Rritet pakënaqësia e Rusisë me Putinin - Opinione - Kosova Sot
Rritet pakėnaqėsia e Rusisė me Putinin

Rritet pakėnaqėsia e Rusisė me Putinin

HAPAT GJIGANTË, TË CILËT I KA NDËRMARRË SHOQËRIA RUSE

Njerëzit duan që të dëgjojnë nga Navalny, një bloger antikorrupsion

Shkruan: Vitali Shkliarov

Edhe pse rizgjedhja e Vladimir Putinit në postin e presidentit, në muajin mars, do të paraqitet në ballinat e shtypit ndërkombë- tar, arritja më e madhe e ciklit zgjedhor do të jenë hapat gjigantë, të cilët i ka ndërmarrë shoqëria ruse, përkundër tentimeve të qeverisë për ta shuar çdo formë të pakënaqësisë. Me një numër kandidatësh të mëdhenj që garojnë në zgjedhje, diskursi ka filluar që të ndryshojë. Ekziston një fokus i përtërirë ndaj përmirësimit të agjendës vendore dhe një bisedë serioze rreth çështjeve të patronazhit, të cilat e përshkruajnë një sistem nga i cili përfitojnë vetëm më të pasurit. 

Një dënim me motive politike

Nuk është kot së koti që mitingjet e Alexei Navalny't joshën me mijëra njerëz në tërë vendin. Njerëzit duan që të dëgjojnë nga Navalny, një bloger antikorrupsion dhe avokat, kush ishte sfiduesi më serioz i Putinit për zgjedhjet e ardhshme, derisa atij personi iu pamundësua konkurrimi, për shkak të dënimit për korrupsion në një proces të kurdisur. Kritikët e Navalny't besojnë se ky ishte një dënim me motive politike dhe Navalny ka thënë se do të ankohet. Edhe pse Navalny me gjasë është kundërshtari më i njohur i Putinit dhe, me gjasë, ai të cilin Kremlini e konsideron si më të rrezikshmin, në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë disa kritikë të Putinit, të cilët kanë filluar që të bëhen të zëshëm. Merreni p.sh. rastin e Grigory Yavlinskyt, një lider i Partisë (liberale) "Yabloko" dhe një kandidat tjetër presidencial në zgjedhjet e ardhshme. Atij i ishte ndaluar konkurrimi në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, të mbajtura në vitin 2012, përkundër asaj se kishte mbledhur 2 milionë nënshkrime për nominim. Por, përkundër kësaj, Yavlinksy tash vonë u paraqit në kanalet TV të kontrolluar nga Kremlini - NTV dhe 'Russia-1', për herë të parë pas viteve të tëra dhe ai nuk foli për punësimin amerikan, "juntën e Kievit", ndalesën e Rusisë nga pjesë- marrja në Lojërat olimpike, apo në tërheqjen e shortit për Kupën botërore. Në vend të kësaj, ai foli rreth politikave ekonomike dhe sociale të Rusisë, nevojës për ndryshime dhe si të trajtohet varfëria dhe korrupsioni në Moskë. Më pas u transmetua një episod i ri i "Të dielës mbrëma me Vladimir Solovyov", që është njëri ndër 10 emisionet më të shikuara televizive në Rusi. Solovyov, i cili e udhëheq këtë emision të përditshëm politik ditor me debat, njihet si propagandist i Kremlinit dhe polemicist agresiv. Përkundër këtij reputacioni, ai intervistoi Ksenia Sobchakun, 36 vjeç, e cila po ashtu është duke garuar për president në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk e sheh veten vetëm si kundërshtare të Putinit, por edhe si kandidate "kundër të gjithëve" (ky është slogani i saj parazgjedhor). Në emisionin e tij, Sobchak, këshilltar i të cilës jam edhe unë, u angazhua për një votë kundër 'politikës së rëndomtë' dhe për thyerjen e statusquosë.

Pabarazia sistematike

Merreni me mend: një politikani të kalitur të opozitës (Yavlinksky) dhe kandidatit më të ri presidencial të Rusisë (Sobchak) iu dha rasti që të flisnin lirshëm në televizionin shtetëror rreth problemeve të brendshme të Rusisë dhe ideve të tyre sesi të korrigjohet sistemi i korruptuar. Kremlini nuk lejon shpesh një qasje të tillë të liderëve opozitarë. Vetëm dy vjet më parë, gjatë kampanjës për Dumën shtetërore (dhomën e ulët të Asamblesë federale ruse), kandidatëve opozitarë iu ishin ndarë vetëm 2 minuta për ta paraqitur agjendën dhe kampanjën e tyre në TVnë lokale të Moskës. Sot, paraqitja e kandidatëve politikë përbën një pjesë më të rregullt të orarit TV dhe ata e kanë lirinë që të thonë shumë më shumë. Merreni me mend që, në intervistën e njëjtë, të përmendur më lart, Sobchak thoshte se Krimea i takon(te) Ukrainës, një pohim të cilin vetëm deri disa vjet më parë, Kremlini do ta kishte ndëshkuar ashpër. Prandaj, shtrohet pyetja, pse Kremlini ua jep lirinë e shprehjes kandidatëve opozitarë, në kanalet televizive shtetërore, të cilët shihen thuajse në tërë vendin? Ndoshta administrata përfundimisht ka kuptuar se, derisa është e mundshme që Navalny të pengohet nga pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale, forcat të cilat ndikuan në ngritjen e tij nuk mund të injorohen më. Pabarazia sistematike, patronazhi i shfrenuar në Kremlin dhe një ekonomi e ngecur, nuk janë më të pranueshme. Apo, ndoshta Kremlini ka frikë nga një dalje e vogël e njerëzve në votime, që do të ishte një tregues i apatisë së votuesve dhe zvogëlimit të legjitimitetit të qeverisë. Duke lejuar atë që ngjan me një konkurrencë të rritur, Kremlini mund të shpresojë që të nxitë më shumë njerëz që të dalin në votime. Në ndërkohë, Putini është duke tentuar që bashkësisë ndërkombëtare t'ia bëjë me dije se Rusia nuk është ajo oligarki, për çka akuzohet shpesh se është. Dhënia e qasjes televizive kandidatëve opozitarë mund të jetë strategjia e Putinit që të tregojë sesi Rusia është një demokraci, e cila lejon zërat opozitarë dhe ua jep atyre lirinë e shprehjes. Dhe, ndoshta Kremlini dëshiron që ta lejojë një liri të tillë, për shkak se nuk beson që ndonjëri prej kandidatëve opozitarë mund të jenë kundërshtarë seriozë. Por, do të ishte gabim të supozohej një gjë e tillë. Putini mundet edhe të fitojë në mars, por me një ekonomi të coftë, një papunësi të lartë dhe me një rritje të ndjenjës së frustrimit, e ardhmja nuk duket as për së afërmi aq e mirë, sa do të donte Kremlini. 

(Kosova Sot)

20 orë e 12 minuta më parë
20/02/18