar opinionin tonë. Këto deklarata sterile të ministrave tanë janë për konsum të brendshëm, që të arsyetohen para popullit se gjoja ndërkombëtarët nuk po lejojnë. Populli shqiptar ka një respekt të veçantë ndaj SHBA-së dhe Evropës, pa të cilët ne ende do mbeteshim nën robëri, andaj çdo dështim të Qeverisë e marrin me një lehtësim, duke menduar se e dinë amerikanët kur duhet dhe çka duhet. Në fakt, si diplomacia amerikane, edhe ajo evropiane janë shumë konfuze ndaj përfaqësimit të Kosovës në institucione relevante botërore, si edhe me kërkesat e shqiptarëve shpeshherë të paartikuluara e aspak të përgatitura. Të gjitha takimet që janë zhvilluar gjer më sot, qofshin ato të Vjenës apo të Brukselit, pala shqiptare gjithnjë kanë shkuar të papërgatitur, ndërsa pala serbe të përgatitur me dosje dhe palës sonë i ka mbetur vetëm të aprovojnë kërkesat dhe dëshirat e Serbisë. Në asnjërin prej takimeve (që janë zhvilluar me qindra), pala kosovare kurrë nuk ka shkuar më kërkesa të përpiluara ditë më parë nga ekspertët e fushave që janë zhvilluar takimet e shumicën e të cilave e ka udhëhequr pamëshirshëm ndaj nesh Edita Tahiri. Nuk është rastësi, por as nuk është këmbëngulësi e Brukselit që në zemër të Kosovës të formohet shtet mbi shtet të quajtur Bashkësia e Komunave Serbe. Krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe do të konsiderohej kërkesë legjitime, sepse të tilla ka në shumë vende evropiane dhe është pjesë e sistemeve demokratike, mirëpo jo që ato të kenë të rezervuara të drejtën për shkëputje e të mos e njohin shtetin ku jetojnë. Në rastin tonë, Edita Tahiri, edhe pa asnjë ditë shkollë po të ishte, nuk është dashur të pranojë e as të nënshkruajë një asociacion, të cilit i jepet e drejta e krijimit të një minishteti një pakice, e cila i ka të drejtat më të mëdha se shqiptarët. Është dashur intervenimi i zonjës Doris Pack dhe të diplomacisë gjermane që Bashkësia e Komunave Serbe të mos krijohet siç e kanë akceptuar Edita dhe Hashim Thaçi dhe ky problem të shqyrtohet nga Kushtetuta e Kosovës. Në këto takime dhe në çdo takim radhës, euro-amerikanët mund të japin këshilla, por jo edhe të marrin vendime, sepse do të hasin në rezistencë nga diplomacia serbo-ruse për përzierje në punë të brendshme të negociatorëve. Kërkesat, artikulimet dhe vendimet duhet të jenë këmbëngulësese nga vetë negociatorët tanë.

Pse Kosova nuk e ka të zhvilluar diplomacinë ?

Kuvendi i Kosovës është pasqyra më e mirë ku personalitetet politike, përmes diskutimeve, e tregojnë seriozitetin ose mosseriozitetin si dhe karakterin e tyre individualë. Deputetët e zgjedhur me votën e lirë ose të manipuluar, kur të dalin në foltore apo televizione, e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, ku pjesa më e madhe e tyre nuk dinë të shprehen në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës, ku pjesa dërmuese e tyre nuk kanë edukatë themelore dhe respekt ndaj shtetit prej të cilit paguhen. Ka shumë vite që në Kuvendin tonë preferohet gjuha e akuzave, forcës dhe e muskujve dhe e gjuajtjes se gazit lotsjellës, e madje edhe gjuajtje më predha të kalibrit shkatërrues mbi ndërtesën e Parlamentit. Duke u bazuar në fjalorin bastard të shumicës së deputetëve pozitë -opozitë, dhe në sjelljet terroriste të VV-së jo vetëm ndaj Kuvendit, por edhe kundër çdonjërit që nuk pajtohet me mendimin e kësaj partie jo radikale, por staliniste, lirshëm mund të konkludojmë se Kosova nuk ka diplomaci dhe nuk do të ketë edhe për shumë vite, e ata që i ka nuk i përdor për interesa të rritjes së shtetit. Si do të konsiderohej deputeti Fisnik Ismaili, Frashër Krasniqi … nga personalitetet politike euroamerikane, i cili mendon se vetëm më forcë gjunjëzohet populli dhe deputetët kundërshtarë ?! Gjatë një takimi me cilindo deputet të botës së civilizuar Fisnik Ismaili do të linte përshtypje të një njeriu të posadalë nga epoka parahistorike, por që ka mësuar të flasë. Si do të bindet një personalitet i perëndimit për ndonjë kërkesë që mund t'ia parashtronte Fisnik Ismaili apo Frashër Krasniqi? Nëse zyrtari perëndimor nuk do t'i përkrahte kërkesat, deputetët e VV-së do t'i grushtojnë. Forca e grushtit është vetëm një nënçmim që i bëhet jo kundërshtarit, por vetvetes së pari, e pastaj tërë Kosovës. Nga deputetët dalin ministra, nga ministra kryetar të shtetit, e në këtë kontekst mund të themi se nga kjo strukturë deputetësh ku shumica nuk e kanë edukatën elementare të gjuhës diplomatike, ne ende jemi pas të gjitha vendeve fqinje të rajonit.

