Si plaçkiten qytetarët nga Shpend Ahmeti? - Opinione - Kosova Sot
Si plaçkiten qytetarët nga Shpend Ahmeti?

Si plaçkiten qytetarët nga Shpend Ahmeti?

Kryetari i papërgjegjshëm i Prishtinës

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Të shkruash për fenomenet negative që po e ngufatin popullin e Kosovës, ato janë të shumta e herë -herë të paimagjinueshme. Madje shpesh nga qytetarët shtrohen pyetjet: Pse shkruan ?! Kujt po i shkruan ?! Kush lexon?! Nga pyetjet e tilla vjen zhgënjimi deri në demoralizim, ngase krijohet përshtypja se me shkrime nuk rregullohet e nuk përmirësohet situata që është katandisur populli ynë. Në mendje krijohet një konfuzitet, sepse shkrimet nuk po ndikojnë të personalitetet politike që ata të marrin masa e t'i korrigjojnë gabimet e tyre. Personalitetet politike nuk po e kuptojnë se kritikat objektive në gazeta e portale janë pasqyra e veprave që pushtetarët tanë e krijojnë gjatë mandatit të tyre. Gjendja aktuale ku varfëria është e barabartë me shtetet më të varfra afrikane, ku papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar politiko-ekonomik më i larti në botë, drejtësia peng e politikës dhe e korrupsionit… janë rezultat i punëve të pushtetarëve. 

Në stacion të autobusëve plaçkitën qytetarët

Komuna e Prishtinë i detyron qytetarët tanë të paguajnë takska për çdo udhëtim! Rast unik në botë ku qytetarët paguajnë taksa për të hipur në autobus e për të shkuar në destinacionet e ndryshme në tërë Kosovën. Shpend Ahmeti nuk kënaqet vetëm më plaçkitjen e prishtinasve , por u ka vë taksa prej 50 centë çdo qytetari të shtetit të Kosovës që vinë në Prishtinë dhe kthehen në shtëpitë e tyre. Për disa taksa prej pesëdhjetë centëve nuk është shumë për t'u alarmuar, mirëpo pesëdhjetë centë është e barabartë më dy bukë. Qytetarët e Kosovës për t'u kthyer në shtëpitë e tyre paguajnë dy bukë taksa Shpend Ahmetit dhe stafit të tij. Fshatarët e varfër, të cilët i vizitojnë të afërmit e tyre në Prishtinë ose për ndonjë punë administrative janë të detyruar që në stacionin e autobusëve përveç biletës të paguajnë edhe pesëdhjetë centë shtesë. Pse qytetarët, të cilët e marrin autobusin detyrohen të paguajnë shtesën prej pesëdhjetë centëve ?! Në xhepin e kujt shkojnë këto para?! Brenda një dite janë mijëra qytetarë që detyrohen të marrin autobusët për t'u kthyer në vendlindje. Brenda një viti janë miliona qytetarë, të cilët kanë qenë të detyruar të marrin autobusin për të shkuar në qytete e qyteza të ndryshme. Taksat e vjela legalisht janë hajni e radhës të cilën ka shumë kohë që Shpend Ahmeti po e praktikon. Kjo është thjeshtë një vjedhje pa i dhënë llogari askujt! Kam udhëtuar në tërë Evropën si Bruksel, Paris, Minhen, Shtutgard, Cyrih, Milano dhe kurrë në asnjë stacion të autobusëve udhëtari përveç çmimit normal të biletës nuk paguan taksa që po nisët me autobus apo me tren. Është normale që parking udhëtarët të paguajnë parkingun për veturat që presin të afërmit e tyre, por nuk është normale udhëtarët detyrueshëm të paguajnë taksa shtesë.

Taksat e detyrueshme shkaktojnë qarkullim të vështirë në rrugë

Duke e pasur për bazë që një numër i madh qytetarësh janë skajshmërisht të varfër, të cilët i numërojnë edhe centët e fundit, këta nuk hyjnë në stacionin e autobusëve në Prishtinë që t'u ikin pagesës shtesë prej pesëdhjetë centëve. Një pjesë e tyre i presin autobusët në dalje të stacionit të cilëve shoferi ua hep dyert. Një pjesë tjetër presin po ashtu më larg dhe kështu autobusët detyrohen që të ndalojnë vend e pa vend për t'i marrë udhëtarët. Ndalimi i autobusëve jashtë stacionit të paraparë ndikon në rritjen e aksidenteve të shumta e madje me pasoja tragjike. Ngasësi i veturës që gjendet pas autobusit, i cili e ndalon për të marrë një udhëtar në vendin e pa caktuar, e detyron tjetrin të bëjë tejkalimin dhe natyrisht i fundit do të bëjë ndeshje me makinën tjetër që vjen më shpejtësi. Në raste të ndaljeve të autobusëve vend e pa vend për shkak të ikjes së taksave, ka raste kur udhëtari ndodhët në anën tjetër dhe duke vrapuar për të hipur në autobus e kalon rrugën pa kujdes dhe ai ndrydhët nga vetura tjetër duke e lënë të vdekur ose invalid të përjetshëm. Për këto vdekje, Shpend Ahmetit nuk i bëhet vonë e madje thotë:"Pse nuk ka këqyrë ?! Ku i ka pas sytë?!" Për humbjen e një jete, Shpend Ahmetit kryetarit tonë të Prishtinës nuk i bëhet vonë. Nuk i bëhet vonë as për ndeshjet që shkaktohen për fajin e autobusëve që ndalojnë vend e pa vend. Taksat e detyrueshme që i paguajnë qytetarët tanë, ndoshta do të ishin arsyetuar sikur Shpend Ahmeti me stafin e tij të kishin ndërtuar një stacion të ri modern siç ekzistojnë në botën e civilizuar. Mirëpo ne të gjithë e dimë, se stacioni i autobusëve në Prishtinë është ndërtuar në kohën e sistemit të kaluar. Stacioni i tanishëm është trashëgimi e së kaluarës që qytetarët tanë kurrë nuk kanë paguar taksa shtesë për të hyrë në stacion. Stacioni i tanishëm për të cilin Shpend Ahmeti i detyron qytetarët të paguajnë taksa shtesë nuk ka pësuar asnjë ndryshim: i njëjti kulm, të njëjtat dritare, të njëjtat shtylla të brendshme dhe të jashtme, i njëjti mermer e të njëjtat mure. Pse Shpend Ahmeti i detyron qytetarët të paguajnë taksa?! A nuk është haraç?! A nuk është plaçkitje?! A nuk është vjedhje legale për përfitime personale?!

