Dialogu i brendshëm duhet t'i mbizotërojë radikalizmat?! - Opinione - Kosova Sot
Dialogu i brendshëm duhet t

Dialogu i brendshëm duhet t'i mbizotërojë radikalizmat?!

Na mungon kultura patriotike

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Na është krijuar ambienti i keq politik, veçmas kur bëhet fjalë për marrje të vendimeve të interesit shtetëror, siç janë Demarkacioni, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, formimi i Ushtrisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në fillim të këtij shkrimi do të kisha parashtruar disa pyetje:pse gjithë kjo përçarje shoqërore apo pse gjithë kjo përçarje e skenës sonë politike? Cilët janë faktorët të cilët e sollën një gjendje të tillë? Pse kjo ndarje në patriotë dhe tradhtarë? E shumë pyetje të tjera, të cilat lidhen me zhvillimet ekonomike, me jetën e dobët të cilën po e bëjnë shumica, me izolimin e vendit dhe me shumë defekte të tjera në të gjitha sistemet. A mos e sollën programet apo qëndrimet partiake një zhvillim të tillë kaq negativ të ngjarjeve të pasluftës? Sikur po bëhet luftë "të gjithë kundër të gjithëve".Këto kanë krijuar atmosferë gati mbytëse politike. Është krijuar atmosferë e rritjes së tensioneve politike, të cilat tensione po prodhojnë edhe kriza institucionale. Nuk po merremi vesh njeri me tjetrin dhe kjo po e vështirëson edhe më shumë situatën politike. Këto dhe shumë konstatime të tjera kanë bërë që të na mungojë konsensusi nacional për shumë tema të rëndësisë shtetërore e kombëtare. Nuk kemi ndërtuar konsensus për një sistem të drejtë- sisë shumë më funksional, po na mungojnë prioritetet në politikën e jashtme dhe atë të brendshme , kemi mungesë identiteti, nuk kemi një politikë ekonomike dhe sociale konform modelit kapitalist modern, për të cilin sistem edhe jemi përcaktuar. Shumë po largohemi dhe nuk po e respektojmë as Kushtetutën e cila është bibël për secilin shtet demokratik.

Qytetarët kanë mbetur me duar të lidhura

Po na mungon edhe kultura patriotike, e cila lidhet me rendin kushtetues. Ai patriotizëm më shumë po është verbal sesa po tregohemi patriotë në praktikë. Patriotizmi po na shërben si një parullë për ta mbuluar mospunën, abuzimet, krimin dhe korrupsionin, të cilat dukuri e kanë sjellë gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike. Është bërë tashmë shumë e qartë se mund të pajtohemi me të gjitha këto të këqija, të cilat e kanë mbuluar Kosovën, me arsyetime të ndryshme shumë banale, me arsyetime se po mbrohet patriotizmi dhe kështu edhe vlerat shoqërore, e në fakt asnjëra, as tjera nuk po mbrohen. Qytetarët kanë mbetur me duar të lidhura, të shprehëm ashtu, karshi dukurive dhe ngjarjeve, të cilat po zhvillohen para syve të tyre. Sigurisht se ata nuk pajtohen me primitivizma , me provincializma, me hajni dhe pasurim të atyre që janë ngjitur në pushtet me meritë ose pa meritë.

Tensionet politike

Na është krijuar ambienti i keq politikë, veçmas kur bëhet fjalë për marrje të vendimeve të interesit shtetëror, siç janë Demarkacioni, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, formimi i Ushtrisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me demagogji dhe me demagogë politikë dhe ekonomikë nuk arrihen objektivat në shtetndërtim dhe në avancim të të gjitha proceseve zhvillimore. Kosova duhet të konsolidohet edhe në kuptimin etnokulturor. Vetëm unikë e jo duke e kundërshtuar njëri -tjetrin edhe mund ta tejkalojmë situatën në të cilën kemi rënë. Konsolidimi i shtetit kërkon revidime edhe kushtetuese përmbajtësore. Tensionet politike mund të ulën vetëm atëherë kur dakordohemi që të punojmë ndershmërisht, të punojmë për të mirën e shumicës. Zhvatësit, abuzuesit dhe format e tjera kriminale e korruptive do të na shembin përtokë si Kullën prej Letre. Ka ardhur koha e fundit që të ndërtojmë sistem në të cilin qytetarët do të ndihen të sigurt. Po na mungon kritika dhe autokritika si dobësi të mëdha në politikëbërje. Duhet të kthehet besimi i humbur në institucione, dezintegrimet shoqërore janë mossuksesi i atyre të cilët e drejtuan shtetin pas luftës. Nëse situata në të cilën gjendemi nuk kuptohet seriozisht, edhe seriozisht po rrezikohen proceset demokratike, po rrezikohet edhe shteti i Kosovës. Skenarë të errët po bëhen për Kosovën dhe rreth Kosovës. Këto urgjentisht duhet të ndërpriten. Barabarësia para ligjit tashmë duhet të ndodhë edhe praktikisht, e jo ajo të jetë vetëm fasadë. Përgatitja për dialog të brendshëm dhe kompromise duhet t'i mbizotërojë radikalizmat e theksuar. Stabiliteti bëhet vetëm nga brenda. Një mori punësh të mëdha janë para nesh. 

(Kosova Sot)

20 orë e 48 minuta më parë
20/09/18