BISEDË ME VETEN PËR TA LARGUAR NGA VETËVETJA...!

BISEDË ME VETEN PËR TA LARGUAR NGA VETËVETJA...!
  • 12 October 2015 - 20:44

Shkruan: Sadri Morina

Më sa e bën zap erën në mes gishtave, sikur edhe ujin  e dheun, aq mund të jesh vetvetja në këtë copë tokë e qiell e quajtur Kosovë. Unë, vetja -zëri  yt i thellë dhe qenia jote e brendshme, prandaj, heq dorë nga Ti për gjithë ditën, e çdo ditë të lume! Për të mirën Tënde fizike, mendore, higjiene!  Sepse tjetër, dhe tjerë janë ata me plot vetvete. Kanë shtet dhe pushtet. Janë ligji vetë. Bëjnë vetë çka ua do qejfi . 71 kosovarë kërkohen aktualisht  nga Organizata Policore e Botës Interpol, ndërsa gjinden këtu, pranë, rreth e rrotull nesh,  të siguruar nga  polici e  vështruar nga  prokurori. Gjykatësi  bën dorën strehë mbi vetulla  dhe përcjell  lëvizjen. Ti dhe jo vetëm, prandaj, nuk je  kriminel i luftës as kriminel në paqe! As kriminel  ekonomik! Keqbërës e keqtrajtues!  Unë vetja, kësodore, duke   u larguar njëherë e mirë nga vetvetja jote e ditëpërditshme, do të jesh më i qetë, e do ta kesh më mirë! Dhe tjetër, që  pse? Përveç se je pronar i letërnjoftimit, kurrgjë tjetër nuk posedon. Morali, ego,karakteri, por edhe  veçoritë e identitetit, sikur edhe këmbëngulja në kërkim dhe zbatim të së drejtës,  nuk janë më Tuajat! I privuar, e liruar nga këto, pa dyshim, nuk do të lëngosh e dergjesh nga  cila do qoftë sëmundje edhe për sa kohë...

Puna e sëmundjeve "me ta ngjitë", qoftë edhe një grip i lehtë i kësaj vjeshte, nuk është pak-pa vlerë e pa rëndësi. Pale pastaj të tjerat si në vijim: Janë mjaft me të diabet e të sëmurë mendorë, sa  numri me tamam i tyre nuk dihet?  Nuk dihet për shkak se me diabet thonë se janë udhës për t'u verbëruar dhe, së dyti, fshihet sëmundja, sepse mësojmë se nuk  janë të aftë seksualisht! Me të sëmurë mendor, ndërkaq, si  shpellarë e kafshërorë që jemi, nuk duam ta bëjmë  të njohur sëmundjen, për shkak të paragjykimeve gjithë fare! Nëse na dhembë kryet në gjithë mëhallën, derë më derë,  e kërkojmë ilaçin, ndërsa kur na dhemb shpirti nuk duam të dijë askush! Medet!  Në vitin e shkuar, nga  të sëmurë me tumorë  janë  kryer 24 mijë vizita mjekësore,  me mbi 3 mijë seanca. Janë shënuar  plot 850 raste të reja. Vetëm në 3 muajt e parë të sivjetshëm janë raportuar me tumorë  234 raste të reja . 200 mijë banorë të Kosovës, pastaj, janë të prekur me sëmundjet e veshkave. Njëkohësisht dhe njësoj,  gjendja është edhe me  depresion, stres, ulcerë, kokë dhimbje, pa gjumësi, me barkqitje e skizofreni, me të marrë e të trashë në krye, me stenda në zemër e shpirt të thyer. 

Ka, por edhe pa ereksion e potencë, të cilat zëvendësohen me  gëlltitjen e pilulave " Viagra", shpërblyer për këtë zbulim shekulli  me Nobel, shqiptari Ferid Murati. Unë vetja ime, prandaj, duke t'u drejtuar tash krejtësisht e pa kurrfarë obligimi: Më dëgjo: Shpërfill KËNAQËSINË e përfill LUMTURINË. Nuk janë sinonime. As metaforë për t'u përdorë njëra për tjetrën. Kënaqësi është çdo gjë rreth e rrotull teje. Ta zëmë, ke shtëpi të mirë, veturë, arsimim, ekonomi, dashnore e grua, me të dyja ke fëmijë... Je i punësuar. Ke rrogë të mirë. Rrugë të mira. Lulishte e vende të mira. Për shëtitje e  xhezdi...  Lumturia, ndërkaq, buron nga brendia, nga vetvetja, prej së brendshmi, nga shpirti  e zemra. Mund mos të kesh asgjë nga të mirat materiale e vizuale e ambientale të cekura , por mund të jesh i lumtur! Ose e kundërta! Mund t'i kesh të gjitha këto e të tjerat, por mund të mos jesh i lumtur! E di se ç'do të më thuash: Teveqel!? I pabindur? Për të vepruar me këto Tuajat -shpërfill e përfill  në Kosovë duhet të jesh veç  jo veç pak, por krejt budalla. Duhet bërë debilin.

