Një përvjetor i zvetënuar për qytetarët e Kosovës - Opinione - Kosova Sot
Një përvjetor i zvetënuar për qytetarët e Kosovës

Një përvjetor i zvetënuar për qytetarët e Kosovës

Demokraci në stagnim

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

U bënë 18 vjet nga largimi i forcave të huaja serbe nga Kosova. U bënë po ashtu 10 vjet kur zyrtarisht e shpallëm pavarësinë e vendit. Shtrohen shumë pyetje; cilat ishin të arriturat dhe cilat dështimet në shtetndërtim dhe mirëqenie? Dhe, shumë pyetje hipotetike të cilat kërkojnë përgjigje adekuate. Sigurisht se në këtë përvjetor të pavarësisë nuk mund të jemi të kënaqur me të arriturat tona.

I kemi pasur mundësitë dhe të gjitha kapacitet që gjendja politike, e veç- mas e rrjedhave ekonomike dhe sociale të jetë shumë më e mirë. Nuk ndodhi kështu, se në pushtet erdhën forcat me logjikën e vjetër. Demokracia përjetoi dhe po përjeton stagnim dhe rënie, ndodhi krejt e kundërta e asaj që kanë pritur shumica. Kemi menduar me të drejtë se Kosova do të zhvillohet mbi të drejtat e shumicës, se do të zhvillohet mbi bazat demokratike e të barazisë, të drejtave të barabarta sociale dhe do të zhvillohet sipas standardeve demokratike. Sot, kur po festojmë këtë përvjetorë , sigurisht se nuk do të gjejmë shumë njerëz, të cilët janë të kënaqur me shtetin për të cilin edhe kanë luftuar. Kjo ndodhi më shumë për faktin se shteti ra në duar të disa familjeve, të cilat po kontrollojnë çdo gjë. 

Derisa përfundimisht nuk ndahet drejtësia nga politika, nuk mund të flasim për shtet ligjor

Përfituan në mënyrë jo civilizuese dhe në mënyrë dehumanizuese. U pasuruan mbi kurrizin e popullit duke e varfëruar skajshmërisht atë. Këto pak institucione të cilat po i ndërtojmë, dita- ditës gjithnjë e më shumë po i rrënojmë, apo po i shfrytëzojmë për t'i qëruar hesapet me të gjithë kundërshtaret politikë. Organet e drejtësisë dhe gjykatat në vend që të vihen më shumë në funksion të qytetarëve dhe të shtetit , ato shpesh po instrumentalizohen karshi atyre të cilët e kanë fuqinë vendimmarrëse politike dhe ekonomike. Kur po është në pyetje ashtu të them "krimi i madh", organet e drejtësisë nuk po kanë forcën e duhur të veprimit !

Pamundësia apo edhe mosdëshira e veprimit karshi krimit politik dhe krimit ekonomik, ka bërë që të kemi gjithë këtë jostabilitet politik, ka bërë që të kemi shumë varfëri dhe ka bërë që shumë të rinj të mbeteni të pa punë. Deri sa përfundimisht nuk ndahet drejtësia nga politika , nuk mund të flasim për shtet ligjor , funksional dhe demokratik.

Kuvendi, arenë gladiatorësh

Edhe derisa në krye të institucioneve të shtetit në të gjitha nivelet kemi njerëz me mendësi autokratike , proceset zhvillimore nuk ka mundësi të avancohen. Parlamenti si organi më i lartë ka mbetur më shumë formal karshi vendimeve, të cilat po merren në qeveri. Kjo nuk përkon me logjikën parlamentare të funksionimit të shtetit. Kuvendi më shumë është shndërruar në arenë gladiatorësh, sesa në vend ku merren vendimet e rëndësishme për një shtet. Pamë për këto 10 vjet shumë cirkusiada dhe cirkusantë .Pamë skena të turpit , pamë skena jo civilizuese , pamë akuza dhe kundër akuza të kuvendarëve ,të cilat veprime bien ndesh më interesat e qytetarëve të Kosovës. Të gjitha qeveritë e deritashme punuan pa program afatgjatë zhvillimor, që është jashtë çdo logjike afatgjate të shtetndërtimit. Kjo klasë politike nuk po ka mundësi të ballafaqohet me temat e mëdha politike si Demarkacioni, "Zajednica", dhe formimi i ushtrisë së Kosovës. Kjo po ndodh edhe për faktin se kjo elitë politike janë të pazotët për ta përfunduar fazën e tranzicionit, se nuk i takojnë kohës bashkëkohore. Nuk kemi arsim të avancuar, nuk arritëm që shëndetësinë ta shkëputim nga keqpërdorimet e mëdha e të vogla, nuk kemi administratë stabile të shtetit…

Është mbushur aparati shtetëror me militantë partiakë dhe familjarë pa kriter profesional. Dhe, natyrisht se me këso struktura shtetërore nuk kemi mundësi të ecjes tonë përpara, dhe as inkuadrim në Evropën e Bashkuar. Qytetarët kanë mbetur të izoluar si në geto, kurse pushtetarët po i gëzojnë të gjithë privilegjet. Qytetarët e Kosovës sikur nuk janë mësuar të jetojnë jetë të mirë dhe luksoze. Pushtetet e deritashme ofruan më shumë premtime boshe. As nuk kemi punësime , as nuk kemi biznese korrekte ...Grupet e caktuara politike dhe grupet e caktuara të biznesit kanë përvetësuar çdo vlerë shoqërore. Dalja nga kjo situatë natyrisht se nuk bëhet më shkop magjik. Kërkohet futja në funksion të të gjithë mekanizmave shoqërorë dhe i potencialeve njerëzore, resurseve natyrore, si dhe investimeve dhe investitorëve të jashtëm, pa të cilët, siç e kam potencuar shpesh ,nuk ka mundësi të kapërcimit të krizës ekonomike.

Duhet dhënë fund opstrukcioneve të deritashme politike dhe negativiteteve të tjera shoqërore. Është shumë me rëndësi që të vijmë deri te ndryshimet pozitive, të cilat do ta kishin rritur edhe kualitetin e jetës. Ta bëjmë Kosovën shtëpinë e të gjithëve, jo vetëm të një kategorie shoqërore. Vendi ka mundësi dhe kapacitete për të arritur nivelin mesatar të shteteve të Evropës .Vetëm më duar të pastra, vetëm pa krim dhe korrupsion mund të llogarisim në prosperitet dhe zhvillim të gjithmbarshëm. Na duhet në këtë përvjetor të pavarësisë ta kishim një shtet më të përparuar dhe të fortë, një shtet ku funksionin shumë më shumë rendi dhe ligji, dhe një shtet ku do të kishim një vend të punës, dhe një jetë normale… 

(Kosova Sot)

23 orë e 39 minuta më parë
25/06/18