Çka me Rusinë pas Putinit? - Opinione - Kosova Sot
Çka me Rusinë pas Putinit?

Çka me Rusinë pas Putinit?

Shkruan: Natalie Nougayrede 

KËTË SHTET E PRET DËSHTIMI

Putini ka thënë se do të garojë përsëri. Por, sikur që tregoi rënia e BRSS-së, mund të ndodhë edhe e papritura

Sipas skenarit të parë, Putini është vetëm fytyrë e sistemit rus të pushtetit, e jo mishërimi i tij i plotë. Ky sistem një ditë mund ta zëvendësojë atë pa u reformuar vetë

Vladimir Putin ka deklaruar se do të garojë përsëri për postin e presidentit në zgjedhjet e marsit. Ai nuk ka konkurrent serioz. Para tij gjendet një mandat tjetër gjashtëvjeçar. Asgjë nga kjo nuk është befasi, por shtrohet pyetja se kah është duke shkuar Rusia dhe, çka të bëjmë në këtë drejtim. Para vitit 1991, zor se ndokush ka mundur ta parashikonte rënien e BRSS-së; sot askush nuk merr guximin që ta parashikojë fundin e Putinizmit. Bindja e përhapur midis zyrtarëve dhe ekspertëve perëndimorë - e edhe në vet Rusinë - është se Putini mund të qëndrojë në post edhe një kohë të gjatë. Ai ka nxitur valën e nacionalizmit militar, si për ta konsoliduar fuqinë e tij në vend, po ashtu edhe për ta vënë në pah ndikimin e Rusisë në botë. Deri më tani, kjo ka funksionuar. A mund të zgjatë? Narrativat kontradiktore rreth Rusisë nuk janë gjë e re. Një gazetar rus në një rast kishte pyetur Boris Yeltsinin se, sipas mendimit të tij, si i kishte punët Rusia. "Mirë!" kishte bërtitur ai. Pasi gazetari kishte sugjeruar se kishte pritur një përgjigje më të gjatë, Yeltsin kishte bërtitur: "Jo mirë!" Kjo anekdotë u dëgjua në konferencën "Chatham House" të mbajtur këtë javë në Berlin, pak kohë para deklaratës së Putinit. Gjatë diskutimeve, në pah dolën dy narracione të ndryshme. Ekspertët amerikanë, evropianë dhe rusë gjithnjë e më shumë janë duke shtruar pyetjen se a mundet Rusia për një kohë të gjatë të vazhdojë si fuqi konfrontuese dhe revizioniste, në kërkim të hakmarrjes për poshtërimin që i është bërë, me përfundimin e Luftës së ftohtë. Pjesa më e madhe e tyre përgjigjen se, po.

