Rusia dhe të rinjtë që pëlqejnë armët

Rusia dhe të rinjtë që pëlqejnë armët
  • 06 February 2018 - 10:13

KAMPANJAT RUSE TË DEZINFORMIMIT

Rusët kanë vendosur që ta përdorin ndikimin e tyre në Ballkan, për ta rinisur konfliktin në Bosnjë

Shkruan: Anne Applebaum 

Tanimë që të gjithë ne jemi të njoftuar me kampanjat ruse të dezinformimit, të dizajnuara me qëllim të rrezikimit të demokracisë dhe mbjelljes së mosbesimit, gjëra që tani janë të pranishme në shumë vende perëndimore. Të mirënjohura janë edhe mënyrat e shumta të përdorimit të korruptimit rus. Por, kjo nuk është e tërë storja. Për një ish-superfuqi me fonde të vogla që tenton ta rikthejë ndikimin me pak para, paratë dhe mashtrimet nuk janë mjetet e vetme. Njësoj lirë dhe, në disa vende, me shumicë, ka edhe njerëz të rinj, të fascinuar ndaj armëve, kamuflazhi, xhudoja dhe lojërat paramilitare, të zhvilluara në male. Në SHBA dhe Britani, lojërat 'paintball' dhe 'airsoft' - ku përfshihen 'armë' me pamje reale, që gjuajnë ngjyra apo predha të plastikës - luhen në ndejat e ditëlindjeve të fëmijëve, apo reklamohen si aktivitete ekipore për grupe të biznesit. Por, këto grupe ndonjëherë joshin një klientelë me orientim më militar. Në skajin lindor të Evropës ato kanë joshur po ashtu edhe një interes në Rusi.

Rinisja e konfliktit

Rusia ka manifestuar një interesim më shumë sesa fqinjësor, për shembull, te lojtarët rusisht folës të lojës 'airsoft', si dhe te pjesëtarët e arteve luftarake dhe klubet e qitjes, në Letoni dhe Estoni, dy vende me pakica të konsiderueshme rusisht-folëse. Trajnuesit rusë me lidhje militare, bile edhe me forcat speciale, iu janë bashkuar disa prej klubeve në këto vende si trajnues, duke ua mësuar vijuesve një taktikë të njësiteve të vogla. "Klubet luftarake" që mësojnë "systema", një formë të arteve 'praktike' luftarake ruse, reklamohen haptazi në Talin, Estoni. Autoritetet letoneze ishin frikësuar aq shumë nga lidhjet e mundshme të inteligjencës së rusëve që vinin në vend për të vlerësuar një garë të lojës "airsoft", saqë në muajin dhjetor i deportuan ata. Ky fenomen nuk kufizohet te shtetet baltike. Në tetor të vitit 2016, një neonazist 76-vjeçar hungarez thuhet ta ketë vrarë një polic hungarez. Më pas u kuptua se grupi i vogël paramilitar i tij kishte lidhje ruse. Grupi i tij kishte mbajtur trajnime me diplomatët rusë dhe me inteligjencën ushtarake ruse, po ashtu. Në Gjermani ekzistojnë më shumë se 60 klube "systema" në Gjermani; ku shumë prej tyre përdorin haptazi simbolet e inteligjencës ushtarake ruse, apo edhe vendore. Është hapur edhe një degë gjermane e "Ujqërve të natës", që është grup patriotik i çiklistëve rusë. Ka edhe grupe të vogla në vendet e tjera, përndryshe paqësore. Shumë më serioze ishin njoftimet e javës së kaluar për mercenarët e trajnuar nga rusët, për të cilët thuhej se kishin formuar një njësit paramilitar në Bosnje, me qëllim të mbështetjes së një lideri separatist serb. Ky lajm në fillim doli në një gazetë lokale, por më pas u konfirmua nga qeveria e Bosnjës. Një ishministër i energjisë në Bosnjë e interpretoi këtë incident me shprehje të ashpra gjeopolitike. Ai deklaroi haptazi për "Guardian" se "kjo është pjesë e një ndryshimi më të madh në rendin ndërkombëtar": Rusët kanë vendosur që ta përdorin ndikimin e tyre në Ballkan, për ta rinisur konfliktin në Bosnjë. A ka rëndësi kjo? Këto raste do të mund të vlerësoheshin si të izoluara dhe të parëndë- sishme, sikur të mos ishte fakti që Rusia ka një histori të përdorimit të grupeve paramilitare, bashkë me taktikat e tjera të dezinformimit, korrupsionit dhe të tjera, për të destabilizuar fqinjët e saj. Pushtimi i Krimesë u bë me anë të "njerëzve të gjelbër, të vegjël" - ushtarëve rusë, me uniforma pa simbole. Por, njerëzit lokalë, që papritmas u bënë "separatistë" në Ukrainën lindore, dolën nga një milje më i errët, paramilitar. Dhe, ka edhe shembuj më të vjetër: Paraqitja e papritur e kriminelëve të armatosur lokalë, që më parë ishin stërvitur në BRSS, ishte pjesë e asaj që mundësoi 'sovjetizimin' e Evropës qendrore nga viti 1945. 

Hetimet e FBI-së

Kjo ka rëndësi edhe për faktin se taktikat, të cilat rusët i testuan dhe i përsosën në Ukrainë, apo Moldavi, më pas shpesh i përdori edhe në Perëndim. Sa për ilustrim, njëri ndër kanalet që qeveria ruse përdori për të tentuar që të kontaktonte kampanjën Trump, kishte lidhje me Shoqatën kombëtare të armëve (NRA). Në dhjetor, "New York Times" raportonte se një aktivist i NRA, i quajtur Paul Erickson, i kishte shkruar një këshilltari të kampanjës së Trumpit, në maj të vitit 2016, ku tregonte se ishte duke 'kultivuar' një kanal dytësor me Kremlinin e presidentit Putin dhe ofronte mundësinë që të ndërmjetë- sonte një takim me zyrtarët rusë në konventën nacionale të NRA-së në Luisvill. Sipas "Times", Erickson ka bërë disa udhëtime në Rusi, ka lidhje me një grup djathtist rus që mbron të drejtat e mbajtjes së armëve. Sipas një raporti McClatchy, FBI-ja tanimë është duke bërë hetime se a kanë ofruar operativët rusë ndihmë financiare për kampanjën Trump, duke përdorë NRA-në. Sikur të ishim në vitin 2015, do të mund të qeshnim me këtë. Por, në vitin 2016, Kremlini udhëhoqi një kampanjë dezinformimi të stilit ukrainas në SHBA, thuajse pa paguar asnjë çmim për këtë. Në vitin 2018 - ose në vitin 2028 - ndoshta Kremlini do të fillojë me eksperimentimin me taktika të stilit ukrainas, të një lloji më të dhunshëm. 

(Kosova Sot)