Më në fund kohët e mira?

Më në fund kohët e mira?
  • 25 January 2018 - 10:34

EKONOMIA GLOBALE

Shkruan: Jim O'Neill 

Në shkurt të vitit 2017, shkrova një analizë optimiste, me titull "The Global Economy's Surprising Resilience" (Fleksibiliteti befasues i ekonomisë globale). Ky shkrim i befasoi ata që shihnin vetëm një perspektivë të errët për vendet Perëndimore, jo vetëm për SHBA-në, ku presidenti Donald Trump sapo ishte inauguruar. Tani, gati një vit më vonë, tri dekadat e mia të përvojës në tregjet financiare globale, më bëjnë që të besoj se situata ekonomike nuk është aq e qartë. Në anën pozitive, gjysma e duzinës së indikatorëve ciklikë, të cilët i përmenda shkurtin e kaluar, mbesin të fortë, ku disa prej tyre bile janë forcuar edhe më shumë. Një indikator kryesor ka të bëjë me të dhënat tregtare mujore të Koresë Jugore. Eksportet e vendit u rritën për 15.8% në vitin 2017, që ishte rritja më e madhe që nga viti 1956. Për më tepër, rritja e eksportit ndodhi përkundër kërcënimit të Trumpit se do ta tërhiqte SHBA-në nga Marrëveshja e lirë tregtare me Korenë Jugore. Sikur që kisha paramenduar një vit më parë, ngadalësimi në tregtinë globale gjatë viteve të kaluara me gjasë u shkaktua nga kriza e euros dhe nga rënia e çmimeve të mallrave dhe, si e tillë, do të ketë një përmirësim të përkohshëm. Tani, kur këta dy trendë i takojnë së kaluarës, tregtia globale duket se e ka marrë veten. Natyrisht, shumëçka do të varet nga ajo se a do të mund të mbahet ky momentum i tregtisë. Edhe pse performanca e eksporteve të Koresë Jugore ishte mbresëlënëse në dhjetor, ajo nuk arriti vlerat e parashikuara. Do të duhet të presim për të parë se çka do të ndodhë gjatë vitit 2018. 

Indikatorët kryesorë për Kinën duken mirë

Një indikator tjetër ciklik reflektohet në Indeksin mujor PMI, nga prodhimtaria dhe shërbimet. Këtu, analizat tregojnë se, shumë vende të botës, janë më të forta sesa që ishin me vite të tëra. Këtu përfshihet edhe SHBA-ja, ku kam konstatuar se Indeksi prodhues ISM të jetë konsistent. Kjo përfshinë edhe eurozonën, ku të dhënat e indeksit PMI tregojnë për vlera rekorde që para vitit 2000. Edhe të dhënat mujore për PMI-në britanike tregojnë një momentum, edhe pse jo aq të fortë sa në vendet e tjera perëndimore, me gjasë për shkak të efektit Brexit. Nëse ambienti ekonomik global vazhdon që të përmirësohet, atëherë Britania mund të respektojë afatet për dalje nga BE-ja. Edhe indikatorët kryesorë për Kinën duken mirë, sidomos në aspektin e rritjes afatgjatë në shërbime dhe në konsum të brendshëm. Vazhdoj të besoj se këta dy faktorë do të kenë efekt jo vetëm në Kinë, por edhe në pjesën tjetër të botës. Shumë vende duan që të eksportojnë më shumë sesa mallrat dhe prodhimin në Kinë dhe, kompanitë nga e mbarë bota janë duke u shtyrë për të pasur qasje në tregun e madh vendor të Kinës. Duke marrë parasysh të gjitha këto, parashikimet për rritje të GDP-së globale për 4% a më shumë për vitin 2018, duken të besueshme. Pra, çka nuk do të jetë mirë në pasqyrën ekonomike globale gjatë vitit 2018? Si veteran i tregjeve financiare, zakonisht druaj nga një konsensus i fortë. Derisa shumica e shqetësimeve për vitin 2017 dolën të ishin të pasakta, kjo nuk dmth se rreziqet ekonomike janë zhdukur. Për dallim prej një viti më parë, njerëzit janë duke kuptuar gjithnjë e më shumë se ekonomia globale është më e fortë sesa që ishte pritur. Por, nëse rritja vazhdon që të përshpejtohet, atëherë Banka qendrore amerikane mund t'i ngrejë normat e interesit më shumë sesa që kishin pritur tregjet. Edhe bankat e tjera të mëdha qendrore, sidomos ajo e Kinës, BQE-ja dhe Banka e Japonisë, mund të ndryshojnë politikat e tyre të dobëta monetare. 

Pasojat nga dobësimi i lidershipit amerikan

Nga ana ime, mendoj se prodhimtaria do të rritet në disa vende, gjë që do ta justifikojë përshtatjen e politikave monetare dhe do ta bëjë rritjen e normave të interesit më të pranueshme. Por, ky është vetëm një supozim, i bazuar te parashikimet e mia rreth rrogës dhe produktivitetit në SHBA dhe Britani, midis vendeve të tjera. Një shqetësim final është se, derisa nuk e ka bërë ende një cikël të plotë, disponimi global ka lëvizur nga frika rreth rreziqeve politike, te mungesa e vëmendjes, edhe pse shumë rreziqe të tilla ekzistojnë ende. Nuk mund të injorohen as pasojat nga dobësimi i lidershipit amerikan në Lindjen e Mesme dhe në gadishullin korean, e as sfidat afatgjata me të cilat vazhdon që të ballafaqohet Evropa. Për një kohë të gjatë kam besuar se, të paktën për investitorët financiarë, është më mirë që çdokush të shqetësohet për gjithçka, sesa një pakicë të shqetësohet në emër të të gjithë të tjerëve. Megjithatë, përderisa rrethanat financiare të mos shtrëngohen së tepërmi si pasojë e forcimit aktual ciklik, performanca ekonomike globale për pjesën e mbetur të dekadës, mund të jetë më e fortë sesa që mund të kishte paramenduar kush vetëm pak vite më parë. 

(Kosova Sot)