Domosdoshmëria e reformës zgjedhore - Opinione - Kosova Sot
Domosdoshmëria e reformës zgjedhore

Domosdoshmëria e reformës zgjedhore

Qytetarët, të zhgënjyer në politikanët 

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Deri më sot patëm disa zgjedhje lokale dhe zgjedhje qendrore, të cilat zgjedhje qytetarëve të Kosovës nuk u sollën shumë të mira. Dhe, shtrohet pyetja logjike se a ia vlen dalja në zgjedhje, ose pse kurrë në zgjedhje nuk dolën as 50 për qind të atyre që patën të drejtë vote? Kjo pyetje kërkon analizë dhe zbërthim të gjerë nga partitë politike, organizatave joqeveritare, të cilat merren me analiza politike etj. Më në fund të merret nisma për debate se a duhet dalë në zgjedhje apo edhe duhet bojkotuar ato, pas gjithë këtyre dështimeve të partive shtetformuese në zhvillim dhe mirëqenie të përgjithshme ? Nëse shikohet interesi aktual i partive politike, këto do të bëjnë thirrje për dalje në zgjedhjeve. Po kurrë sa duhet nuk i realizuan premtimet e dhëna para elektoratit. Kurrë nuk krijuan kushte as rrethana të volitshme dhe as nuk krijuan vullnet qytetar për dalje masovike në zgjedhje. Edhe pse zgjedhjet në përgjithësi u cilësuan si të rregullta dhe demokratike, nuk ishte krejt ashtu. Nuk patëm as opozitë të fortë, e cila do ta kontrollonte ashtu si duhet punën e pozitës. Nuk po kemi reformë zgjedhore, se një reformë e tillë sigurisht se bie ndesh me interesat e grupeve të fuqishme të partive politike.

Agjenci kot

Askush deri më sot nuk mori përgjegjësi për të gjitha dështimet në politikëbërje, në stagnim të zhvillimit ekonomik dhe në stagnim të proceseve demokratike. Institucionet e shtetit duhet të drejtohen më shumë nga profesionistët. Me këto vendime të deritashme të kësaj kaste politike nuk mund të jemi të kënaqur dhe as që mund të presin se do të respektohet e drejta qytetare. E krijuam Agjencinë Antikorrupsion, por që nuk ishte efikase nga ndërhyrja e politikës. Edhe shumë medie nuk i përmbushën standardet profesionale dhe etikën elementare. Edhe disa televizione private u sollën më shumë si tifozeri, jashtë kritereve profesionale. Institucionet ishin ato të cilat krijuan opinione të caktuara në medie, duke ndikuar kështu edhe në rezultatet zgjedhore. Sistemi aktual zgjedhor nuk na solli diçka të mirë, nuk solli në pushtet njerëzit sa duhet të përgatitur për sfidat e sistemit shumëpartiak pluralist. Pa lista të hapura dhe pa shumë zona zgjedhore nuk ka mundësi që qytetarët t'i zgjedhin njerëzit në të cilët kanë më së shumti besim, të cilët do t'i mbronin interesat e tyre pa dallime partiake. Pa lista të hapura, më duket mua, nuk do të kemi institucione shumë kredibile në Kosovë.

Reforma zgjedhore kërkon kohë, dije dhe mund

Qytetarët duhet ta kenë mundësinë që mos t'ua japin besimin atyre që nuk i përmbushën interesat e tyre. Këtë gjë e bëjnë të mundur listat e hapura. Kosova sigurisht do të ishte shumë më shumë e zhvilluar. Deri atëherë, kur qytetarët nuk e kanë fuqinë e duhur vendimmarrëse, e cila edhe u takon sipas Kushtetutës, deputetët dhe nëpunësit partiakë e shtetërorë nuk do të frikësohen nga sovrani - populli dhe do të sillen dhe do të veprojnë me gjuhën poltroniste. Sistemi zgjedhor do të duhej të ndryshohej për të mirën e këtij vendi. Nëse nuk sigurohen kushtet optimale për zgjedhje korrekte dhe demokratike, atëherë për çka na shërbejnë zgjedhjet? Kur nuk bëhen reformat e nevojshme për t'i kontrolluar partitë politike, atëherë edhe zgjedhjet nuk kanë shumë kuptim. Sigurisht se reforma zgjedhore kërkon kohë, dije dhe mund. Do të ishte mirë të plotësohen kushtet optimale për dalje në zgjedhje, sepse vetëm kështu bëhet gara interesante dhe zgjedhjet nuk mund të konsiderohen paraprakisht si zgjedhje të humbura dhe humbje e kohës. 

(Kosova Sot)

4 orë e 28 minuta më parë
21/10/18