Triumfi i demokracisë përmes pastrimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë e në Shqipëri - Opinione - Kosova Sot
Triumfi i demokracisë përmes pastrimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë e në Shqipëri

Triumfi i demokracisë përmes pastrimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë e në Shqipëri

2018-ta - Viti i VETTING-ut për shqiptarët, faleminderit SHBA (pj.1)

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Ky shkrim nuk kufizohet vetëm për Shqipërinë, por përfshin edhe Kosovën, pasi realiteti është njëlloj për të dy shtetet. Gjendja e rëndë dhe jo normale ku ndodhet SOT Shqipëria dhe shqiptarët: të fundit në Evropë në rrugën e zhvillimit, të qytetërimit, të demokratizimit, të shtetndërtimit ligjor dhe të integrimit, si dhe vendi i parë për papunësi,për varfëri ,për korrupsion dhe për largimin nga atdheu; gjendje e cila u ka ardhur shqiptarëve nga politika dhe politikanët e tyre kërkon dhe shtron para shqiptarëve detyrën parë- sore kombëtare dhe që është domosdoshmëri dhe urgjencë : zbatimi i VETTING-ut, në mënyrë që shqiptarët të çlirohen nga prangat e korrupsionit, të krimit dhe të padrejtësisë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Beteja më e rëndësishme sot për shqiptarët është lufta për ta fituar VETTING-u kundër krimit, korrupsionit e hajdutërisë, beteja për ta fituar luftën drejtësia. Në këtë betejë shqiptarët kanë përkrah aleatin e madh dhe superfuqinë e vetme botërore ,SHBA-të. 

Shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë shans

Falë SHBA-ve shqiptarët arritën një fitore tjetër të madhe, jetike, patriotike, kombëtare dhe demokratikoligjore, atë të Kryereformës, Reformës më të madhe në historinë e shtetit shqiptar, atë të Drejtësisë, pasi ka 100 vjet që shqiptarët vuajnë , pësojnë dhe largohen nga atdheu prej tmerrit të padrejtësive. Faleminderit SHBA, që edhe tani me VETTING-un të cilin e patët prioritet për Shqiptarët, pasi me VETTING-un do të Rilindë Shqipëria, faleminderit edhe për përkrahjen tuaj që u keni dhënë historikisht shqiptarëve ,dhe që falë Jush kombi shqiptari mbijetoi si shtet, Shqipëria. Ju keni qenë siguria dhe garancia e Shtetit shqiptar të Shqipërisë. Pa Juve nuk do të kishim sot shtetin e pavarur të Kosovës, dhe jeni po Ju që kontribuoni aq shumë për shtetndërtimin modern dhe për integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. VETTING-u është për nga rëndësia një liri apo Çlirim i dytë i Shqiptarëve pas Çlirimit nga diktatura ,dhe është pavarësia e dytë, është një pavarësi dhe lirim i shqiptarëve prej prangave të korrupsionit, krimit, prej vjedhjes, prej papërgjegjshmërisë dhe prej abuzimeve të tmerrshme që kanë bërë mbi shqiptarët politika ,drejtësia dhe korrupsioni të cilat kanë kapur shtetin, shoqërinë ,autoritetin, pushtetin, ligjin, drejtësinë dhe që e mbajnë larg zhvillimin ,mirëqenien dhe integrimin. Shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë shans, si shansin më të mirë në Historinë e tyre.

Prej padrejtësive burojnë krimi, korrupsioni, urrejtja, përçarja

Shpresoj që edhe ambasadori i SHBAsë në Kosovë të ushtrojë gjithë ndikimin dhe presionin e tij demokratik dhe të politikës e të prioriteteve amerikane shqiptarodashëse edhe mbi politikën dhe pushtetarët e Kosovës që edhe ata t'i nënshtrohen ligjit dhe drejtësisë ashtu sikurse edhe ka filluar në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët kudo ndodhen u janë mirënjohës SHBA-së për atë se çfarë ka bërë SHBA-ja për Shqipërinë dhe për shqiptarët prej më shumë se një shekull në mbrojtje të lirive dhe të të drejtave të tyre njerëzore, kombëtare dhe shtetërore, për demokracinë dhe për integrimin. Prandaj shqiptarët kanë bindjen,shpresën dhe besimin e madh vetëm te SHBA-ja për triumfin e demokracisë, të ndërtimit të shtetit ligjor me standarde moderne dhe për integrimin perëndimor dhe nuk e kanë te politikanët e pushtetarët e tyre aktualë. Kjo për faktin se politikanët ,pushtetarët dhe drejtësia shqiptare e sotme kuptojnë dhe kanë si kulturë të tyre të drejtën dhe lirinë për të bërë gjithçka edhe amorale, joligjore, korruptive dhe kriminale duke guxuar t'i bëjnë këto sepse kanë në dorë dhe si pronë të tyre edhe pushtetin, edhe drejtësinë ,edhe korrupsionin. Pra, ata janë injorantë "demokratikë", të pashpirt dhe se mendojnë që janë edhe të pasfidueshëm. Prandaj Viti 2018 për shqiptarët duhet të jetë Viti i VETTINGut,Viti i pajtimit, i bashkimit, i tolerancës, i humanitetit dhe i integrimit, viti i kthimit të besimit te ligji, te drejtësia, te demokracia dhe te shteti. Kjo nuk mund të arrihet pa një skanim i cili duhet ta purifikojë( pastrojë) politikën, pushtetin dhe sidomos drejtësinë në Shqipëri dhe Kosovë. Prej padrejtësive burojnë krimi, korrupsioni, urrejtja, përçarja, mosbesimi, humbja e shpresës, varfëria, mjerimi dhe të gjitha të këqijat shoqërore dhe mosintegrimi. Pra, le të jetë Viti 2018 viti kthimit te besimi, te demokracia, te progresi të cilit i paraprin zbatimi i Kryereformës së drejtësisë ,të politikës dhe të shoqërisë , zbatimi i VETTING-ut. (Vazhdon)

(Kosova Sot)

11 orë e 53 minuta më parë
17/08/18