Rusia nuk ka interes për zgjidhjen e situatave konfliktuoze

Kjo logjikë thotë se Putini nuk i ka lënë vetes derë tjetër. Pas protestave të mëdha në rrugë, viteve 2011-12, atij iu desh që ta gjente një legjitimitet të ri politik. Rrëzimi në vitin 2014 i presidentit Viktor Yanukovych në Ukrainë, si pasojë e kryengritjes popullore, ia ofroi Putinit këtë mundësi: hezitimi perëndimor në Siri e kishte bindur atë se SHBA-ja do ta gëlltiste aneksimin e Krimesë, në vend se të reagonte ndaj tij. Rusia sot është në luftë, në Siri dhe Ukrainë dhe, kjo është normalja e re e jo një fazë kalimtare. Shoqëria ruse ka përqafuar nacionalizmin agresiv dhe ndjenjat antiperëndimore. Rusia nuk ka interes për zgjidhjen e situatave konfliktuoze dhe e sheh përdorimin e forcës si instrument kyç për arritjen e qëllimeve të politikës së jashtme. GDP-ja e Rusisë mund të jetë sa ajo e Italisë dhe ajo nuk ka arritur që ta diversifikojë ekonominë e saj, por but Putini e kompenson këtë duke ngritur prestigjin ndërkombëtar të Rusisë. Ai e largon vëmendjen nga dobësitë e brendshme të Rusisë, duke përfituar nga dobësitë e Perëndimit, të rritura tani pas ardhjes së Trumpit në pushtet. Putini është në formë të mirë. Ai do të jetë këndej pari edhe një kohë të gjatë. Një pakicë tjetër mendon se asgjë nga kjo nuk është e mundur. Putin është duke qëndruar në pushtet (si president, apo kryeministër) për aq kohë sa edhe Leonid Brezhnev, i cili e udhëhoqi BRSS-në kah fundi i saj tragjik. Në fund të mandatit të tij të ardhshëm, Putini do të mbushë 71 vjet. Edhe pa ndryshim të kushtetutës, mund të pritet që ai të garojë për president edhe në vitin 2030, kur do të ketë 77 vjet (pas një pauze të ngjashme me atë kur president ishte Medvedevi - 2008-12). Rusët kanë përjetuar gerontokraci edhe më parë dhe, rezultati i saj nuk ishte aspak i mirë. Putini ballafaqohet me një problem të trashëgimisë në një petro-shtet, ku ekonomia është në ngecje, sikur që ishte edhe në epokën e Brezhnevit. Sikur edhe në fund të viteve 1980, çmimet globale të naftës janë të ulëta dhe pritet që të mbesin të tilla. "Pitja" e klasës së oligarkëve të Rusisë do të vijë duke u zvogëluar. Konfliktet brenda elitës sunduese janë evidente, ku një ish ministër është duke u gjykuar për ryshfet. Një shpëlarje i mendjeve e lë Rusinë pa shumë të rinj të talentuar, të cilët janë duke emigruar me të madhe. Rusinë e pret dështimi. Një Kinë në ngritje e sipër është duke i turfulluar gjithnjë e më shumë asaj në qafë. Planet e Putinit për një "Union Euraziatik" janë si guacë e zbrazët. Nacionalizmi bombastik do të rrënohet nga vetvetja. Putinizmi do ta bëjë rrugëtimin e vet. Si të sillemi ndaj Rusisë? Përgjigja varet nga ajo se cilin variant e përzgjedhim si më të mundshëm. Nëse Putinizmi do të zgjatë në formën e tij të tashme, atëherë përmbajtja (kufizimi) i Rusisë do të ketë rol esencial. Aleancat perëndimore duhet të sigurojnë të gjitha opsionet e mundshme për ta pamundësuar suksesin e ndonjë lufte të Rusisë në Evropë. Do të ishte marrëzi të prisje që agresiviteti i Rusisë do të zhduket së shpejti. Në fakt, Moska beson se do të përfitojë nga dobësimi i rendit botëror, të bazuar te OKB-ja. Kjo ka qenë në qendër të politikave të saj në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. 

Rusët mund të ëndërrojnë standardet jetësore perëndimore

Nëse, në anën tjetër, Putinizmi është duke hyrë ngadalë në fazën fillestare, atëherë me vend do të ishin përgatitjet për ndryshime të rëndësishme në Rusi. Sikur ndokush të ishte përgatitur për kolapsin e sistemit sovjetik, atëherë do të mund të evitoheshin gabimet: duke ia ofruar Rusisë post sovjetike një ekuivalent të Planit Marshall, do të parandalohej rrëshqitja e saj kah autoritarizmi. Për t'u modernizuar dhe stabilizuar, Rusisë do t'i duhet që t'i kthehet Evropës, thotë kjo teori. Kur të vijë kjo kohë, Rusisë duhet t'i ofrohet një pako e afrimit me Perëndimin, të bashkëngjitur me kushte strikte, duke përfshirë edhe tërheqjen e plotë të trupave nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Sipas skenarit të parë, Putini është vetëm fytyrë e sistemit rus të pushtetit, e jo mishërimi i tij i plotë. Ky sistem një ditë mund ta zëvendësojë atë pa u reformuar vet. Të merresh shumë me Putinin, dmth të biesh në kurth, meqë një gjë e tillë nuk merr parasysh kursin më të thellë, të qëndrueshëm në të cilin gjendet Rusia. Rusët mund të ëndërrojnë standardet jetësore perëndimore, por ata nuk janë fort të interesuar rreth demokracisë apo bashkëpunimit me Evropën. Skenari i dytë - përfundimi i Putinizmit - do të rezultonte me çarje politike në Rusi, të cilat demokracitë perëndimore do të bënin mirë po t'i paraprinin. Rusët ndjehen shumë më të afërt me evropianët, sesa me kinezët. Ata duan që të jetojnë në një shoqëri "normale" e jo në një shoqëri të përfshirë nga një paranojë Orwelliane, me korrupsion të përhapur. Pikëpamja e parë duket më realiste. E dyta ofron një fije shprese. Putini e bëri deklaratën e tij këtë javë në një vend interesant: në qytetin Nizhny Novgorod, që dikur mbante emrin Gorki, ku Andrei Sakharov, disidenti i madh sovjetik dhe fituesi i çmimit Nobel për paqe, jetoi në një ekzil të brendshëm, pasi që Brezhnev urdhëroi arrestimin e tij në vitin 1980, meqë ai kishte protestuar kundër luftës sovjetike në Afganistan. Një dekadë më vonë, në Rusi shpërthyen transformimet të cilat askujt nuk kishin mundur t'i shkonin në mend. 

(Natalie Nougayrède është analiste e "Guardian"-it) 

(Kosova Sot) 

23 orë e 8 minuta më parë
23/07/18