Prishtina i plaçkit qytetarët në lëshimin e lejeve për ndërtim

Që nga ardhja e Shpend Ahmetit në krye të komunës, ndërtimtaria në Prishtinë është zvogëluar dukshëm dhe gati sa është paralizuar e tëra. Qe në fillim Shpend Ahmeti e aprovoi ligjin për legalizimin e shtëpive, ku qytetarët vrapuan duke i përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për legalizim. Sipas statistikave në Prishtinë ekzistonin shtëpi të pa legalizuara me dekada që pas luftës iu shtuan edhe më shumë. Në korrikun e 2013, Shpend Ahmeti tha se do t'i legalizonte të gjitha shtëpitë e ndërtuara deri në fund të korrikut të 2013. Përgatitja e një dosje për një shtëpi ende të pa legalizuar kushtonte hiç më pak se tremijë euro plus taksa Komunës së Prishtinës. Nga ajo kohë ende asnjë shtëpi nuk u legalizua, por taksat komunale u paguan. Shpend Ahmeti e pasuroi vetveten dhe një pjesë të stafit të tij. Qytetarëve të cilët nuk paguanin ryshfet ua ndaloi ndërtimet me leje, e atyre që paguanin u jepte leje për ndërtim. Shpend Ahmeti e krijoi grupin e tij mafioz të specializuar për marrjen e ryshfetit për ndërtimin e shtëpive më leje. Aq larg ka shkuar ky grup mafioz saqë brenda katër viteve të kaluara janë ndërtuar me leje shtëpi edhe në pronë publike në qendër të Prishtinës, jo larg parkut të qytetit apo ndoshta edhe në pronën e parkut. Ndërtimet e ulëta gati sa i kanë ndërprerë pasi që aty fitimi është i ulët. Grupi mafioz i Shpend Ahmetit u specializua në dhënien e lejeve për ndërtim të lartë, ku për një ndërtesë të tillë pronarit i kërkoheshin qindra mijëra euro. Menjëherë me marrjen e pushtetit, Shpend Ahmeti filloi të gjente prova për shkarkimin e inspektorëve të kohës së Isa Mustafës dhe Ismet Beqirit, të cilët po ashtu ryshfetin e kishin bërë specializim. Burgosja e disa inspektorëve komunal të LDK-së, krijoi bindjen se Shpend Ahmeti e kishte seriozisht dhe nga ajo ditë Prishtina do të zhvillohej pa ryshfet, pa taksa, pa dallavere. Katër vjet më vonë, asgjë nuk ndryshoi për qytetarët, mirëpo ndryshoi për Shpend Ahmetin dhe stafin e tij, të cilët ishin më gjendje të mesme e u shndërrua në milionerë. Më shpejtësi marramendëse, Shpend Ahmeti e zgjeroi biznesin e tij ilegal duke u futur nëpër shkolla të Prishtinës, duke i detyruar drejtorët që të furnizoheshin me lëndë djegëse nga firma e rekomanduar nga kryetari i kryeqendrës. Filloi po ashtu t'i furnizonte me qumështin po ashtu të rekomanduar nga kryetari i komunës ku një përqindje rrjedhë ende në xhepin e tij personal. Ky ishte Shpend Ahmeti, kameleon i kohës moderne! Ky është Shpend Ahmeti, që shitej si kryetar i pakorruptuar e në fakt i korruptuar gjer në palcë, e mbi kurrizin e popullit. Ky është Shpend Ahmeti pa dinjitet dhe pa kurriz, që nuk mendon për mirëvajtje të qytetarëve, por për pasurinë e tij personale! Ky është Shpend Ahmeti që edhe kur qesh, qeshjet i ka të ngrira! Ky është Shpend Ahmeti, i cili edhe kur qante për Astrit Deharin , mendjen e kishte të pasuria që nga ajo vrasja të përfitonte! Ky është Shpend Ahmeti, njeri i papërgjegjshëm! Deri sa qytetarët nuk protestojnë për taksat shtesë, për qumështin e helmuar , për legalizimin e shtëpive për… Shpend Ahmeti do të qëndrojë edhe katër vite duke na mjelë si lopën e Edi Ramës. A jemi ne lopë siç na quan Edi Rama? A durojmë ne? 

(Kosova Sot)

21 orë e 12 minuta më parë
15/11/18