Të krisurin. Poltronin. Kameleonin. Të çmendurin apo të trentin, sikur i thonë Podguri.  Vetvetja ime e dalë afati, e skaduar, megjithëkëtë, bëj sikur  të propozoj e rekomandoj: Zgjedh ambientin nga do e kudo në natyrë. Qetë e pa zhurmë! Por, më përpara shiko mirë e mirë se mos e ka shkel  e dhjerë  njeriu? Ose mos e ka shkel  e bajgëluar  shtaza? Ose lexoje si  kuranin nga e djathta. Mos e ka shkel e bajgëluar  njeriu e dhjerë shtaza? Për shembull ! Do të pushosh e frymosh ajër të pastër? Ose të kënaqesh-sikur thua, buzë valëve të 9 lumenjve të Kosovës. Nis me Lumbardhin e Pejës e të Prizrenit, e sos me Sitnicë e Lepenc, me Moravën e Binqes e Drinin e Bardhë, me Erenikun e Ibrin, që, ua jap besën, me krejt 511 kilometra sa kanë, 5 fish kilometra më shumë janë vërshuar e shkatërruar tokë buke nga eksplorimi i zallit. Nga kushdo që  ka pasur nevojë e pa nevojë e ka dashtë...Nuk besoj, prandaj, se do të gjesh  vend të përshtatshëm e për qejfi për të pushuar e bërë selfi. As në breg e përreth tyre nga xhamat, bërlloku, shkurret e hiri i zjarreve, që nën saç kanë pjekur fli e të tjera duke bërë kërdi. Të mbetet tash  kodra ose  bjeshka për kënaqësi fundjave ? Për të gjendur e bërë më kollaj vend pushimin e marrim si pikënisje  Urën e Klinës. Mos e dashtë Zoti po të ndodhë aksidenti, si kudo në botën e përparuar e të modernizuar të komunikacionit,  shpejt e shpejtë duhet mobilizuar për t'u larguar, për shkak të rrezikut  që kanoset nga ai vlim e vlug automjetesh. Ndërsa ura është  dhe njihet pikërisht  stacion i autobusëve  urban e rural e ndër urban. Ama askujt nuk i hynë në punë as i ha palla ta heq nga aty, për shkak se, pikërisht, pse gjendet i vendosur stacioni në mbi urë, janë shënuar raste vdekjeje  dhe dëmtime veturash! Pak më larg urës stacion ndodhet bjeshka me emrin Kastrat. 

Në njërën anë të saj, thonë se një komandant i UÇK, me shumë makina të mëdha e të rënda, tash e sa vjet e shkatërron e shkallmon dhe ia nxin jetën shkëmbit, florës, faunës. Njësoj dhe njëkohësisht, në anën tjetër thonë se e eksploron një afarist tjetër. Në secilën komunë të Kosovës ka një, dy e më shumë  bjeshkë - gurthyes. E keqja është se, përveç se në Kosovë, gjithkund tjetër në botën e industrializuar,e me ambient ekologjik, çdo pëllëmbë toke e eksploruar, zëvendësohet me mbjell jen e  luleve me dyfish tokë më shumë. Në asnjë rast nuk lejohet eksplorimi  nga ana e qarkullimit të njerëzve e automjeteve. Gjithmonë në anën e prapme! Nga shihet  dhe nuk e ndien pluhurin. Me qenë se je në ecje e xhezdi e qesëndi, për dijen Tënde, sipas shënimeve të qershorit të sivjetshëm, në Kosovë janë 140 mijë ndërtime pa leje. Për të bërë më të kollajshëm hesapin themi : Në Kosovë jetojnë zyrtarisht  1.733.872 banorë. Nëse një familje kosovare ka mesatarisht 5 anëtarë, që jetojnë  në një shtëpi , i bie se në Kosovë janë 346.774. shtëpi.

Do me thënë se 30 për qind të shtëpive janë pa  leje. Pyesim -  kush është ai i satëmës , që do t'i rrënojë ato shtëpi, të cilat u ndërtuan ashiqare, ditën me diell, nën dorë e me dorë plotë ryshfet, me të njohshëm e pa ta, te secila qeveri nis me Haredinajn e sos sot me Mustafën.  Shtojmë edhe një xhevahirë në qafën e hollë të kosovarëve? Të pasurit përditë janë më të pasur. Të varfëritë, në anën tjetër, janë përditë më të varfër. Të pasurit nuk janë fajtorë pse të varfëritë janë të varfër. Jo! Fajtorin duhet kërkuar të shteti e pushteti, qeveria, që asnjëherë nuk i korrigjoi  sado pak rrogat e institucioneve të veta. Sipas shënimeve zyrtare të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, shkalla e varfërisë së përgjithshme është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10.2 për qind. Në njërën anë kemi varfëri ekstreme ,e në anën tjetër- kemi drejtor, titullarë të institucioneve shoqërore, qeveritare, që nuk janë shumë, por ka me mbi 5.000 euro rrogë. Jo pak  janë me mbi 3.000 e 4.000 euro të ardhura mujore, kurse janë plot e përplotë me rrogë mesatare 35o euro. Janë edhe veteranët e luftës me 170 euro pension, por edhe pensionistët me mbi 65 vite moshë me 140 euro. Kaq euro rrogë marrin edhe kamerierët, banakierët, pastruesit, rojet e natës dhe shumë punëtorë tjerë krahu.

Mbeç me shëndet të mirë, vetvete!