Ku qëndron diplomacia serbe ndaj Kosovës

Diplomacia serbe ndaj Kosovës është shumë lart dhe tepër e aktivizuar pak vite pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në vitet e para të pasluftës, Serbia ka pasur vështirësi për të rindërtuar kontaktet më perëndimorët, sepse ata trajtoheshin si kriminelë dhe shkaktarë të fillimit të luftës. Mirëpo, brenda shumë pak vitesh, serbët angazhuan diplomacinë e tyre në katër anët e botës, por duke u përqendruar në Wshington, Paris, Londër dhe Bruksel. Në institucionet e këtyre shteteve ata dërguan, përveç trupit diplomatik, edhe djem e vajza, burra e gra të shkolluar me profesione të ndryshme si gazetarë, piktorë, shkrimtarë, politikanë, të cilët do të depërtonin aty ku imazhi i Serbisë ishte i shkatërruar, këta e përmirësonin. Diplomacia që zhvillohet gjatë takimeve në zyrë të zyrtarëve të lartë nuk është aspak e vlefshme sa është ajo që zhvillohet në takime private, si në restorante, shtëpi private, në takime letrare dhe aktivitete të ndryshme kulturore që janë parapërgatitje të ndërtimit të urave për takime të qëndrueshme diplomatike. Vetëm në NATO dhe në Këshillin Evropian, Serbia i ka të angazhuar hiç më pak se dyzetë intelektualë, të cilët janë aktivë ditë e natë, duke vepruar për përmirësimin e imazhit të shtetit të tyre dhe kundër interesave të Kosovës. Diplomacisë serbe, dukshëm është duke i ndihmuar heshtja dhe arroganca e politikës sonë. Personalitetet politike tona mendojnë se pas një takimi me një përfaqësues të lartë evropian e kanë kryer misionin e tyre diplomatik, dhe na paraqitën në mediet tona me fotografi të tyre thuajse kanë bërë punë të madhe.

Qeveria jonë as nuk dinë, e as nuk dëshiron të dijë

Qeveritë tona, pa dallim, gjer më sot nuk kanë ditur ta zhvillojnë diplomacinë kombëtare. Dhe, Qeveria ende qëndron në ato pozita. Askush asnjëherë nuk është interesuar që emërimi i ambasadorëve tanë të bëhet sipas kritereve që i kërkon kjo fushë e ndjeshme që quhet diplomaci dhe që e dizajnon imazhin e një shteti. Partitë politike që e formojnë Qeverinë i emërojnë ambasadorët sipas klaneve fisnore e pastaj partiake, duke qenë të vetëdijshëm se po e dëmtojnë atdheun. Kosova ka djem e vasha, Kosova ka burra e gra që dine t'i mbrojnë interesat kombëtare në çdo institucion botëror, mirëpo ata duhet të neglizhohen, sepse nuk janë të partisë së tyre. Kosova nuk mund të bëhet anëtare e UNESCO-s, e as e Interpolit, nga dobësitë tona dhe mungesa e aktiviteteve diplomatike. Fajin nuk duhet kërkuar në Beograd, por në Prishtinë. Mendoj se në të ardhmen do të dalin gjenerata të reja dhe që ndoshta do të gjejnë hapësirë të tregojnë aftësitë e tyre.

(Kosova Sot)

19 orë e 48 minuta më parë